Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesë të re, ku kërkon zëvendësim të masës së sigurisë nga “arrest me burg”, në arrest shtëpie, ose në alternativë ofron masën 20 mijë euro garanci në zëvendësim të paraburgimit.

Këtë herë kërkesës i është bashkëngjitur edhe vendimi i Gjykatës së Lartë, që mbajti qëndrim sa i takon masave “arrest me burg”. Vendimi i marrë në unanimitet nga gjyqtarët e Kolegjeve të Bashkuara parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ka kërkuar lirinë edhe kryebashkiku Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se 1 viti, ndërsa vendimi pasoi nxjerrjen e Mirlinda Karçanaj, ish-drejtueses së AKSHI-it, nga arresti shtëpiak.

Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua lidhur me dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC.

Sipas SPAK, Ilir Beqaj, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm i SASPAC-ut, ka urdhëruar Kurtulajn, me të cilin kishte njohjet të hershme pasi kanë qenë ortak të shoqërisë Intech+, që të zbatojë vetëm përgjatë viteve 2022-2023 prokurime fiktive në kundërshtim me ligjet e BE për projektet e EUSAIR, paratë e të cilave përfundonin në xhepat e Beqajt. Tenderat, sipas SPAK, bëheshin vetëm për efekt dokumenti dhe më vonë se nga lidhja dhe zbatimi i kontratës me kompani të ndryshme.

 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.