Hakmarrja ndaj Mehmet Shehut:
T'ia zhdukim emrin nga muzetë

Hakmarrja ndaj Mehmet Shehut:<br />T'ia zhdukim emrin nga muzetë
Një urdhër i fundjanarit 1982, dëshmon nisjen e fushatës së spastrimeve në fushën e muzeve të çdo gjurme kujtese që lidhej me emrin e mehmet Shehut, vetëm një muaj pas vetëvrasjes së supozuar të ish-kryeministrit.

Urdhëri i dalë nga Ministria e Arsimit dhe kulturës mban titullin: “Për pastrimin e muzeve nga armiqtë Mehmet Shehu dhe Fiqrete Shehu”.Në këtë shkresë zyrtare jepen udhëzime të hollësishme se si duhej vepruar me fotografitë, dokumentet apo objektet që lidheshin me këta personazhe. Se si ato dokumente e foto që kishin mundësi të retushoheshin të mbaheshin ende nëpër muze, ndërsa të tjerat pa mundësi retushimi të eleminoheshin. Po ashtu në këtë urdhër përfshiheshin edhe lapidarët apo objekte të tjera përkujtimore që lidheshin me emrin e Mehmet Shehut. 

Për të dëshmuar hakmarrjen e paprecendentë të udhëheqësve të regjimit na vjen në ndihmë edhe shkresa e 9 shkurtit ku jepet urdhër që muzeu në shtëpinë e lindjes së Mehmet Shehut në Çorush të Mallakastrës të largohej që aty dhe shtëpia e tij e lindjes të mos ishte më tej as monument kulture. 
Më poshtë i sjellim të dy këto dokumentet të plota, zbardhur sipas origjinalit që ruhet në AQSH.
 
 
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E ARSIMIT DHE E KULTURËS   
                      Sekret
DREJTORIA E KULTURËS                                    Ekzemplar Nr. 1
Nr. 345 Prot.                                             Tiranë, më 25.01.1982
 
 
 
Lënda: Për pastrimin e muzeve nga armiqtë Mehmet Shehu dhe
     Fiqrete Shehu
 
KOMITETIT EKZEKUTIV TË KP TË RRETHIT
(Seksionit të Arsimit dhe të Kulturës)
                                           Gjithë rretheve 
 
     Duke u mbështetur në porositë që jepen në Letrën e KQ të PPSH, nr. 6987, dt. 28.12.1981, lidhur me dënimin e armiqve të Partisë, Mehmet Shehu dhe Fiqrete Shehu, të verifikohen edhe një herë me përgjegjësi, një më një, të gjitha materialet muzeore të ekspozuara në muze dhe të merren edhe këto masa:
     Fotografitë, në rastet kur ekziston mundësia e retushimit dhe kur pjesa që mbetet ka vlera për të pasqyruar denjësisht luftën e popullit, pasi të bëhet me kujdes retushimi i figurave të armiqve, të rivendosen në muze.

     Në ato raste kur në dokumente dhe fotografi këta elementë nuk mund të retushohen, dokumentet të hiqen fare e të zëvendësohen me të tjera, që përputhen me tematikën e ekspozuar, siç porositemi edhe në Letrën e KQ të PPSH. P.sh., të gjitha materialet dokumentare që flasin për luftën e Partisë dhe të popullit, për çlirimin, rindërtimin e vendit, për luftën e Partisë kundër revizionizmit, për Brigadën e Parë, Divizionin e Parë, për luftën për çlirimin e Tiranës e të tjera ngjarje, në asnjë mënyrë nuk duhen të zbehen si pasojë e këtyre ndryshimeve, përkundrazi, këto ngjarje të pasqyrohen sa më mirë e drejtë.

     Me këtë vështrim të trajtohen lapidarët dhe pllakat përkujtimore. Në ato raste kur janë emrat e këtyre elementëve, të bëhen riformulime në tekstet e tyre, ndërsa simbolet që janë ngritur posaçërisht për ta duhet të jenë hequr fare.

     Për realizimin e këtyre porosive duhet të ngrihet një grup pune pranë Seksionit të Arsimit dhe të Kulturës, i cili do të udhëhiqet drejtpërdrejtë nga përgjegjësit. Grupi të veprojë duke u bazuar në studimin e thellë të dokumenteve të Partisë, me qëllim që jo vetëm të mos krijohen boshllëqe në përmbajtje dhe në paraqitje, por përkundrazi, muzetë të pasurohen më tej.
     Për ndryshimet, të sigurohet mbi të gjitha roli udhëheqës i Partisë, prandaj është e udhës të miratohen nga Komiteti i Partisë i Rrethit.
     Theksojmë që, siç ju kemi porositur edhe më parë me shkresën tonë nr. 408, datë 29.12.1981, me këtë vështrim duhen trajtuar të gjitha muzetë dhe shtëpitë-muze në qytet dhe në fshat.
     Për realizimin e kësaj detyre të na informoni deri më 10.02.1982.
 
ZËVENDËSMINISTRI
(Anastas Kondo) (firma)
Konc.: I. Haxhiu (firma); R. Hajro (firma)
Dakt.: S. Përpuja
Dosja 3
25.01.1982
 
 
 
 
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E ARSIMIT DHE E KULTURËS
DREJTORIA E KULTURËS

Nr. 436/1 Prot.                                    Tiranë, më 09.02.1982
 
Lënda: Për muzeun krahinor të Mallakastrës
 
KËSHILLIT TË MINISTRAVE TIRANË
 
    
     Lidhur me muzeun e fshatit Çorrush, Komiteti Ekzekutiv i KE të Rrethit të Fierit, në shkresën nr. 253, dt. 28.01.1982, jep mendimin që ky muze të funksionojë përsëri, mbasi t’i bëhen korrigjimet e pasurimet e duhura.
     Gjithashtu, nga ana e këtij komiteti propozohet që muzeu krahinor të ngrihet në qytetin e Ballshit, gjë për të cilin kërkohet një fond investimesh prej 600 000 lekësh.
     Mendimi ynë është që muzeu krahinor i zonës së Mallakastrës që tani të kalojë në një ndërtesë tjetër të përshtatshme që do të sigurohet nga Komiteti Ekzekutiv i KP të Rrethit të Fierit dhe ndërtesa ekzistuese të mos shfrytëzohet më për muze, por për destinacione të tjera. Ajo, si banesë e armikut të Partisë Mehmet Shehu, të mos jetë më as monument kulture. Muzeu i fshatit Çorrush të ngrihet në një ndërtesë tjetër.
 
 MINISTRI
(Tefta Cami)
     (firma)
Konc.: I. Haxhiu (firma)
Dakt.: P Fortuzi (firma)
Dosja
06.02.1982
 

dokumentat




Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Skandal në Maqedoninë e Veriut, policia heq flamujt e Shqipërisë të vendosur për festat e nëntorit

VIDEO/ Skandal në Maqedoninë e Veriut, policia heq flamujt e Shqipërisë të vendosur për festat e nëntorit