Halimi sms: Totozani mbron bq...
LGBT: Kërko ndjesë publike

Halimi sms: Totozani mbron bq...<br />LGBT: Kërko ndjesë publike
TIRANE -  Pas publikimit nga TVA1 REPORT! të  komunikit me SMS të Ministrit të Drejtësisë me deputetin e PD Fatos Hoxha ku Halimi përdoror një zhargon banal për Avokatin e Popullit Igli Totozani, duke thënë se ai mbron homoseksualët, LGBT Aleanca kundër Diskriminimit dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Homoseksualëve zhvilloi sot paradite një protestë ku i kërkojnë ministrit të kërkojë ndjesë publike.

Me pankarta në duar ku ndër të tjera shkruhej “Të hapen shkolla riedukimi për politikanët shqiptarë” aktivistë të kësaj aleance thanë se në vende me demokraci normale nëse do të ndodhte një gjë e tillë ministri do të jepte dorëheqjen.

“Një 18 vjeçar vrau veten për shkak të gjuhës e urrejtjes. Qindra djem e vajza të komunitetit përballen me këtë gjuhë të urrejtjes. Duhet të marrim seriozisht pasojat e kësaj gjuhe. Ministri duhet të kërkojë falje publike”- tha Xheni Karaj aktiviste. Ndërkohë që Kristi Pinderi shtoi se në një vend normal një ministër i tillë do jepte dorëheqjen. “Ministri të kërkojë falje publike. Nëse do të kishte minimumin e dinjitetit të japë dorëheqjen”

KARAJ DHE PINDERI NE STUDION E "A1 REPORT!": NUK DO LEJOJME QE POLITIKANET TA HEDHIN LEHTE

"Nuk do të lejojmë më që politikanët ta hedhin lehtë dhe as të genjehemi nga deklaratat e tyre në ekrane, ndryshe nga ç’ndodh në realitet. Ky ka qënë qëndrimi i përfaqësuesve të komunitetit LGBT-së, deklaruar në mbrëmje në studion e “A1 Report!”

Xheni Karaj tha se “në fokus të protestës sonë sot nuk ishte vetëm ministria, por tërë shoqëria, tërë ata të rinj që e vuajnë këtë. Në po të njëjtën ditë që ju botuat shkrimin për ministrin Halimi, u botua edhe vetëvrasja e një djali 18-vjeçar, i stigmatizuar nga shoqëria. Unë vetë jam pjesëtare e komunitetit dhe e di se ç’do të thotë të fyhesh, të poshtërohesh dhe ne nuk do lejojmë që këta njerëz pse kanë pushtet, ta hedhin lehtë.

Kristi Pinderi, i ftuar në studio për të komentuar protestën e sotme para ministrisë së Drejtësisë, tha nga ana e tij se “ky lloj komunikimi i politikanëve tregon se ata kërkojnë të jenë korrektë vetëm kur dalin në ekrane, ndërsa jashtë, për ta kjo nuk ka rëndësi. Ne jetojmë në Shqipëri dhe e dimë shumë mirë se si është situata, kur ka qindra të rinj që e vujnë stigmën në shoqëri. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe vetë lëvizja jonë po piqet e po rritet në këtë drejtim. Ne po kuptojmë se cilat janë batutat për të tërhequr vëmendjen e opinionit dhe cilat janë ato për të kaluar një situatë.

Kjo qeveri ka hartuar një strategji kundër diskriminimit në shëndetësi dhe fusha të tjera. Ajo që është e rëndësishme është se ne po ndihmojmë politikanët që të kenë në vëmendje, LGBT-në dhe nuk gënjehemi nga deklaratat.

Disa ditë më parë, u botua në një të përditshme, edhe një shkrim i Artan Lames, që për mendimin tim është skandaloz, sepse vjen nga një personazh që ne e vlerësonim, por që nuk I dhamë rëndësi, sepse nuk kemi dashur ta identifikojmë qëndrimin e tij personal me atë të PS-së", përfundoi Pinderi.

HALIMI SMS DEPUTETIT: TOTOZANI MBRON BQ....,LAJMI U PUBLIKUA DJE NE SHQIPTARJA.COM e TV A1 REPORT

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi në një komunikim me SMS me deputetin e PD Fatos Hoxha ka përdorur një zhargon banal për Avokatin e Popullit Igli Totozani, duke thënë se ai mbron homoseksualët. Mesazhi është kapur nga kamerat televizive.

Dy figura të rëndësishme politike siç është ajo e ministrit të Drejtesisë Eduard Halimi dhe deputeti demokrat Fatos Hoxha janë zhveshur nga serioziteti që të jep kostumi dhe kollarja e politikanit vetëm një ditë më parë në komisionin e ligjeve gjatë një komunikimi mes tyre me mesazhe.

Kamera e TVA1 REPORT! ka fokusuar zhargonin e përdorur mes dy personaliteteve ndërsa ironizojnë figurën e Avokatit të Popullit dhe kauzën që ai mbron. Igli Totozani gjatë seancës në Komisionin e Ligjeve ka shprehur propozimet e tij për ndryshimet dhe shtesat në Kodin Penal sa i takon të drejtave të homoseksualëve dhe dënimin e homofobeve.

Por falenderimet e Totozanit ndaj personave që kanë punuar për paketën e ndryshimeve në Kod kanë sjellë dhe talljen e dy bashkëbiseduesve Halimi-Hoxha. Deputeti demokrat Fatos Hoxha i shkruan ministrit të Drejtësisë përmes “sms” me fjalët “po month, por 6 herë tha falenderoj”, duke iu referuar fjalës falenderuese të Totozanit drejtuar deputetëve për paketën ligjore.

“Ca thua ti more, ai mbron bq mos e thuaj shumë se do na hapen llafe” kështu i shkruan me “sms” ministri i Drejtësisë Eduard Halimi deputetit demokrat Hoxha, edhe pse nuk ka qenë vetë prezent në sallën e Komisionit për mbështetjen që Avokati i Popullit i jep këtij komunitetit duke qëndruar kështu në linjën e atyre që janë kundër homoseksualëve.

Këto janë ‘sms’ që kanë shkembyer dy personalitet të cilat janë kapur nga kamera në telefonin e “Backberry” të deputetit Fatos Hoxha. Fjalë të cilat nuk janë të denja as për zhargonin e njerëzve të rrugës, e jo më pjesë e fjalorit të dy deputetëve, njëri prej të cilëve i dubluar dhe me postin e ministrit të Drejtësisë, që pagën e merr për të bërë drejtësi.

Kjo nuk është hera e parë që fotoreporterët kapin biseda mbi çështje të ndryshme. Kujtojmë këtu ‘sms’ që Hysen Osmanaj, anëtar i KQZ i drejtohej në atë kohë sekretarit organizativ Flamur Nokës në zgjedhjet e 2011.

Redaksia Online
(ar.sh/b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

‘Lutem të jetë e gjatë dita dhe e shkurtër jeta’/ Flutura Açka ndan mesazhin e ndjerë për mungesën e të birit

‘Lutem të jetë e gjatë dita dhe e shkurtër jeta’/ Flutura Açka ndan mesazhin e ndjerë për mungesën e të birit