Kuvendi miratoi të enjten me 84 vota pro dhe 22 vota kundër projektligjin 'për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit,  që i garanton të drejtën çdo individi për t' u njohur me informacionet dhe dokumentacionin e ish-Sigurimit të  Shtetit.
Kuvendi gjithashtu rrëzoi me 27 pro, 75 vota kunder dhe 2 abstenime nismën ligjore të propozuar nga shoqëria civile, me mbështetjen e dy deputetëve të opozitës, Mesila Doda (PD) dhe Shpëtim Idrizi (PDIU).
Pr/ligji i qeverise, miratimi i te cilit kerkonte shumice te cilesuar(84 vota), parashikon që procesi të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik, një strukturë me pesë anëtarë, që do të jetë në varësi të Kuvendit.
Shqipëria në këtë proces do të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm. Pr/ligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias.
Një muaj pas hyrjes në fuqi të tij do të kryhet përzgjedhja e anëtarëve të Autoritetit.
- Çfarë parashikon ligji -
Projektligji ka në themel garantimin e të drejtës së çdo individi për t'u njohur me informacionet dhe dokumentacionin eventual që ish-Sigurimi i Shtetit mund të ketë grumbulluar gjatë periudhës kohore ndaj personave të caktuar.
Referencë e tij është eksperienca gjermane si një nga modelet më mira, që mund të garantonin një proces transparent dhe në respekt të parimeve kushtetuese dhe standarteve evropiane në këtë fushë.
Projektligji përqendrohet në të drejtën për informim për dosjet e ish-Sigurimit dhe parashikon një mekanizëm lustracioni minimal dhe jo të detyrueshëm.
Lustracioni kufizohet vetëm te funksionet për të cilat ka arsye të mjaftueshme për të besuar se subjekti mund të paraqesë rrezik real për të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
Përjashtimi nga kandidimi për një funksion të caktuar duke u bazuar mbi lustracionin nuk duhet të zgjasë më shumë se pesë vjet, pasi nuk duhet të nënvlerësohet kapaciteti për ndryshime pozitive në sjelljen dhe zakonet e një individi; masat e marra për lustracionin duhet t'i përfundojnë efektet mundësisht brenda datës 31 dhjetor 1999, pasi sistemi i ri demokratik duhet të jetë konsoliduar deri në atë kohë në të gjitha vendet ish totalitariste komuniste.
- Histori -
Pr/ligji i miratuar sot nga parlamenti shqiptar pason nisma të ngjashme të mëparshme, të cilat nuk arritën ta kurorëzojnë këtë proces.
Shqipëria i ka hedhur hapat e para në drejtim të hapjes së dosjeve në vitin 1995, vit kur Partia Demokratike, atëhere në pushtet, adaptoi ligjin e zbatuar në Çeki, një tjetër vend post-komunist. Në bazë të këtij ligji, u ngrit një komision që bëri një punë serioze për sa i përket verifikimit të figurave.
Ndërkohë me ardhjen në pushtet të PS-së ky ligj nuk u miratua, por u ngrit sërish një komision verifikimi që funksionoi për verifikimin e të zgjedhurve në Kuvendin e Shqipërisë për dy legjislatura (1997 dhe 2001). PD nuk iu bashkangjit asnjëherë këtij komisioni që kryesohej nga socialistët.
Një tjetër nismë e ngjashme u miratua mes debatesh në parlamentin shqiptar më 22 dhjetor 2008, vetëm me votat e maxhorancës se djathtë, ndërsa u kundërshtua fort nga opozita e majtë, e cila e konsideroi projektin antikushtetues, duke e ankimuar në Gjykatë Kushtetuese.
Më 16 shkurt 2009 Kushtetuesja vendosi pezullimin e zbatimit të ligjit të mësipërm, duke çmuar se kjo mund të sillte pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës, si dhe cënimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit. /atsh/