Hapja e dosjeve, Veliaj: Do t’i referohemi modelit gjerman

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj u shpreh sot se, qeveria në mungesë të një recete të gatshme ka vendosur t'i referohet eksperiencës gjermane në trajtimin e çështjes së hapjes së dosjeve.
Këtë deklaratë, ministri Veliaj e bëri gjatë punimeve të tryezës konsultuese  "Mbi parimet e trajtimit të trashëgimisë së ish- sigurimit të shtetit në Shqipëri gjatë periudhës 1944-1991".
"Qeveria është tashmë e vendosur të përfitojë nga eksperienca më e mirë evropiane në këtë fushë, ajo e Republikës Federale Gjermane, në trajtimin e kësaj çështje në tërësinë e saj. Gjermania përbën shembullin unik në Evropë, që i është përgjigjur pa ekuivoke pyetjes për hapjen e dosjeve me një 'po' të plotë", nënvizoi Ministri Veliaj.
Veliaj, duke u ndalur në përzgjedhjen e modelit gjerman lidhur me këtë çështje, tha se "Gjermania i ka thënë 'po' në dy udhëkryqe nga më të vështirët për një vend, duke përbërë shembullin unik në Evropë që ka ndërmarrë një përballje të thellë dhe shumëdimensionale me të. Një herë në vitet e pasluftës së Dytë Botërore në përballjen me të shkuarën naziste të vendit dhe për herë të dytë në përballjen me të shkuarën komuniste të Gjermanisë Lindore dhe një prej shërbimeve sekrete më të urryera në botë, të STAS-it".
Ndërkaq, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj shtoi se "ngritja e një institucioni të besueshëm, të drejtuar nga figurat më të respektuara në vend , që do të gëzojnë konsensusin më të gjerë të mundshëm në bashkëpunimin e ngushtë me partnerët gjermanë, për trajtimin profesional të këtij materjali, është propozimi i qeverisë për çështjen e dosjeve.
Nga ana e tij, Ambasadori gjerman Helmut Hofmann u shpreh se "po të shikoni në gazetat gjermane janë të gjitha llojet e artikujve që botohen për dosjet, për t'i treguar njerëzve atë që ka ndodhur. Kjo ka të bëjë me njohjen e viktimave, që atyre t'u njihen këto fakte të rëndësishme. Ju keni një ligj që thotë se kush ka të drejtë të hapë dosjet së pari, që në fakt nuk i kanë hapur këto dosje. Kurse ne, pas 1989-ës kemi pasur një debat shumë të madh për këtë me dosjet e STAS-it, me shkelësit që duhet të dilnin para drejtësisë. STAS-i pra, mund t'ju shërbejë si një lloj modeli, por ne nuk jemi këtu për t'ju thënë sesi ta bëni, ne jemi për këshillim. Debati duhet të zhvillohet ndërmjet shqiptarëve, ne thjesht duam t'ju këshillojmë".
Ldhur me pyetjen se kur është momenti i duhur për të hapur dosjet, ai tha se 'koha është tani, në mos ka kaluar. Ndërsa dëshmitarët e gjallë të përjetimit të vuajtjes janë duke u tretur nga dita në ditë, i kemi borxh viktimave dhe trashëgimitarëve të tyre që të mësojmë dhe njohim vuajtjen e tyre".
Nga ana e tij, Ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig tha se "politika duhet të mbajë duart larg nga dosjet dhe vullneti duhet të jetë tërësisht shqiptar me asisencë nga jashtë"./ATSH/
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?