Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se taksa është produkt i koalicionit qeveritar dhe vazhdon të mbetet e tillë. Ai theksoi se taksa ekziston sepse ka dakordim mes partnerëve të koalicionit. “Partnerët e koalicionit kanë instrumente të tjera nëse nuk janë dakord me taksën. Rrugë alternative është të dalin nga koalicioni, të japin votat për rrëzimin e Qeverisë dhe të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh Haradinaj.
“Sikur të kishte qenë një kryeministër tjetër, ndoshta do të mund të bënin koalicione tjera, por nëse rrëzohet kryeministri bie edhe qeveria dhe opsion mbeten vetëm zgjedhjet”, tha ai.
Kryeministri i vendit ka folur edhe për raportet me Presidentin, duke thënë se kanë disa dallime. Ndërkohë shefja e zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur me çështjen e vendimit të tarifave.
Apostolova tha se këtë qëndrim e ka dhënë e gjithë familja europiane duke folur me bindje për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe Kosovën. Nataliya Apostolova bëri apel tek kryeministri Ramush Haradinaj që të marrë vendim final sa i përket taksës ndaj mallrave serbe.