Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, ka reaguar kundër hapjes esënjë konsullate serbe në Shkodër.
Përmes një reagimi publik, Spahia e cilëson këtë vendim si "shërbimin e radhës ndaj Vuçiçit" nga qeveria shqiptare, të cilën e akuzon se ndjek politika antishqiptare.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama po dëshmon edhe një herë se është i gatshëm të sakrifikojë interesat kombëtare për të ruajtur marrëdhëniet politike me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
“Hapja e konsullatës serbe në Shkodër është shërbimi i radhës ndaj Vuçiç, i një qeverie thellësisht antishqiptare në Tiranë!Edi Rama po dëshmon sërish se është i gatshëm të shkelë mbi interesat tona kombëtare vetëm për të ushqyer "vëllazërinë" e tij politike me Aleksandër Vuçiç. Ndërkohë që Beogradi zyrtar dhe ministrat e tij nuk ndalin gjuhën e urrejtjes dhe fantazitë e spastrimit etnik ndaj Kosovës, qeveria e Tiranës jo vetëm që nuk i dënon, por i shpërblen duke u hapur dyert. Anashkalimi i Kosovës dhe goditja pas shpine ndaj saj është kthyer tashmë në një axhendë të përditshme të këtij pushteti.Pyetja që duhet të na alarmojë të gjithëve është pse pikërisht tani ndërsa Beogradi zyrtar vazhdon me retorikën dhe qëndrimet nacionaliste dhe madje edhe kërcënuese? Pse në kryeqendrën e Veriut, në djepin e patriotizmit, kulturës dhe rezistencës historike shqiptare përballë ekspansionizmit nacionalist sllav? E gjitha kjo me bekimin dhe tapinë e kryeministrit tonë "vëllait" të Vuçiçit”,- shkruan Spahia.
Lajmi kryesor:
Ministri i Jashtëm i Serbisë: Do të hapim konsullatë në Shkodër










