Në vëllimin e parë të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare, në faqen 486 të kapitullit “Lufta politike për demaskimin e “Ballit Kombëtar”, pranohet se: “Bashkëpunimi i drejtpërdrejtë i “Ballit Kombëtar” me pushtuesit u kurorëzua me një “protokoll nderi” që u nënshkrua më 15 mars 1943, nga Ali Këlcyra e Nuredin Vlora, në emër të Komitetit Qendror të “Ballit” dhe nga Renco Dalmaco, në emër të komandës eprore të trupave pushtuese italiane. Me anë të këtij dokumenti ballistët merrnin përsipër detyrimet (sic) që vijojnë:
“1.Ne sigurojmë, duke marrë çdo përgjegjësi, shkëlqesën Dalmaco, komandant epror i fuqive të armatosura të Shqipërisë se asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë jugore...;
2. Ne japim fjalën tonë të nderit se do të përdorim gjithë ndikimin tonë për të ndaluar...sulmet dhe aktet e sabotimit që mund të kryheshin eventualisht nga elementë armiq;
3. Ne e ndjejmë veten të detyruar të zhvillojmë propagandën e duhur për të ndaluar dezertimet e reja të ushtarakëve, për të inkurajuar rekrutime të reja në ushtri dhe për të siguruar që dezertorët të kthehen sa më shpejt ndër repartet operative”.
Këtë fragment të shkëputur prej Protokollit të Nderit autorët e vëllimit të parë të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare shënojnë se e kanë marrë prej origjinalit që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit.
Për të vënë re se prej lëndës së vërtetë janë shkëputur në mënyrë të gjymtuar fragmentet më të prira për interpretime të shumëkuptimshme, po paraqesim një tekst që qarkullon si variant shumë më afër të vërtetës.
“Protokoll Nderi
Komandanti i Armatës IX, gjeneral Renzo Dalmazzo, me cilësinë e kryekomandantit të trupave italiane në Shqipëri dhe z. Nuredin Vlora e
Ali Këlcyra, si përfaqësues të lëvizjes nacionaliste shqiptare, me qëllim që të reshtin katastrofën dhe plojën nga të dyja anët, të pashmangshme gjatë një operacioni në shkallë të gjerë, vendosën, me miratimin edhe të qeverisë së Tiranës, të nënshkruajnë protokollin e mëposhtëm:
1-Të dy delegatët e lëvizjes nacionaliste i deklarojnë nën përgjegjësinë e tyre personale kryekomandantit të trupave italiane se asnjë kryengritje e përgjithshme nuk do të ngjasë në Shqipëri brenda kohës kur protokolli do të jetë në fuqi.
Ky angazhim do të jetë i vlefshëm, me kushtin që trupat fashiste të lëvizin me mjetet e transportit vetëm nëpër rrugët kombëtare dhe të shmangin depërtimin në zonat e brendshme të vendit ku janë vendosur forcat e rezistencës.
2-Do të shihet si kryengritje e përgjithshme lëvizja në të cilën do të marrë pjesë shumica e popullsisë së katër krahinave të Jugut të Shqipërisë.
3- Të dy delegatët nacionalistë, në rast të aksioneve të forcave komuniste kundër trupave italiane, kërkojnë që ndjekja dhe masat ndëshkimore kundër tyre të kufizohen në pesë kilometra nga të dyja anët e rrugës, për të shmangur kështu dëmtimet dhe vuajtjet e popullsisë, pa dallime ideologjike, nga veprimet e komunistëve.
4- Ky protokoll do të jetë i vlefshëm vetëm për dy muaj, kohë e mjaftueshme për qeverinë për të kryer detyrën e saj ndaj vendit.
Për këtë qëllim, është i domosdoshëm zëvendësimi i armës së karabinierisë me xhandarmërinë shqiptare, të organizuar e armatosur më së miri, dhe krijimi i një ushtrie të pakët në numër e të rekrutuar nga gjiri i popullsisë kosovare”.
Siç rezulton nga krahasimi i të dy teksteve referues si lënda e vërtetë e bocet Protokollit, hartuesit e vëllimit të parë të historisë së Luftës
Nacionalçlirimtare i paraqitën opinionit publik vetëm ato pjesë, të cilat qenë të favorshme për trupat pushtuese italiane. Fragmentet që shkonin në dobi të Shqipërisë, madje edhe të vetë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, i censuruan.
Ndërkaq një muaj më pas nga këto përpjekje të Ali Këlcyrës dhe Nuredin bej Vlorës për një marrëveshje që ta ndalte apo kufizonte operacionin ndëshkimor italian, ky nuk u praps. Nisi me tërë forcën e vet në 25 prill 1943 në Shqipërinë e jugut, veçanërisht në hapësirën më përvëluese Vlorë-Gjirokastër.
Trupat pushtuese të divizionit “Parma”, shoqëruar në qiell edhe nga avionë vëzhgimi, lëvizën të motorizuara dhe me shumë mjete të blinduara, në katër drejtime kryesore. Pas pesë ditësh me veprime të egra shtypëse, kur e gjykuan se e patën përfunduar detyrën e frikësimit të popullsisë civile, u tërhoqën prej nga ku qenë nisur (Vlorë, Gjirokastër, Sarandë).
Gjatë reprezaljeve u dogjën shumë shtëpi dhe kush u dilte përpara arrestohej menjëherë. Ishte ushtria që hapte rrugën për milicinë, e cila vinte pas saj. Qe kjo e fundit që kryente terrorin.
Vetë Enver Hoxha shkruan
Siç Enver Hoxha shkruan në librin e tij të kujtimeve “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, në dhjetëditëshin e fundit të gushtit 1944, “kur ndodheshin në Labinot, në një mbledhje të tij Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar e hodhi poshtë marrëveshjen oportuniste të Mukjes dhe vendosi që Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare, për të cilën tani thuajse ishin bërë përgatitjet e duhura, të fillonte punimet më 4 shtator”.
Pak më tej: “Pikërisht né këtë periudhë përgatitore të Konferencës së Dytë Nacionalçlirimtare, ose pak më parë, nëpërmjet shokëve të Tiranës na vjen një ftesë nga Ali Këlcyra, i cili na komunikonte për një mbledhje të “Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë”.
Në vijim të menjëhershëm: “Në prag të Konferencës sé Labinotit, pra, né kohën kur Ali bej Këlcyra na ftonte né “komitet”, ne kishim shtënë né dorë një dokument të ri të tradhtisë sé tij dhe të Ballit Kombëtar. Ky ishte “protokolli” i turpit, që Ali Këlcyra kishte nënshkruar né hotel “Dajti” me gjeneralin Renco Dalmaco, ku merrej zotim i hapur bashkëpunimi i ballistëve me trupat fashiste.
Ishte e qartë se ç'përgjigje do t'i jepej ftesës sé Ballit Kombëtar, megjithatë lajmërova edhe shokë të tjerë që ndodheshin ato ditë né Labinot. Nuk thirra ndonjë mbledhje të veçantë për këtë çështje, por shfrytëzova një rast kur në dhomën ku punoja, ishin mbledhur disa shokë. Më duket se qenë Spiro Moisiu, Nakoja, Omer Nishani, që kishte ardhur ato ditë pranë nesh, mbase edhe ndonjë tjetër. U tregova për ftesën e Ali Këlcyrës dhe u thashë:
-Ashtu siç e kemi vendosur, do t'i shkruaj Hysenit (Pseudonimi i shokut Gogo Nushi, në atë kohë sekretar politik i Qarkorit të PKSH për Tiranën) t'i bëjë edhe njëherë të qartë Ballit Kombëtar se për Mukjen dhe për të ashtuquajturin Komitet për Shpëtimin e Shqipërisë as duhet folur e jo më të marrim pjesë né të. Besoj se jemi të një mendjeje.
Të gjithë shokët ranë dakord”.
Pse u mbajt fshehur dokumenti origjinal i Protokollit?
Gjatë gjithë një gjysmë shekulli, edhe pse në vitin 1975 e deklarojnë se dokumenti autentik ndodhej në Arkivin Qendror të Shtetit, ai nuk u paraqit kurrë i fotografuar, pra si faksimile. Kjo ngjau edhe kur në vitin 1950, në pikun e ndeshjes me shtetet e Perëndimit, Tiranës zyrtare iu desh të shpërthente një fushatë të furtunshme për të denoncuar persona dhe forca politike të arratisura, të cilat po merrnin pjesë mjaft aktivisht në një operacion disavjeçar për rrëzimin me armë të regjimit të drejtuar nga Enver Hoxha dhe të mbështetur fuqishëm nga sovjetikët.
Me këtë rast ajo, nën mbititullin “E vërteta mbi tradhëtorët e atdheut”, botoi me tirazh shumë të lartë librin “Organizatat tradhëtore “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti”. Në këtë publikim mes të tjerash shkruhet: “Disa ditë me radhë para nënshkrimit të protokollit u zhvilluan bisedime midis krerëve të Ballit dhe autoriteteve italiane të pushtimit me pjesëmarrjen e kryeministrit kuisling Maliq Bushati e ministrave të tij. Këto bisedime u mbyllën me një mbledhje që provokoi Maliq Bushati në Hotel “Dajti” më 6 mars 1943, në të cilën merrnin pjesë si përfaqësues të ushtrisë italiane gjeneral Renco Dalmaco (Dalmazzo), komandant i përgjithshëm i fuqive të armatosura italiane në Shqipëri,gjeneral Tuci (Tuzzi), shef i shtatmadhorisë së forcave italiane në Shqipëri etj.
Nga ana e Ballit Kombëtar ishin të pranishëm anëtarët e Komitetit Qendror të tij Ali Këlcyra, Kol Tromara, Nuredin Vlora si edhe eksponentë të tjerë të Ballit si Sejfi Vllamasi etj. Në këtë mbledhje qeveria kuislinge, përveç kryeministrit M. Bushati, përfaqësohej nga Javer Hurshiti e tradhtarë të tjerë”.
Libri i mësipërm konsiderohet më i plotësuari për atë kohë me dokumente origjinalë, sigurisht të vendosur sipas teknikave të interpretimit të njëanshëm dhe të manipulimit të opinionit. Për të dhënë përshtypjen e një botimi mjaft të dëshmuar me fakte ai është i mbushur me pamje të drejtpërdrejta, në pak raste tërësore dhe në të shumtën e herëve të pjesshme, të lëndës burimore të informacionit.
E megjithatë Protokolli Dalmaco-Këlcyra mungon. Nuk ka asnjë pamje të tij, qoftë edhe në dy-tre centimetra.
Në vëllimin e parë të librit akademik “Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar” thuhet me këmbëngulje se “Para nënshkrimit të Protokollit u zhvilluan bisedime prej disa ditësh midis krerëve të “Ballit Kombëtar” dhe autoriteteve italiane të pushtimit, u bënë pritje dhe përcjellje zyrtare, me pjesëmarrjen e kryeministrit tradhtar Maliq Bushati e të ministrave të tij. Katër anëtarë të Komitetit Qendror të “Ballit” me Ali Këlcyrën në krye, qenë të pranishëm në pritjen që dha M.
Bushati për gjeneral Dalmacon në 6 mars dhe në pritjen që dha Dalmacoja për M. Bushatin, pas tri ditësh. Kolë Tromara, anëtar i Komitetit Qendror të “Ballit Kombëtar” ngriti një dolli për Viktor Emanuelin III.
M. Bushati nuk e fshihte qënien si anëtar i “Ballit”. Për emërimin e tij si kryeministër, Jakomoni, sipas pohimit që ka bërë vetë, mori për bazë propozimin e ballistëve.
Ky ishte njëri nga shpërblimet që merrte udhëheqja e “Ballit” prej pushtuesve për detyrimet kundrejt tyre.
Shpërblime të tjera ishin vendimet e autoriteteve pushtuese për t’u njohur të drejtën borgjezisë reaksionare dhe çifligarëve shqiptarë të krijonin një “ushtri shqiptare” dhe një “gjindarmëri shqiptare”.
“Balli Kombëtar” ushqente shpresa të mëdha se me anë të “ushtrisë” e të “gjindarmërisë” , ku mendonte të zinte pozita të forta, do të siguronte pushtetin politik, kur të mundej Italia.
Ç’nuk bënë ballistët për të krijuar “ushtrinë shqiptare” dhe “gjindarmërinë shqiptare”! Mirëpo reaksionarët shqiptarë s’ia arritën dot qëllimit. Ushtria s’u formua, për shkak se rinia nuk pranonte të kryente shërbimin ushtarak. “Gjindarmëria” u nda më vete nga karabinieria italiane vetëm formalisht. Por ajo u shthurr dhe u prish përpara kapitullimit të Italisë”.
Gjykime të të tjerëve. Akademia e Shkencave e Shqipërisë: veprim tradhtar
Studiuesi Kastriot Dervishi në librin e tij gjerësisht të dokumentuar “Historia e shtetit shqiptar, 1912-2005” ka mendimin se “Më 15 mars 1943, në kushtet e sjella nga qeveria e re e Maliq Bushatit, dy anëtarë të Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar si Ali Këlcyra dhe Nuredin Vlora, u përfshinë në projektin e një marrëveshjeje armëpushimi me komandantin e forcave të armatosura italiane në Shqipëri, gjen.
Renzo Dalmazzo, në të cilin ata zotoheshin se asnjë kryengritje nuk do të ndodhte në jugun e Shqipërisë derisa të përfundonte organizimi i xhandamërisë, të cilën e quanin një fitore të madhe.
Është mëtuar se kjo dhe disa të tjera ishin projekte marrëveshjesh. Në të vërtetë “marrëveshja” që është bërë e njohur nuk gjeti asnjë zbatim. Edhe jeta e shkurtër e qeverisë Bushati mund të ishte njëri prej këtyre shkaqeve”.
“Në lidhje me këtë, vijon interpretimin e tij Dervishi, shumë vite më pas, drejtuesi i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji, do të shprehej se nënshkrimi i këtij pakti ishte “një përrallë, një legjendë”. Sipas tij “Këlcyra mund të kishte edhe gjëra të tjera, po ishte i papërmbajtur dhe merrte iniciativa të kota”. Ermenji mbron pikëpamjen se Ali Këlcyra kishte vepruar në nisma vetiake dhe nuk kishte pasur mandat për të biseduar”.
Tek libri i Tanush Frashërit kushtuar Ali Këlcyrës “Aristokrati kuqezi” shkruhet: ”Më 4 mars 1943, Maliq Bushati, shtron një drekë intime për një rreth të ngushtë miqsh prej katër të ftuarish, ku gjenden gjeneral Dalmazzo, N. Vlora dhe A. Këlcyra. Dy ditë më vonë bisedohet normalisht dhe konkretisht.
Dalmazzo shkruan se “nacionalistët ekstremistë” nënvizuan pëlqimin e tyre “të marrin kontakt me karakter politik me autoritetet ushtarale në vend të autoriteteve politike kopetente”…
Kurse Këlcyra, anëtari më potent i nacionalistëve, vazhdon t’i përmbahet rrugës së tij që: “Programi i nacionalistëve shqiptarë është ’Shqipëri e shqiptarëve”. Nga ana tjetër, vazhdon të mëtojë se “synimet tona nuk kufizohen vetëm me rimëkëmbjen e xhandarmërisë dhe të ushtrisë me karakter tërësisht kombëtar…
Bashkëpunimi nuk zë fill nga një orientim i vetvetishëm psikologjik, por vetëm nga detyrimi moral për të ndalur pushtimin e Shqipërisë së jugut nga ana e trupave bullgare ose sidoqoftë të pengojë gjakderdhjen dhe rrënimet që do të shkaktojë operacioni i paralajmëruar i policisë..”
Kjo bën që të ketë shumë keqkuptime, ndërsa përfaqësuesit e Ballit premtojnë të përpilojnë një projekt-deklaratë të re në mbledhjen tjetër. Ali Këlcyra paraqiti bocën me titull “Protokoll- Nderi”…”
Ndërkaq në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” të vitit 2008, botim i Akademisë së Shkencave, zëri për Protokollin Dalmaco-Këlcyra” shpjegohet “Dokument që u nënshkrua në Tiranë më 15 mars 1943...” dhe “Me nënshkrimin e këtij dokumenti krerët e B.K. u zhytën më tej në rrugën e bashkëpunimit e të bashkërendimit të veprimeve me pushtuesit italianë kundër Lëvizjes ANÇ të popullit shqiptar”.
Italianët thonë
Kur tekstet informues të vendit të vet paraqitin shkurtimisht jetën e Renco Dalmacos (Lorenzo "Renzo" Dalmazzo), vënë në dukje se ky ushtarak në vitet 1925-1926 ka shërbyer si shef i Trupave Mbretërore Koloniale Italiane në Somali. Gjatë luftës së Etiopisë kishte komandën e Divizionit 2-të Eritresë.
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore ushtroi detyrën e komandantit të Armatës XXI. Ishte po ai që në pushtimin e Jugosllavisë qe në krye të Korparmatës VI dhe u shqua në arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me çetnikët.
“Në vitin 1943, thuhet në këto paraqitje, ishte në Shqipëri si komandant i Armatës së 9-të. Këtu ai siguroi bashkëpunimin e Ali Këlcyrës të organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar për të luftuar rezistencën komuniste”.
Historishkruesi jugosllav Vladimir Dedijer sulmon Ali Këlcyrën, Françesko Jakomoni ia hedh poshtë
Në vitin 1949, i përkthyer në italisht, u botua libri i biografit të mëvonshëm të Titos, por njëkohësisht edhe historishkrues i Jugosllavisë komuniste, Vladimir Dedijer. Titullohej “Il sangue tradito”. Nëntitulli ishte “Relazioni jugoslavo-albanesi 1938-1949”. Si botues vetëidentifikohej “Editoriale Periodici Italiani”. Kjo shtëpi botuese shtypshkronjën e kishte në Vareze.
Me shkronja fare të vogla në ballinë të librit u vendos edhe ky tekst: “Dokumente zyrtare, letra, fotografi, kujtime të koordinuara dhe të përpunuara nga Vladimir Dedijer”.
Në faqen 78 të tij thuhej “Njëri prej drejtuesve të Ballit Kombëtar, Ali bej Këlcyra, firmosi, në emër të organizatës së vet, në mars 1943, një marrëveshje me komandantin italian Dalmaco për një bashkëpunim në luftën kundër partizanëve”.
Jo pak i shqetësuar nga kjo akuzë, e cila mund t’ia ndërlikonte qëndrimin e tij në vendet demokratike të Perëndimit, por edhe duke parë që libri tërhoqi vëmendje të botës politike italiane, Ali Këlcyra kreu një veprim të shpejtë. Përderisa Tiranën zyrtare nuk e mundte dot dhe ca më tepër atë të Beogradit, sepse zotëronin makineri të fuqishme propagandistike, ia dërgoi librin, të shoqëruar me një letër, gjeneralit Renco Dalmaco.
Ky e lexoi dhe i dërgoi këtë letër:
Romë, 19 maj 1950
(Zotit) Ali bej Klisura
(via)Garigliano 65/10 Roma
U njoha me veprën që më dhatë “Gjaku i prerë në besë” të shkruar nga z. Vladimir Dedijer. Më kujtohet shumë mirë që Ju e z. Nuredin Vlora m’u paraqitët nga Shkëlqesia e Tij Maliq Bushati, atëkohë kryeministër i Shqipërisë, si eksponentët e përfaqësuesit e rrymave nacionaliste shqiptare.
Ai takim, zhvilluar ditët e para të majit 1943, kishte për qëllim, sipas Bushatit, të shqyrtonte mundësinë e një modus vivendi në mes të Komandës sime dhe formacioneve partizane nacionaliste me qëllim që të rreshtnim gjakderdhjen nga të dyja anët.
Acarimi i gjendjes së brendshme dhe rrethanave të natyrave të ndryshme, na detyruan ta lëmë mënjanë këtë projekt pa pasur asnjë mundësi zbatimi e kurrën e kurrës të shprehej me shkrim ose konkretisht të protokollohej.
Prandaj domosdo kam të drejtë të deklaron se pohimet e z. Dedijer janë të pathemelta.
Gjeneral Renzo Dalmazzo
Ish-komandant i Armatës 9
(Komanda Eprore e Forcave të Armatosura në Shqipëri)”
Poshtë letrës ishte firma.
(Vijon)
Ylli Polovina
Fotot shoqëruese: 01. Letra e Françesko Jakomonit kundër Vladimir Dedijer, 02. Ali Këlcyra me të shoqen në mërgim, 03. Fragmenti nga libri i Dedijer, 04. Ballina e librit të Vladimir Dedijer.
dy.b/shqiptarja.com