Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Shqipërisë unanimisht e konsideron kërkesën e Prokurorisë Speciale në Hagë për të dënuar me nga 45 vite burg Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin një shtrembërim të rëndë historik.

Në një deklaratë të përbashkët, të propozuar nga socialistët, dhe të shkruar nga dy ish ministra të Jashtëm Igli Hasani dhe Tritan Shehu, forcat politike shqiptare dënojnë ashpër atë që po ndodh në Gjykatën Speciale të Hagës.

“Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës së UÇK-së, thekson se kjo ushtri ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat e njeriut. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës”,thuhet nw deklaratwn e lexuar nga Hasani.

Deklarata e lexuar, nga ish ministri Igli Hasani, thotë se Kuvendi i Shqipëri jep mbështetjen e pakufizuar për luftën e drejtë dhe të mbështetur në parimet universale të të drejtave të UCK dhe kërkon pafajsinë për të 4 ish komandantët.

“I drejton kërkesë Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, thuhet nw deklaratw e lexuar nga Hasani.

Me të njëjtin qëndrim edhe bashkëshkruesi i deklaratës, përfaqësuesi i opozitës Tritan Shehu.

“Është detyrë e Kuvendit të miratojë këtë deklaratë, të denoncojë një proces farsë që realizohet në Hagë, duke qenë në krah të atyre që luftuan për liri dhe deri më sot nuk është prezantuar asnjë provë konkrete të atyre që e akuzojnë për krime imagjinare”, tha Tritan Shehu.

Deklarata e miratuar i kërkon qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të bashkëpunojnë ngushtë për të denoncuar fort, përmes një aksioni diplomatik dhe politik në forumet ndërkombëtare, krimet serbe në luftën e Kosovës dhe pafajësinë e ish komandantëve të UÇK.

Deklarata e përbashkët e plotë:

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në ushtrimin e kompetencave të veta kushtetuese dhe në përmbushje të rolit të vet si përfaqësues i vullnetit të popullit shqiptar, shpreh shqetësimin e thellë për kërkesën përfundimtare të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kuvendi i Shqipërisë, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb të Millosheviçit, i cili kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

Për këtë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë deklaron:

1. Mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte luftë e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut.

2. Kërkesën drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cënon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të shndërrohen në mjete për rishkrimin e historisë apo për barazimin e viktimës me agresorin.

3. Kujtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik, krime sistematike kundër njerëzimit dhe akte genocidiale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit.

4. Vlerësimin e lartë për dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes, si Ëesley Clark e James Rubin, të cilët konfirmuan të drejtën e popullit të Kosovës dhe udhëheqësve të tyre për liri.

5. Solidaritetin e plotë me popullin e Kosovës dhe me familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.

6. Angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forume ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës të mos cënohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u bën thirrje institucioneve të shtetit Shqiptar, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe diasporës shqiptare që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtjen e së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe për drejtuesit e luftës së tyre çlirimtare, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u rekomandon qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës të bashkëpunojnë dhe koordinojnë për denoncimin ndërkombëtar të krimeve serbe.

Kjo deklaratë pasqyron vullnetin unanim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe i transmetohet Dhomave të Specializuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Evropian, Asambleve Parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe të gjitha qeverive mike dhe partnere.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:13
Deklarata e përbashkët për ish-krerët e UÇK-së, Balla: Kërkesa për 45 vite burg, një batërdi! Nuk ka paralele mes luftës për liri dhe krimeve serbe

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se ish krerët e UÇK po përballen me 180 vite burg ndërkohë që nuk ka asnjë provë dhe fakt pro tyre. Balla përmendi se janë 12 mijë bijë e bija që iu është marrë jeta, 20 mijë vajza të përdhunuara dhe 1600 të zhdukur dhe ftoji qytetarët ti bashkohen në protestë në datë 17 shkurt.

Në fjalën e tij gjatë seancës plenare, Balla theksoi se qëndrimi i Partisë Socialiste është në “konsekuencë të plotë” me mbështetjen ndaj Kosovës dhe pastërtisë së luftës së saj çlirimtare.

“Në emër të PS dua të shpreh qartazi se kjo deklaratë është në konsekuencë të plotë me PS sa i tako çështjeve që lidhen me Kosovës dhe pastërtinë e Luftës Çlirimtare në Kosovës dhe në arsyet që çuan në krijimin e kësaj gjykatë. Të dashur qytetarë sikur sot të ishte gjallë Adem Jashari sipas këtyre prokurorëve edhe ai duhej të dënohej me 45 vite burg se luftuan për vendin e vet.

Nuk mund të përballen edhe ish-krerët e UÇK, sepse luftuan për vendin e tyre. Edhe Bill Clinton që urdhëroi NATO-n që të ndërhyjë për forcat serbe, i bie që të futet në burg. I bie që këta nuk kanë thënë të vërtetën. Pretenca e ish-krerëve të UÇK është një batërdi e tmerrshme dhe një blatë në vijim të baltave që janë hedhur në këto 27 vite në Luftën Çlirimtare të Kosovës. Luftimet u kanë lënë vend trillimeve se UÇK na paska qenë një grup i strukturuar kriminal. Është një alarm i madh. Nëse ajo gjykatë në fund të këtij procesi i referohet kësaj kërkesë të kësaj prokurorie, i bie që shqiptarët na qenkan vrasës.

Duke qenë të bindur se nuk mund të vendosen paralele mes vrasjes, përdhunimeve dhe genocidit nga serbët dhe paramilitarët e tyre me dinjitetin e UÇK‑së për lirinë, kam një pyetje për prokuroret. Janë 12 mijë bijë e bija që u është grabitur jeta, janë 20 mijë vajza dhe gra të përdhunuara dhe 1 600 njerëz të zhdukur. Po për këta çfarë mund të bëhet dhe si mund të bëhet? Monumenti i errësirës nuk mbron më kaq. Krerët përballen me 180 vjet burg, i hodha edhe unë një sy ndaj të gjithë personave të akuzuar nga makineria e vrasjes serbe dhe nuk gjeta askënd që të kishte një kërkesë me 45 vite burg kur bëhet fjalë për 12 mijë të vrarë, 20 mijë vajza të përdhunuara dhe 1 600 të zhdukur. Vetëm një gjeta ndaj të cilit prokuroria kishte kërkuar 45 vjet burg. Ndërkohë që nuk ka asnjë provë dhe fakt ndaj komandantëve të UÇK‑së.

Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Asamblesë së Këshillit të Europës të shohë vendimin; ne kemi gjetur dokumentin bazë ku është ngritur kjo gjykatë. Ky Kuvend i Shqipërisë është konsekuent me atë që ka thënë ndër vite. Unë mendoj dhe dua ta kuptojmë të gjithë se sa e rëndë është për ne si komb ajo kërkesë dhe dua të ftoj gjithë kombin shqiptar më 17 shkurt të jemi të gjithë në prioritetin”, tha Balla.

Ora 13:57
Gjyqi në Hagë/ Tritan Shehu: Të denoncojmë këtë proces farsë, ish-krerët e UÇK-së luftuan me NATO-n për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb

 

Deputeti Tritan Shehu  tha se kjo rezolutë apo deklaratë e përbashkët kërkon pafajësinë e 4 ish-krerëve të UÇK-së dhe që ndaj tyre të zhvillohet në proces i drejtë në Gjykatën e Hagës.

“Është një betejë e gjatë që PD po bën për të miratuar një deklaratë kudo të dënohet gjenocidi serb në Kosovë dhe ti kërkohet qeverisë të bashkëpunojë me shtetin e Kosovës për denoncimin ndërkombëtar të këtyre akteve kriminale.

Sot ne miratojë një dokument të tillë të rëndësishme që krijuan kushtet për miratimin dhe nga mazhoranca si pasojë e procesit të inskenuar në Hagë ku kërkohet të dënohen ata që luftuan për liri e pavarësi, ata që luftuan së bashku me NATO-n. Ishte kjo luftë që solli deklarimin e pavarësisë së Kosovës nga presidenti Bush. Ishte kjo luftë që beri të mundur krijimin e kushteve për një stabilitet të ri në rajonin tonë si pasojë e shkatërrimit të makinës luftarake të Milloshevic.

Është detyrë e Kuvendit të miratojë këtë deklaratë, të denoncojë një proces farsë që realizohet në Hagë, duke qenë në krah të atyre që luftuan për liri dhe deri më sot nuk është prezantuar asnjë provë konkrete të atyre që e akuzojnë për krime imagjinare”, tha ndër të tjera Shehu.