Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar nga Gjykata Speciale e Hagës me 17 muaj burgim për tentativë pengimi të drejtësisë.

Ai është shpallur fajtor për tentativë për pengimin te personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët, fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës. Gjithashtu është shpallur fajtor për mosbindje ndaj gjykatës.

"Unë ju shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët sipas pikave 1 dhe 2 të aktakuzës. Fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës, sipas pikave 4,5,6 dhe 7. Dhe fajtor për mosbindje ndaj gjykatës sipas pikave 8, 10 dhe 11 të aktakuzës", tha gjykatësi Christopher Gosnell.

Thaçi, e ka kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Speciales dhe nga salla e gjyqit u shpreh se 'Kjo është politikë, nuk është drejtësi'.

“Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër!”, shkruan Thaçi në Facebook.

Bashkim Smakaj është dënuar me 12 muaj burgim. Ai është shpallur fajtor për pengim të personave zyrtarë, për mosbindje të Gjykatës.

“Meqenëse keni kaluar më shumë muaj në paraburgim, ju liroheni”, ka thënë gjyqtari Gosnell.

Në mbi 28 orë regjistrime audio, akuza sipas gjykatës vërtetoi tentativat e Thaçit për të ndikuar dëshmitë dhe pozicionet e dëshmitarëve në procesin kryesor ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndërsa zbuloi edhe informacione së bashku me identitetin e dëshmitarëve të përfshirë. 

Ish presidenti i Kosovës vuan për çështjen e pengimit të drejtësisë një masë sigurie me burg që prej vitit 2024 e cila është konfirmuar në 11 raste deri në shtator 2026 nga Dhomat Speciale.

Në çështjen për pengim të drejtësisë ishin të akuzuar edhe 4 të tjerë. Bashkim Smakaj, ish Drejtor i inteligjencës së Kosovës, u shpall fajtor por dënimi i tij konsiderohet i shlyer për shkak të kohës së qëndrimit në paraburgim.

Isni Kilaj, themelues i UÇK dhe ish-komandant i Njësisë Lumi, akuzohej nga prokuroria për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës u shpall i pafajshëm.

Fadil Fazliu, veteran i UÇK që sipas Prokurorisë ndihmoi grupin që pretendohet se synonte të ndikonte te dëshmitarët, u shpall fajtor me 12 muaj burg, por lirohet për shkak të paraburgimit të gjatë të kryer.

Edhe Hajredin Kuci, ish zv-kryeministër dhe ish minsitër i drejtësisë së Kosovës i cili sipas prokurorisë speciale bashkë me Thaçin kishin arritur marrëveshje për veprime që lidhen me mosbindjen ndaj gjykatës u shpall fajtor, me një dënim prej 1 muaji, dënim që nuk do të kryehet nëse ai nuk bën vepra të tjera penale brenda 1 viti.

Pas vendimit të dytë kundër Thaçit, nga Kosova erdhën reagimet e para. Veteranët e UÇK e cilësuan dënimin të pritshëm por të papranueshëm njëjtë si në rastin e dënimit në shtator për krime lufte.

Nënkryetarja e parlamentit të Kosovës nga PDK, Vlora Çitaku, shpërndau pas dhënies së vendimit një foto të Hashim Thaçit. Ajo e cilësoi dënimin të turpshëm dhe tha se për drejtësinë nuk ka asgjë më shqetësuese sesa kur vendimet që jep të mos befasojnë më.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:26
Vendimi ndaj Thaçit në Hagë, reagon Qeveria e Kosovës: Drejtësia duhet të jetë jo vetëm e pavarur, por edhe e besueshme!

Qeveria e Kosovës ngriti shqetësime për mënyrën se si funksionojnë Dhomat e Specializuara në Hagë, pas shpalljes së vendimit gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në çështjen për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në reagimin e publikuar të martën, ekzekutivi i Kosovës theksoi se respekton pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimet e tij, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të kritikojë mënyrën se si zhvillohen proceset gjyqësore.

Qeveria bëri të qartë se nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Dhomave të Specializuara, duke ngritur sërish shqetësime për mungesën e transparencës, respektimin e të drejtave të palëve dhe garantimin e një gjykimi të drejtë.

“Besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Ora 16:52
Thaçi u dënua me 17 muaj burg, reagon djali i Kadri Veselit: Pështyrje në fytyrë ndaj sundimit të ligjit! Urgjente që ndërkombëtarët të reagojnë

Djali i Kadri Veselit, Klestori, ka reaguar në rrjetet sociale pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Hagës për dënimin me 17 muaj burg ndaj Hashim Thaçit.

Ai shkruan se vendimi është instrumentalizim dhe përdorim i drejtësisë për të diskredituar një figurë historike.

Veseli kërkon reagim nga institucionet ndërkombëtare dhe dënimin e përdhosjes të së vërtetës që po bën Gjykata e Hagës.

“Një pështyrje në fytyrë ndaj sundimit të ligjit. Një instrumentalizim dhe përdorim i drejtësisë si armë për diskreditimin e një figure historike dhe UÇK-së që ai përfaqëson. Është urgjente që shteti t’i inkurajojë institucionet ndërkombëtare të kthejnë sytë në atë që po ndodh në Hagë dhe kjo përdhosje që po i bëhet të vërtetës dhe të drejtës nga ajo gjykatë, të dënohet,” shkruan ai.


Ora 13:31
Pas dënimit të Hashim Thaçit në Hagë, djali i tij Endriti ka një mesazh

“Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër”. Ky është mesazhi i publikuar sot në faqen zyrtare të Hashim Thaçit në Facebook, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, që e dënoi ish-presidentin e Kosovës me një vit e pesë muaj burgim në çështjen për tentim-pengimin e drejtësisë.

Të njëjtën deklaratë e ka shpërndarë në Instagram edhe djali i tij, Endrit Thaçi.

Fjalët e publikuara sot janë pjesë e një deklarate që Thaçi mbajti më 4 prill 2023, para trupit gjykues në Hagë, kur u deklarua i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

“Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm, për të gjitha këto akuza”, tha atëherë ish-presidenti i Kosovës. 

 

Ora 11:17
Gjykata Speciale e dënoi me 17 muaj burg, Thaçi: Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër

1794733195_hashimthaci.png

Foto: Hashim Thaçi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai është shpallur fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, përmes veprimit të përbashkët, si dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Pas këtij vendimi Thaçi ka reaguar përmes një postimi në Facebook.

“Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër!”, shkruan Thaçi në Facebook.

Ora 10:50
Gjykata Speciale shpall fajtor Thaçin, e dënon me 17 muaj burgim (VIDEO)

 

Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor Hashim Thaçin për disa pika të aktakuzës në rastin për pengim të drejtësisë.

Gjyqtari Christopher Gosnell shqiptoi ndaj tij një dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim.

Ora 10:41
‘Ata të pyesin, a të ka thirrur kush’, Gjykatësi: Thaçi paralajmëroi Fadil Fazliun për pyetjet e Prokurorisë (VIDEO)

 

Gjykatësi Christopher Gosnell tha se Hashim Thaçi, gjatë bisedës me Fadil Fazliun, e paralajmëroi atë për pyetjet që mund t'i bëheshin.

“Ata të pyesin: A të ka thirrur kush?”, citoi gjykatësi fjalët e Thaçit.

Sipas Gosnellit, fjala “ata” në këtë bisedë u referohej zyrtarëve të Prokurorisë.

Ora 10:24
Gjyqi ndaj Thaçit dhe 4 të tjerëve për pengim të drejtësisë, gjykatësi lexon akuzat: Organizoi tri grupe për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve (VIDEO)

 

Gjykatësi Christopher Gosnell tha se, sipas aktakuzës, Hashim Thaçi organizoi tri grupe, ku përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, gjatë vizitave të tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Thaçi akuzohet se ishte drejtues ose organizator i secilit grup, me qëllim ndërhyrjen në dëshmitë e dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës, ai u zbuloi vizitorëve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
3.7 / 5 (3 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Hydvjj: 17/11/2026 16:20

    Prokuroret dhe gjykatesit kane mare miliona ,donin te justifikojne,RESPEKTE per kreret e UCK

    Përgjigju
  • fredi: 17/11/2026 10:18

    Vazhdon gjykata sërbe e Hagës,ndyrësira të shitur...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 14 Nëntor, 14:59

    Rama shkarkon Veliaj nga drejtimi i PS-së së Tiranës, si e vlerësoni?