Hana: Ndryshimet në financimin
e spitaleve dhe të mjekëve

Hana: Ndryshimet në financimin <br />e spitaleve dhe të mjekëve
Spitale të cilave do t’iu rishikohet statusi aktual, performancë dhe cilësi shërbimi, si edhe ndryshim total i mënyrës së financimeve. Gjithashtu edhe personeli shëndetësor i spitaleve do të stimulohet dhe vlerësohet në bazë të perfomancës dhe cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve. Këto janë disa nga objektivat kryesore që po studiohen dhe do të vijnë si risi në sistemin spitalor. Drejtoresha e institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana në intervistën për gazetën “Shekulli” shpjegon me detaje studimin që po realizohet me ekspert të huaj për përmirësimi e metodave të pagesave të spitaleve si edhe rritjen e cilësisë ndaj pacientëve. Ndërkohë ajo shpjegoi arsyet se përse metodat aktuale të financimit të spitaleve janë të dështuara.

Zonja Hana, tashmë flitet se po studiohen forma të reja për financimin e spitaleve që do të jetë ndryshe nga financimi aktual. Mund të na shpjegoni më konkretisht rreth këtij kësaj reforme?

Në fakt po bëhet studim i detajuar me mbështetjen e ekspertëve të huaj sa i takon financimit të spitaleve. Te spitalet do të matet aksesi që kanë ato në popullatë. Kjo do të thotë se do të rishikohet statuti që kanë disa spitale. Nëse një spital ka pasur performancë të dobët duke shfrytëzuar shtretërit në një nivel të dobët, sepse ka edhe spitale që e kanë shfrytëzimin e shtretërve 20% atëherë këto spitale nuk do ta humbasin funksionin e tyre por do të quhen klinika me shërbim 24 orë dhe do të financohen si të tilla. Pra nuk mund të financohen siç ka ndodhur deri më sot njësoi si një spital i cili është terciar dhe shfrytëzimi i shtretërve është rreth 80% me një spital që ka shfrytëzim shtretërish 20%. Kuptohet që ne jemi në fazën e studimit të gjithë spitaleve në vend dhe kjo reformë nuk bëhet sot për nesër, por sigurisht që do kohën e saj mbase 4 deri në 5 vjet.

Po sa i takon personelit të spitaleve a do të ndiqni të njëjtën praktikë si në poliklinika që stimuli financiar dhe puna e tyre do të matet në bazë të performancës që kanë në punë?

Detyrimisht që edhe performanca e mjekëve do të jetë në qendër të vëmendjes. Personeli shëndetësor është pjesë e rëndësishme e reformës. Kjo do të ketë lidhje jo vetëm me numrin e pacientëve por edhe me cilësinë e shërbimit që ata do të kenë ndaj pacientëve. Ne me personelin e poliklinikave tashmë kemi eksperiencë të suksesshme të stimulit financiar të mjekëve në bazë të elementëve të performancës që ata kanë. Pa diskutim që në një fazë të caktuar edhe me mjekët e spitaleve do të studiohet dhe shikohet një praktikë e tillë.

Më konkretisht cilat defektet e metodave aktuale të financimit të spitaleve që solli idenë e ndryshimit të këtyre financimeve?

Metoda aktuale e pagesës në spitale që bazohet ne buxhetin historik të shoqëruara me mungesën e autonomisë spitalore dhe nivel jo të mirë menaxhimi është faktor pengues për stimulimin e ofruesve në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe për rrjedhoje nuk stimulon ofrimin e shërbimeve eficiente dhe me kosto efektivitet. Kjo lloj metode në të njëjtën kohë nuk rrit besueshmërinë e popullatës dhe të pacienteve tek sistemi jonë shëndetësor dhe gjithashtu nuk favorizon një shpërndarje të drejtë të burimeve financiare të bazuara në performancë, në nivele spitalesh apo në popullsinë në cilën ato shërbejnë. Nga monitorimi i kontratave me spitalet ne vërejmë se një sëre treguesish të tjerë të aktiviteteve spitalore siç është shfrytëzimi i shtratit apo mos-ofrimi i shërbimeve për të cilat spitalet financohen janë në një nivel të ulët. Kështu, kjo metode financimi nuk i stimulon spitalet që të jenë të interesuar në ofrimin e shërbimeve eficiente dhe produktive.

Për studimin e ri të financimit të spitaleve po shikoni ndonjë praktikë të vendeve të tjera dhe cilat konkretisht?

Në vendet e Europes Qendrore e Lindore reformat në metodat e pagesave kanë qenë shumë vendimtare në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve spitalore, në rritjen e aksesit të popullatës dhe në mbajtjen e kostove të shërbimeve në një nivel kontrolli të kënaqshëm. Gradualisht shërbimet spitalore në këto shtete kanë kaluar nga pagesat me buxhet historik në pagesat me buxhet global, për ditë-qëndrim apo për shërbim dhe në vitet e fundit vërehet nje zhvendosje në metoda me efikase siç janë ato të pagesave për rast apo për grupe diagnozash ku më e spikatura është metoda e DRG e kombinuar në shume raste dhe me buxhet global. Nisur nga këto eksperienca në vendeve të ndryshme, nga sukseset e këtyre reformave, nga situata e shërbimit spitalor në Shqipëri dhe faktorë të tjerë, ajo që rekomandohet jo vetëm nga ne, por edhe nga shumë specialistë dhe ekspertë të huaj është që pa humbur kohë Shqipëria duhet të ndryshoje metodën e pagesave në spitale duke hequr dore nga buxhetimi historik.



Hana: Ja ndërhyrjet kryesore për reformimin e pagesave

Për të pasur efekte maksimale tek shërbimet ndaj popullatës, reformimi i metodave të pagesave në kushtet e sistemit tonë kërkon patjetër që të shoqërohet dhe me ndërhyrje të tjera ku ndër më thelbësoret drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana rendit 6 pika.

1. Hartimin e politikave koordinuese midis aktorëve të ndryshëm të përfshira në politik-bërje duke ruajtur balancat midis tyre dhe duke i bërë funksionet e gjithsecilit të qarta

2. Rritjen e shkalles se autonomisë duke aplikuar qasje bashkëkohore për drejtimin e spitaleve

3. Përmirësimi i sistemit të monitorimit të produktivitetit të ofruesve të shërbimeve

4. Rishikimi i hartës së kujdesit spitalor duke hartuar dhe zbatuar një plan-master për sistemin e shpërndarjes së shërbimeve, burimeve dhe investimeve në baza racionale me qëllim përmirësimin e aksesit dhe të cilësisë së shërbimeve.

5. Investime me te mëdha ne sistemet informatike qe ti përgjigjen ndryshimeve ne metodat e pagesave dhe qe te jene ne shërbim direkt te ofruesve dhe te pacienteve

6. Forcimin e kapaciteteve menaxheriale të ofruesve duke e decentralizuar atë dhe realizimin e një startegjie për rritjen e transparencës dhe të përgjegjshmërisë së ofruesve ndaj mënyrës së ofrimit të shërbimeve. shekulli/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza