Halimi: S'mora dy rroga
Ekspertët e përgënjeshtrojnë

Halimi: S'mora dy rroga<br />Ekspertët e përgënjeshtrojnë
TIRANË – Ministri i drejtësisë Eduard Halimi deklaron se nuk ka marrë asnjë rrogë të dyfishtë nga shtetit, në vitin 2009 kur në bazë të dokumentave zyrtare rezulton se ai ka punuar si Avokat i Shtetit shqiptar, disa muaj pasi kandidoi dhe fitoi si deputet i ardhshëm i Kuvendit.

Në deklaratën zyrtare, e cila shoqërohet me faksimiliet e listëprezencës që vërtetojnë punësimin, ministria e drejtësisë pohon se është paguar për 4 ditët e funksionit e tij si Avokat i Shtetit.

“Z. Eduard Halimi ka ushtruar detyrën e Avokatit te Përgjithshëm te Shtetit, nga data 20.06.2008 me urdhrin nr.78 te Kryeministrit deri ne date 04.09.2009 ku me urdhrin nr. 128 te Kryeministrit ai është liruar nga kjo detyre. z.Halimi është paguar nga Avokatura e Shtetit për muajin shtator ne shumën 34.299 lekë që përbën pagën për 4 dite pune dhe jo 21 ditë punë siç citohet në gazeta”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga ministria e drejtësisë.

Sipas këtij institucioni, pagesa e ministrit Halimi për muajin shtator 2009 nga Avokatura e Shtetit, nga paga e përgjithshme mujore prej 186.120 lekësh, është bërë vetëm për 4 ditë që ka qenë prezent dhe jo 21 ditë, veprim ky i kryer nga zyra e Financës e në zbatim edhe të Urdhërit te Kryeministrit nr.128 dt 04.09.2009.
“Katër ditë pas lirimit me Urdhër të kryeministrit nga detyra, ne date 06.09.2009 ka qene Mbledhja e pare e Kuvendit të ri për legjislaturën e re, datë nga e cila z. Eduard Halimi ka filluar të paguhet si deputet i Kuvendit.
Përsa me sipër, rezulton se z.Eduard Halimi gjatë muajit shtator 2009 nuk është paguar për asnjë minutë të vetme, jo me ditë, me dy paga, por ka ndërprerë pagesën nga Avokatura e Shtetit në datë 04.09.2009 dhe ka filluar funksionet e deputetit të Kuvendit me 8 shtator 2009 nga ku ka filluar të paguhet me pagën e deputetit. Jo vetem qe nuk ka mbivendosje por përkundrazi, ka 4 ditë diferencë ndërmjet ndërprerjes së pagës si Avokat Shteti dhe fillimit të pagës si deputet”, pohon Halimi nëpërmjet deklaratës zyrtare.


KONSITUCIONALISTËT: DEPUTETI U SHPALL NË MUAJIN GUSHT

Të kontaktuar nga Shqiptarja.com disa prej ekspertëve që kanë punuar për hartimin e Kushtetuës dhe ligjeve kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri kundërshtojnë deklaratën e ministrit Halimi.
Ata shprehen se që prej javës së parë të muajit Gusht, pra në 2 gusht të vitit 2009, Halimi zyrtarisht është bërë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Datë kjo, kur KQZ zyrtarisht shpalli rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të 3 korrikut të atij viti. Sipas ekspertëve, njësoj si në rastin e deputetit socialist Ilir Beqja që në këtë moment, pra, kur KQZ ka ligjëruar mandatet, Halimi ka qenë deputet e kësisoj ka hyrë në fuqi papajtueshmëria e funksionit që ai ka ushtruar pranë institucioneve shtetërore si Avokat Shteti.
Çka do të thotë se nisur nga vetë deklarimi që ministri Halimi bëri sot se ka ushtruar këtë detyrë deri më 4 shtator të vitit 2009, vërtetohet se ministri ka qenë edhe deputet edhe Avokat i Shtetit, në kundërshtim me ligjin.

INTERVISTA: NËSE PROVOHET IKI

Ministri aktual i Drejtësisë, Eduard Halimi i gjendur përballë gazetarëve në emisionin "Fakt" të gazetarit Peka në UTV, ka pranuar se ka qëndruar në detyrën e Avokatit të Shtetit, pavarësisht se ka marrë mandatin e deputetit. Ndërkohë që ka mohuar faktin të jetë paguar nga ky institucion, njëherësh me atë të Kuvendit. I gjendur përballë pyetjeve të gazetarëve për faktin se ekziston listëpagesa me emrin e tij si Avokat Shteti ku është paguar 21 ditë për muajin shtator të vitit 2009, vetëm tre muaj pas marrjes së mandatit të deputetit, Halimi tha se s'ka marrë asnjë lek. Ndërkohë që ai është shprehur se nëse vertetohet të ketë marrë para në dy vende do të jepte në moment dorëheqjen nga mandati i deputetit por dhe nga posti i Ministrit të Drejtësisë.

Ju kur morët mandatin nga KQZ si deputet keni vazhduar të merrni rrogën si Avokat i Shtetit, për sa kohë?
Për një gjë kam bërë kujdes nga dita kur kam filluar punë shtetërore dhe kur kam qënë privat. Kur kam qënë avokat, kam qënë në ata pak avokatë, në ato 5 përqind që paguanin tatimet. Nuk paguanin kolegët e mi. Më thonin pse i paguan, unë thoja se duhen paguar.

E keni marrë rrogën si Avokat i Shtetit, kur keni qënë deputet zoti ministër, se kjo do të investigohet?
Nuk kam marrë asnjë lek të vetëm, asnjë euro të vetme, pra zero lek, nga dita kur unë kam filluar punë si deputet. Ka qënë një proces që unë e kam në natyrën time, ndaj fillova ta shpjegoja më parë.

Gazetarët tanë thonë që ju deri më datë 6 shtator 2009 keni marrë rrogën si Avokat i Shtetit dhe jeni paguar nga të dyja funksionet tuaja. Eshtë afërsisht si rasti "Beqja", sa e vërtetë është?
Gazetarët tuaj janë të ftuar që nesër, që në rast se unë në datën 6 shtator, apo në datën pesë shtator, ta marr një ditë përpara që të jenë brenda gazetarët tuaj do të kem marrë lekë nga Kuvendi apo dy lekë nga avokatura atëherë unë në moment, me ndershmërinë dhe profesionalizmin që më karakterizon unë jap dorëheqjen nga mandati.

Dhe nga ministër....?
Nga posti i Ministrit po e po, por dhe nga mandati i deputetit. Pra është një betejë politike. Sigurisht a i kam ushtruar unë funksionet e Avokatit të Shtetit, deri ditën që kam hipur në karriken e deputetit? Patjetër që po, e kam ushtruar. Por nuk marr kurrë dy herë lekë për një punë. Harroje këtë gjë.

Edhe kjo quhet shkelje në konceptin juridik dhe Kushtetues....?
Absolutisht jo. Çdo zv.ministër, çdo zyrtar, çdo ministër, rasti konkret paraardhësi im zoti Xhafaj ka qëndruar në zyrë deri kur ka ardhur ministri tjetër. Dhe unë qëndroj në detyrë derisa vjen pasardhësi tjetër. Por jo për një punë të paguhem dy herë nga shteti, nuk ndodh kjo me mua. Sepse kjo nuk është më çështje etike pastaj, është çështje penale.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë