Hahn premtim shqiptarëve: S'ka asnjë dilemë, hapja e negociatave në qershor 2019

Hahn premtim shqiptarëve: S'ka asnjë dilemë, hapja e negociatave në qershor 2019

Johannes Hahn

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë premtoi se Shqipëria dhe Maqedonia do të hapin kapituj të negociatave për anëtarësim në BE në fund të vitit 2019.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhanë leje të kujdesshme për Shqpërinë dhe Maqedoninë, për të hapur negociatat.

Në takimin në Luksemburg, ministrat e Jashtëm të BE-së u pajtuan që dy vendet, në qershor të vitit 2019, të nisin procesin drejt hapjes së negociatave, por me kusht që ato të dëshmojnë përparim në reforma, përpara se të nisin negociatat e vërteta në fund të vitit 2019.

Vendimi u mor me gjithë kundërshtimet fillestare të tre vendeve anëtare: Francës, Holandës dhe Danimarkës.

Kur mund të nisë vlerësimi i përparimit në reforma për Shqipërinë dhe Maqedoninë?

Johannes Hahn: Shpresoj që ka nisur tashmë. Varet nga ne, si Komision, që të pëgatitemi për hapjen e negociatave. Vendimi i së martës i ka hapur rrugë kësaj. Këshilli Evropian, në të njëjtën kohë, ka kërkuar që ne si Komision të nisim menjëherë përgatitjet për procesin e vlerësimit.

Pra, vlerësimi mund të nisë tani, për të gjithë kapitujt, për të dyja vendet?

Johannes Hahn: Po, vlerësimi bëhet për fusha të ndryshme të 33 kapitujve. Bëhen vlerësime se ku është vendi sot në krahasim me ligjet e BE-së. Bazuar në to, ne do ta bëjmë propozimin për të ashtuquajturit standarde, që do të jenë bazë për negociatat për kapituj të ndryshëm.

Është pak e paqartë se kur mund të nisin negociatat e anëtarësimit në BE për të dyja vendet. A mund të na thoni se kur?

Johannes Hahn: Në fakt, ne kemi nisur sot procesin, sepse vlerësimi është pjesë e gjithë procesit. Natyrisht se ka elemente të ndryshme, por me vendimin e së martës, ne, si Komision, kemi marrë dritën jeshile për të nisur punën që do të na mundësojë nisjen e negociatave zyrtarisht në mes të vitit të ardhshëm. Kjo duhet të çojë në konferencën ndërqeveritare, e cila, së paku deri në fund të vitit të ardhshëm, do të duhet të marrë vendim sa i përket hapjes së kapitujve të parë.

Pra, ju jeni të sigurt se kjo do të ndodhë në qershor të vitit 2019, se asnjë vend tjetër anëtar nuk mund ta ndalojë më këtë proces?

Johannes Hahn: Jo, sepse vlerësimi varet nga ne si Komision. Është një detyrë gjithëpërfshirëse, sepse, sipas njerëzve të mi, bëhet fjalë për më shumë se 100 konferenca ku duhet të analizohen elemente të ndryshme. Pra, është një sfidë për qeveritë respektive dhe sidomos administratat.

Qershori 2019 është një muaj pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Çfarë do të thotë kjo?

Johannes Hahn: Ka qenë shumë e qartë të martën se 25 vende anëtare kanë qenë shumë entuziaste. Pra, shumica janë entuziaste për perspektivën evropiane të dy vendeve… Por, prapë, besoj se një vit është kohë e shkurtër për të bërë analiza dhe secili duhet të kontribuojë që kjo të jetë e arritshme.

Cilat kanë qenë argumentet e tre vendeve (Francës, Holandës dhe Danimarkës) që e kanë kundërshtuar afatin e tillë?

Johannes Hahn: E kam thënë edhe të martën, gota gjithmonë mund të shihet gjysmë e mbushur ose gjysmë e zbrazët. Jepni besim, siguri, ose jini skpetikë. Shumica dërrmuese ka qenë në favor të shpërblimit të të gjitha këtyre arritjeve, sidomos të marrëveshjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, por edhe të reformës së gjyqësorit në Shqipëri. Pra, ka pasur mirëkuptim për të shikuar nga një pikëpamje shumë optimiste. Kanë qenë pak vende që kanë qenë skeptike, por në fund të ditës i kemi bindur që të jenë më mendjehapura dhe më optimiste.

Por, me gjithë marrëveshjen midis Shkupit dhe Athinës, a nuk dërgon sinjal të keq kundërshtimi i këtyre vendeve, që mendojnë se ende nuk është bërë mjaftueshëm…

Johannes Hahn: Qytetarët në Maqedoni dhe Shqipëri duhet të shohin nga një perspektivë shumë pozitive. Nuk do të thosha gotë gjysmë e mbushur, por 90% e mbushur. Shumica dërrmuese e vendeve anëtare kanë qenë në favor të njohjes së të gjitha këtyre arritjeve dhe të përkushtimit të liderëve dhe qytetarëve për perspektivën evropiane. Është po ashtu një mundësi e mirë për t’i bindur tri vendet se qasja e tyre skeptike nuk është e justifikueshme.

Si mund të garantoni se e gjithë kjo do të ndodhë, marrë parasysh se në qershor të vitit 2019 ju do të jeni duke pastruar zyrën tuaj, sepse mandati do t’ju përfundojë, dhe në dhjetor kur priten të hapen kapitujt, ju nuk do të jenë më komisionar?

Johannes Hahn: Bëhet fjalë për negociata midis institucioneve – natyrisht se ato udhëhiqen nga njerëz, por mendoj se do të bëjmë gjithçka të mundur. E them se është një afat sfidues kohor, por do të doja të përfundoja atë që kam nisur në fillim të mandatit tim dhe të jap dritën jeshile gjatë kohës sime në zyrë. Kam investuar shumë dhe jam shumë i motivuar për përfundimin e kësaj. Por, e them prapë, bëhet fjalë për bashkëpunimin midis institucioneve, dhe përveç komisionarit përgjegjës, të gjithë ata që janë në bord në korrik, do të jenë në bord në dhjetor.

Premtoni se ju do të jepni dritën e gjelbër përpara se të lini zyrën?

Johannes Hahn: Po.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU