Shtetet e Bashkuara thonë se respektojnë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së. Në një reagim për gazetarin e Report Tv, Ermal Qori Departamenti Amerikan i Shtetit u bën thirrje palëve të shmangin retorikën nxitëse.

“Shtetet e Bashkuara respektojnë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës të marrë sot. Ne mbështesim drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe rikonfirmojmë mbështetjen tonë për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, thuhet në reagimin e DASH për Report TV.

Por një qëndrim krejt tjetër ka mbajtur Richard Grenell, ish i dërguari i presidentit Donald Trump për misione të posaçme. Ai e cilësoi dënimin e Hashim Thaçit “skandaloz” dhe bëri thirrje për mbylljen e Gjykatës Speciale duke i kërkuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, të veprojë menjëherë.

“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz. Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj”, shkroi Grenell.

Ndërkohë, Bashkimi Europian u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë dhe në rajon të tregojnë përmbajtje. Zëdhënësi Guillaume Mercier tha për REL se Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria duhet të lejohen ta ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje.

“Drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrjedhën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat”, tha ai.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim, pasi u shpallën fajtorë për krime lufte.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:54
'Dënimi i Thaçit është skandaloz', Richard Grenell kërkon mbylljen e Gjykatës Speciale: Kurti të veprojë menjëherë

1788339209_richardgrenell.jpg

I dërguari i presidentit Donald Trump për misione të posaçme, Richard Grenell, reagoi ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara për Hashim Thaçin, duke e cilësuar dënimin "skandaloz" dhe duke kërkuar mbylljen e Gjykatës Speciale.

Postimi i plotë:

"Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz. Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të çmendur të së majtës. Ata qartazi nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët e bënë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.

Gjyqtari zviceran Guenael Mettraux ishte udhëheqësi i vërtetë, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur politikën e Jack Smith.

Të gjitha këto gjykata duhet t'u ndërpritet menjëherë financimi. Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të marrë fund.

Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë."

Ora 13:38
Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, BE apel për përmbajtje: Drejtësia të vijojë pa ndërhyrje

1789558889_bashkimieuropian.JPG

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Guillaume Mercier, tha se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të lejohen ta ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje.

“Drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrjedhën e saj - gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat. Autoritetet kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në mbarë Kosovën”, tha Mercier.

BE-ja tha se “merr shënim” aktgjykimin e shkallës së parë dhe vlerësoi se Dhomat e Specializuara po administrojnë drejtësi përmes procedurave “të drejta, të paanshme dhe të pavarura”, të bazuara në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

Mercier rikujtoi se personat e dënuar kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin para një paneli të veçantë të gjyqtarëve të Apelit.