Kryetari i bashkisë së qytetit Uruapan në Meksikë, Carlos Manzo, u vra të shtunën e 1 nëntorit, gjatë një incidenti të dhunshëm që ndodhi gjatë festimeve tradicionale të Ditës së të Vdekurve.

Sipas autoriteteve lokale, një grup i armatosur e sulmoi Manzon në mes të një aktiviteti masiv në sheshin kryesor të qytetit.

“Dy persona të përfshirë në sulm u kapën nga autoritetet lokale dhe një tjetër u neutralizua,” njoftoi Sekretaria e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Qytetarëve në Meksikë.

Shteti i Michoacán-it, ku ndodhet qyteti Uruapan, ka qenë për vite me radhë skenë e përplasjeve të dhunshme mes karteleve të drogës që operojnë në rajon, shkruan BBC.

Guvernatori i shtetit, Alfredo Bedolla, e dënoi ashpër atentatin në një postim në rrjetin social X:

“Dënojmë me forcë atentatin e pabesë ku humbi jetën kryetari i bashkisë së Uruapan-it, Carlos Manzo. Dy persona janë tashmë të arrestuar dhe një tjetër është vrarë.”

Bedolla shtoi: “Të gjitha strukturat e sigurisë janë duke punuar për hetimin e menjëhershëm të ngjarjes.”

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, Manzo kishte marrë detyrën si kryetar bashkie në shtator të vitit 2024 dhe një nga angazhimet e tij kryesore kishte qenë denoncimi i pasigurisë që kishte përfshirë disa zona të qytetit.

Në një video të publikuar në qershor, Manzo shihej duke patrulluar së bashku me autoritetet lokale në disa zona të Uruapan-it, ku i bënte thirrje qeverisë federale të vepronte më shumë për të ulur nivelin e dhunës që prekte jo vetëm bashkinë e tij, por edhe të gjithë shtetin e Michoacán-it.

Pak më pak se një javë më parë, u vra me armë zjarri edhe Bernardo Bravo, lideri i bujqve në Michoacán, i cili gjithashtu kishte denoncuar aktet e dhunës që kishin frikësuar komunitetin e fermerëve.

Këto dy vrasje janë pjesë e një liste të gjatë politikanësh dhe liderësh socialë në Meksikë që janë vrarë për shkak të denoncimeve të tyre ndaj dhunës së lidhur me trafikun e drogës.

Këtyre atentateve u shtohen edhe ai ndaj kryetarit të bashkisë së Pisaflores, Miguel Bahena, në shtetin e Hidalgo-s, i cili u vra nga atentatorë me pagesë, si dhe vrasja e dy drejtuesve të tjerë lokalë në jug të vendit në mes të vitit.