Kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Hagës, për të dënuar me nga 45 vjet burg secilin, 180 vite në total, ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se nuk është paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument që të provojë krime konkrete të kryera nga të akuzuarit.
Aktakuzën, Berisha e ka cilësuar si të pabazuar dhe ripërsëritje të shpifjeve të propagandës ultranacionaliste serbe. Sipas tij akuzat e ngritura ndër vite për trafikim organesh, janë trillime të fabrikuara nga ish-prokurori serb Vukçeviç.
Ndër të tjera, kryedemokrati i bëri thirrje Gjykatës Speciale që të mos ndikohet nga akuzat propagandistike, si dhe të konfirmojë pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës.
"Prokuroria në Hagë paraqiti sot aktakuzën ndaj ish-udhëheqësve politikë të Kosovës!Të dashur miq, sot prokuroria speciale e Gjykatës së Kosovës në Hagë paraqiti akuzat më të rënda dhe kërkoi vite burg për më shumë dekada, rreth dy shekuj të marrë së bashku, për udhëheqësit më kryesorë të luftës çlirimtare të Kosovës.
Duke qenë i bindur se drejtësia duhet të japë verdiktin e saj për çdo krim dhe ndaj cilitdo që e ka kryer atë, dhe pasi kam ndjekur me vëmendje procesin shumëvjeçar të gjykimit, dhe kam konstatuar se para publikut nuk është paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument që të provojë krime konkrete të kryera nga të akuzuarit, deklaroj se: akuza e paraqitur sot ndaj ish-udhëheqësve të UÇK, ish-aleat të Natos në luftën për çlirimin e Kosovës, është një ripërsëritje e shpifjeve të propagandës të ultranacionalistëve serbë dhe trillimeve të famziut Vukçeviç, që formuloi i pari ndaj tyre akuzën monstruoze të “shkuljes së organeve” nga serbët, robër lufte, dhe trafikimin e tyre, madje në territorin e Shqipërisë.
Me këtë rast, i bëj thirrje Gjykatës që në vendimet e saj të mos ndikohet në akuzat propagandistike që tejkalojnë çdo kufi dhe janë të pashembullta në historinë e drejtësisë ndërkombëtare, dhe të konfirmojë në emër të ligjit pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës.", shkruan Berisha.
Komente












