Nga Franca ku mori pjesë në konferencën kundër financimit të terrorizmit, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u shpreh besimplotë se Presidenti Macron do të mbështesë hapjen e negociatave për Shqipërinë në qershor. Xhafaj u shpreh i bindur se nuk mund të ketë një Europë të fortë përballë terrorizmit dhe krimit të organizuar pa një Ballkan të përfshirë brenda proceseve integruese të BE-së.

Ne jemi besimplotë për mbështetjen e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Francës dhe Presidentit Macron në veçanti, ndaj këtij procesi.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj

Në fjalën përpara autoriteteve më të larta zyrtare të 84 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare të ftuara në takim,Xhafaj ilustroi përpjekjet dhe kontributin konkret të Shqipërisë në përballje me fenomenet e terrorizmit dhe radikalizmit.  

Lufta kundër terrorizmit mbetet një nga prioritetet kyçe të qeverisë shqiptare.Pavarësisht përmasave të saj, Shqipëria ka qenë një kontributor i përhershëm, i palodhur në përpjekjet globale të parandalimit dhe përballimit të terrorizmit dhe fenomeneve shoqëruese të tij.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj

Ministri e konsideroi jetësore një rritje të koordinimit mes shteteve, si dhe bashkëpunimin mes agjencive ligj zbatuese respektive.

Shqipëria është më se e hapur në këtë drejtim, e gatshme të marrë asistencën e duhur logjistike dhe profesionale që, për shkak të përmasave të saj, i mungon. Por kurrsesi nuk i mungon vullneti për të qëndruar në krah aleatëve të saj dhe synimit për marrëdhënie më të sigurta mes kombesh

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj

Konferencën e përshëndeti sot edhe Presidenti i Republikës franceze, Emanuel Macron, i cili me këtë rast mbajti dhe një fjalë përmbledhëse mbi punimet e saj. Përsa i përket zgjerimit të BE, Presidenti i Francës ka kërkuar më parë një reformim të unionit duke qenë së bashku me Gjermaninë dhe Holandën ndër vendet skeptike për hapjen e negociatave për Shqipërinë në qershor.