Propozimi i deputetëve i përkrahur edhe nga shoqëria civile kanë marrë mbështetjen e anëtarëve të opozitës në Komision të cilët kanë kërkuar që ligji i ri të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë te funksionarët e lartë që vijojnë të jenë në poste drejtuese. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu nuk ngurroi as të kritikonte punën e bërë nga e djathta gjatë kohës që ishte në pushtet. “Ndjej keqardhje që janë shumë shoqata për një çështje të vetme. Jo se nuk ka nevojë për mendime të ndryshme, por ka një interes të vetëm.
Në këtë pikë ndjej të them edhe një mëkat të së djathtës pjesë e së cilës jam edhe vetë, që për fatin e keq jo vetëm nuk dha atë që duhej tek të përndjekurit politik por për shkak të interesave politike vazhdojnë të mbahen të përçarë të përnjekurit politik. Këtu duhet të vini me një gjykim, duhet vetëm hapje dosjesh apo edhe lustracioni shoqëruar me të.
Ky duhet të jetë gjykimi juaj, jo vetëm i joni, sepse jeni ju ata që keni vuajtur”, deklaroi Mediu. Ndërkohë që deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi nuk ka kursyer aspak qëndrimet e tij në drejtim të mazhorancës e cila sipas tij sjell një ligj të imituar për të sfiduar të përndjekurit. Bylykbashi u shpreh se fillimisht duhet të kryhet procesi i dekriminalizimit i cili duhet të konkretizohet me dorëheqjen e kryeparlamentarit Meta dhe më pas të vijohet me procesin e dekomunicizimit.
Dëshmitë
Kryetarët e disa shoqatave të ish përndjekurve politikë, gjatë thirrjeve që kanë bërë për klasën politike në Shqipëri, kanë dhënë edhe shumë dëshmi nëpërmjet të cilave kanë demonstruar vuajtjet gjatë sistemit komunist. “Ne kërkojmë më të thjeshtën: 1.500 vetë sa jemi, kush del në pension të ketë pension të veçantë. Artistëve, që kanë kënduar e kanë bërë teatër tërë jetën për popullin, u jepet pension i veçantë.
Kurse për mua që më morën 15 vjet të jetës, më lanë pa fëmijë, më dëmtuan organet, mua dhe shumë të tjerëve, të mos ketë mëshirë.Disa janë bërë spiunë me dhunë. Njërit i sollën vajzën 14 vjeçe në burg dhe e kërcënuan se do t’ia përdhunonin nëse nuk firmoste. Ia përplasën kokën në tavolinë dhe edhe sot e kësaj dite ajo ka shenjën në ballë”, u shpreh nënkryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë Hysen Haxhiaj.
Projektligjet
Opozita ka ndarë të njëjtin qëndrim me shoqërinë civile për të mbështetur propozimin e deputetëve Doda e Idrizi për hapjen e dosjeve dhe lustracionit. Sipas përfaqësueses së shoqërisë civile Elsa Ballauri, nuk duhet që mazhoranca të rezervohet nga fakti që për realizimin e lustracionit mund të kërkohet edhe ndërhyrja në kushtetutë. Ligji i qeverisë është i mbështetur tek ekperienca gjermane dhe kërkon që çdo person me rëndësi publike të marrë një dëshmi e cila do të vërtetojë nëse ka qenë ose jo bashkëpunëtor i sigurimit.
Projektligjin e qeverisë e ka mbështetur edhe OSBE e cila deklaroi se ky projektligj mund të zbatohet pasi është brenda kuadrit kushtetues. Ish i përndjekuri Daut Gumeni vlerësoi eksperiencën e OSBE-së por theksoi se procesi bëhet me dëshirë jo me detyrim. “Unë jam plotësisht dakord me ekspertizën e OSBE-së se kjo duhet bërë e detyruar, jo me dëshirë. Çdo institucion duhet t’i paraqesë autoritetit përkatës që do të zgjedhë Parlamenti me detyrim ligjor të gjitha kandidaturat që ka përcaktuar në vendet përkatëse të personit publik. Duke përfshirë jo vetëm personat e rëndësishëm publik, por duke e zgjeruar gamën me personat që japin drejtësi”, u shpreh Gumeni.
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)