TIRANE - Ngjyrat e Klik Ekspo Group pushtuan dje Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nenë Tereza”. Festa e biznesit, nën logon e Klik Ekspo Group, shpertheu me të gjithë elementet e saj dje në ngritjen e siparit të Edicionit të 21-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, zv.ministri i Zhvillimit Urban dhe Turizmit Alfred Dalipi, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës Ismet Mulaj, Ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës Fadil Ismaili, kryetarë të disa bashkive të vendit, personalitete nga fusha të ndryshme , drejtues të lartë të institucioneve shtetërore, përfaqësues të biznesit, trupit diplomatik, etj.

Në ceremoni, Presidenti i shoqërisë Klik Ekspo Group Luan Muhametaj lançoi hapjen e Panairit të nëntorit si më i madhi manifestim i biznesit që zhvillohet në Shqipëri. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast tha se, “Klik Ekspo Group po vazhdon nga viti në vit ta zgjerojë këtë aktivitet, duke shtuar prezencën e vendeve të Evropës Juglinore si një treg i tërë ekonomik . E ardhmja ekonomike e përbashkët është në interes të popujve. Është në interes të zhvillimit të vendeve dhe integrimit evropian atje ku aspiron të aderojë dhe Shqipëria”- tha Gjiknuri.

Ndërsa Ministri Haxhinasto në fjalën e tij, do të vlerësonte edicionin e 21-të të Panarit të organizuar nga Klik Ekspo Group, si një traditë e konsoliduar tashmë në këtë sektor. Sipas ministrit Haxhinasto, “ vetëm Klik Ekspo Group di të sjellë në Tiranë gjeoekonominë e vendeve, si një treg të hapur për bashkëpunime të ndërsjellta Ky Panair është një vlerë e shtuar për sipamarrjen”.

klik ekspo group

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës prezantohet me një stende në këtë Panair , duke i ofruar investitorëve, informacione për disa nga projektet e rëndësishme që do të zbatohen në vendin tonë. Pa dyshim që zhvillimet urbane dhe turizmi kanë qënë ngjarjet kryesore gjatë këtij viti në vendin tonë , ndaj ky aktivitet nuk mund të mos i kushtonte hapësirat e nevojshme dhe vëmendjen maksimale të prezantimit.

Në këtë konteks do të shprehesh edhe Zëvëndësministri i Turizmit, Alfred Dalipi në fjalën e tij përshëndetëse duke theksuar se, “bashkëpunimi i dikasterit të Turizmit me Klik Ekspo Group ka qënë gjithëpërfshirës dhe shumë i ngushtë, për të prezantuar urbanizimin si një nga sfidat e së ardhmes ekonomike të vendit dhe zhvillimin e industrisë së turizmit, sipas modeleve më të mira evropiane. Dua tju përgëzoj dhe t’ju uroj suksese në misionin tuaj, për kontributin që jepni në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Dalipi për organizatorët e Klikut. Ministri për Zhvillim Ekonomik i Kosovës Fadil Ismaili e konsideroi këtë event si një kontribut në zhvillimin e tregjeve rajonale e më gjerë ku ka gjetur mbështetje biznesi dhe sipërmarrja kosovare.

Ndërsa Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës Ismet Mulaj është shprehur se në vitet që do të pasojnë, për veprimtaritë e Klik Ekspo Group, hapësirat e Pallatit të Kongreseve nuk do të mjaftojnë. Në përshëndetjen e tij, Presidenti i Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj falenderoi bashkëorganizatoren, njëherazi bashkëshorten e tij Znj.Elona Agolli për realizimin gjithnjë e më bashkohor të këtij aktiviteti, drejtuesit e institucioneve të pranishëm në ketë panair, bashkëpunëtorët ndërkombëtarë, që janë treguar të gatshëm për të bashkëpunuar dhe për t’u njohur me mundësitë dhe investimet e drejtperdrejta në vendin tonë. Një falenderim të veçantë, Muhametaj drejtoi për Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

klik ekspo group

Ky panair sjell këtë vit në kryeqendrën e Shqipërisë, prurje dhe strategji të reja qasjesh të sipërmarrësve të huaj dhe enteve shtetërore ndërkombëtare ndaj tregjeve shqiptare dhe etnoshqiptare. Është fakt që, mbi 60% të sipërmarrësve të huaj kërkojnë të testojnë këto tregje, nëpërmjet njohjes së parë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës. Ndaj edhe ky eveniment shndërrohet në një stacion përmbushës, ku përpos ekspozimit dhe ndërveprimit me komunitetin e biznesit ndjehet përkrahja dhe mbështetja e organizmave dhe institucioneve shtetërore shqiptare, mikpritëse ndaj investimeve të huaja. Epërsia e Klik Ekspo Group në organizimin e panaireve dhe evenimenteve ndërkombëtare është tashmë e prekshme dhe e kthyer në një rrymë të re standardesh dhe ekzigjencash të diktuara jo vetëm nga jetëgjatesia në tregun e brendshëm, por edhe nga Organizatat Globale në të cilat aderon.

Klik Ekspo Group është e vetmja kompani që përfaqëson Shqipërinë në organizmat ndërkombëtare si UFI – Organizata Globale e Ekspozitave dhe Panaireve Ndërkombëtare (me headquarters në Paris dhe seli të tjera në Hong Kong dhe Emiratet e Bashkuara, themeluar që në vitin 1925), përkrah 600 anëtarëve të tjerë nga mbi 85 shtete. Projeksionet e edicionit të 21-të: Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është kthyer tashmë në një katalizator dhe zhvillues të nismave në kuadër të nxitjes së investimeve direkte dhe marrëdhënieve ekonomike kulturore ndërkombëtare, duke përligjur gjithnjë e më tepër rëndësinë e një Diplomacie Ekonomike të shëndetshme, që gjeneron bashkëveprim dhe bashkëjetesë, përtej problematikave eventuale.

Me standartet e tij të pervitshme, pasqyron nivelin e kembimeve mes partnereve të ngushtë ekonomiko-sociale të vendit tone. Pavijoni i Italisë është ndikuar edhe nga Presidenca Evropiane këtë gjashtëmujor dhe politikat friendly ndaj investimeve dhe sipërmarrësve italiane. Marrëdhënia e ngushtë mes vendeve përkthehet në një pjesëmarrje hegjemonike të mbi 50 ekspozuesve. Sektorët më mirë të përfaqësuar janë ato energjetikë, të menaxhimit të mbetjeve urbane, turizmit, mjeteve të lundrimit, mobilerisë, përpunimit të drurit, të metaleve, materialeve të ndërtimit etj. Pavioni i Republikës së Serbisë ofron produkte nga mbi 30 prodhues të materialeve elektrike, makinerive të industrisë agroushqimore, tekstile, materialeve të ndërtimit.

klik ekspo group

Mbi 10 vite bashkëpunim, këmbëngulje e nxitje të marrëdhënieve tregtare, tregojnë edhe në edicionin e 2014-ës për vlera që këmbehen mes popujve edhe përmes biznesit dhe kulturës. Takimet B2B, nën kujdesin e Dhomave të Tregtisë të dy vendeve, Ambasadës së Serbisë në Tiranë me pjësëmarrjen e dy Dhomave Rajonalë te Tregtisë, janë indikatorë të energjisë pozitive të çliruar mes palëve. Pavijoni i Hungarisë - Nën kujdesin e Hungarian National Trading House dhe klasterave sektoriale rikthehet në një përzgjedhje të përfaqësuesve të sektorëvë në të cilët, Hungaria insiston për disa vite me radhë të mund të depërtojë në tregun shqiptar me: materiale ndërtimi, materiale elektrike dhe ndriçimi, industri agroushqimore etj.

Ndërkaq, është përsëri Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Group, fushëpamja e plotë e të cilit mbi politikat nxitëse dhe marketingut shtetëtor teston këtë edicion përmes ekspozuesve nga Republika Popullore e Kinës të inkurajojë marrëveshjet ndërshtetërore nëpërmjet miklimit të investitoreve të veprave madhore, në përvjetorin e 65-të të një marrëdhënieje të ngushtë e të ripërtërirë: Pavijoni i Republikes Popullore të Kines prezantohet me sipërmarrës që përfaqësojnë Rajonin e Shangait dhe Provincës Zhejiang. Ato rikthehen të gatshëm për ndërveprim ekonomik & kulturor për të tretin edicion me radhë me produkte si: materiale elektrike dhe zgjidhje për ndriçim, mobile dhe materiale ndërtimi, tekstile, industria e paketimit etj., të shoqëruara nga një seri aktivitetesh ekonomike të ndërsjella që do të marrin jetë gjatë ditëve të Panairit.

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është latuar për t’i shëmbëllyer një kuvendi kombëtar, në fokus të të cilit shqiptarìa vjen si një status për t’u krenuar, shfaq Kosovën dhe Shqipërinë me programe të ndërsjella zhvillimi dhe synim të përbashkët për integrimin dhe anëtarësimin në BE. Pjesëmarrja e shtuar e sipërmarrësve nga Kosova ofrohet me përqëndrim të lartë në materialet e ndërtimit, përpunimit të metaleve, të drurit, botimeve, industrisë agroushqimore, vreshtarisë, prodhimit të verërave dhe pijeve alkolike, lengjeve të frutave etj. Sektorët multinacionale Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Group, ndien pulsimin e sektorëve më interesantë ku ende ka hapësira për t’u përmbushur nga sipërmarres të rinj vendas apo multinacionale të mëdha. Luksemburgu, Austria, Zvicra, Kroacia, Bosnjë Hercegovina, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Franca, SHBA i qasen Shqipërisë me teknologji të kryesuara nga energjetika, ndërtimi, mbrojtja e mjedisit, automjetet dhe transporti, turizmi dhe industria agroushqimore.

Vitaliteti i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës është një instrument efikas për të tërhequr vëmëndjen e komunitetit biznesor se ku mund te ndërhyhet, bashkëpunohet e përfitohet, e ilustruar me Sallonin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili vjen në një trend i ri kooperimi i përbashkët i Qeverisë me sipërmarresit vendas dhe investitorin e huaj për të dëshmuar sinergji të plotë në zbatimin e projekteve të zhvillimit. Kryefjalë janë Bashkitë dhe Qytetet kryesore teksa promovojnë potencialet turistike përmes projekteve zhvillimore dhe proçesit progresiv në kuadër të reformave të pushtetit lokal dhe riformulimit të hartës turistikë të Shqipërisë.

klik ekspo group

Nën kujdesin e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, mbi 15 Bashki do t’u prezantohen jo vetëm turistëvë të menjëhershëm (mbi 50.000 vizitorë prej të cilëve 40% të huaj), por edhe investitorëve të mëdhenj që ofrojnë zgjidhje për pastrimin dhe mirëmbajtjen e qyteteve, transportit dhe telekomunicionit, zgjidhje të ndriçimit publik, shërbimeve të hotelerisë, industrisë agroushqimore, marketingut territorial etj. Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është vend takimi i identifikimit se ku ka më tepër nevojë për investime në teknologji dhe manaxhim të mirë. Salloni i Energjetikës “Energy Fullscreen” është organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, ku protagonistë janë aktorët të lidhur ngushtë me sektorin minerar, hidrokarbur dhe energjetik.

Ndjehet mishërimi i një kulture të re në përdorimin efikas të saj me praninë më të mire nga Italia, Kroacia, Bosnja Hercegovina dhe Republika Popullore e Kinës. Gjatë ditëve të këtij eventi sipërmarrësish dhe biznesesh, nje seri konferencash do të organizohen në kuader të Sallonit të Energjetikës si: “Burimet e Energjisë së Rinovueshme dhe Përfitimet e Eficencës Energjetike”, promovuar nga ABIESSE. Salloni nderohet me praninë e Ministrit të Energjetikës dhe Minierave te Bosnje Hercegovines.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri më datën 26 Nentor 2014

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)