Tiranë- Hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, e cila ka nevojë për rikonstruksion dhe është pjesë e projekteve të Korridorit 8, ku investon dhe ndihmon gjithashtu edhe Bashkimi Europian.
Gara u hap sot (18 Dhjetor) nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, teksa i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Diplomati i lartë në fjalën e tij tha se Bashkimi Europian i mbështet projektet për këtë korridor dhe pret të tjera në të ardhmen, pasi i shërbejnë zhvillimit të Shqipërisë dhe veçanërisht lëvizjes së lirë së qytetarëve, lehtësimit të transportit, ekologjisë dhe turizmit.
“Projekti i zgjerimit të linjave hekurudhore në rajon dhe transportit me mënyrat më miqësore ndaj mjedisit është në vëmendjen e BE. Mezi presim edhe çeljen e projektit të Korridorit 8. Presim zhvillimin e projektit në proces. Shpresoj që kjo linjë hekurudhore të përurohet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse është ekologjike, i shërben zhvillimit dhe njerëzit lëvizin lirshëm dhe ekologjikisht”, tha ambasadori ndër të tjera.
Ai kujtoi edhe një detaj nga djali i tij, që për të ardhur në Shqipëri i kishte kërkuar që të vinte me tren, sepse nuk i pëlqente të merrte linja ajrore, por për shkak se linja mungonte e këshilloi që jo, teksa mori rrugën hekurudhore drejt jugut të Italisë dhe më pas me traget për të ardhur në vendin tonë.
“Këto projekte do i sjellin Shqipërisë edhe turizëm, ndryshe nga pasagjerët ajrorë”, u shpreh ambasadori.
Gonzato vlerësoi edhe ecurinë e reformave të Shqipërisë, duke garantuar mbështetjen e BE-së në këtë rrugë integrimi, edhe pas çeljes së negociatave për Grupkapitullin 6 ditën e djeshme në Bruksel.
“Shqipëria po ecën përpara me reformat, BE mbetet këmbëngulëse dhe afër përpjekjeve tuaja, duke i mbështetur ato. Pres me shumë qejf që të realizojmë edhe projekte të tjera në të ardhmen.
Rehabilitimi i linjës hekurudhore vazhdon me një investim nga Berzh, BE, qeveria shqiptare dhe faktorëve të tjerë investues, teksa sot u bë edhe hapja e garës ndërkombëtare për rikonstruksionin e projektit të linjës hekurudhore.