Pikëkalimi kufitar ndërmjet Kosovës me Serbinë, Merdar, është rihapur pas incidentit të djeshëm ku grupe të huliganëve serbë nga veriu, duke hyrë në territorin e Kosovës

për të marrë pjesë në manifestimin e Gazimestanit, kanë sulmuar policinë e Kosovë duke lënduar 35 pjesëtarë. 9 prej tyre kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në QKUK. 
Rreth këtij sulmi është diskutuar edhe gjatë seancës së Kuvendit, ku ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, i informoi deputetët për zhvillimet e djeshme. Por deputetë të partive opozitare deklaruan se është dashur një reagim më i ashpër i policisë së Kosovës për t`i arrestuar të gjithë ata serbë që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë dhe që kanë provokuar situatën. 
Ndërkohë, qindra serbë nga Kosova, por edhe të ardhur nga Serbia, u mblodhën në Gazimestan për të përkujtuar 623-vjetorin e asaj që njihet si beteja e Kosovës. Në histori kjo betejë njihet si humbje e Serbisë, derisa Serbia e shënon si fitore.
Gazimestani njihet edhe me fjalimin e Slobodan Millosheviçit dhe instalimin e aparaturës ushtarake dhe policore pas festimit të 600 vjetorit.