FUSHE- MAMURRAS- Një sasi eksplozivi i është vendosur banesës së Mark Shkretës, i cili u vra më 19 korrik në Tiranë për motive hakmarrjeje. Eksplozivi i është vënë banesës në Fushë Mamurras rreth orës 01:00 të së mërkurës (31 korrik) duke terrorizuar të gjithë banorët e zonës.

Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar pasi shtëpia ka qenë në riparim e sipër dhe nuk banonte njeri. Kati i parë i ndërtesës dy katëshe është dëmtuar shumë, dhe dëmtime në dyer e dritare kanë pasur dhe banesat e komshijve. Një grup ekspertësh hetimorë po punojnë për të zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje, ndërsa një pistë është ajo e hakmarrjes.

71 vjeçari u ekzekutua në Tiranë më 19 korrik dhe policia nxorri një deklaratë ku informonte se vrasja dyshohet se është kryer për motive të hakmarrjes, pasi para 2 muajsh në Mamuras, djemtë e viktimës, i kanë vrarë Jetmir Llanit djalin 9-vjeç, si dhe i kanë plagosur vëllain. Policia dyshon se autori i vrasjes është Jetmir Llanaj. Ky i fundit në një prononcim për A1 Report pat mohuar vrasjen, duke deklaruar se kishte qenë në Athinë ditën kur kishte ndodhur krimi. Ai pat shtuar gjithashtu se kur të hakmerrej për vrasjen e djalit të tij do ta bënte mbi dy fëmijët e Mark Shkretës, Altin dhe Vladimir, të cilët aktualisht ndodhen në burg për akuzën e vrasjes së Indritit 9 vjeçar.
(sg/shqiptarja.com)