Haradinaj, Hoxhaj: Serbia po
rrezikon dialogun me Kosovën

Haradinaj, Hoxhaj: Serbia po<br />rrezikon dialogun me Kosovën
PRISHTINE- Kuvendi i Kosovës nisi këtë të  martë, një seancë të jashtëzakonshme mbi ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në Francë mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga partia e Haradinaj, pason një varg reagimesh të autoriteteve dhe zyrtarëve politikë në vend që e kanë cilësuar ndalimin e ish-kryeministrit si të “papranueshme dhe të pakuptueshme”.
Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj theksoi se, Serbia ka rikthyer logjikën e politikës së Milloshevicit. Ai tha se Serbia me këto veprime po rrezikon dialogun me Kosovën. Nga ana e tij, kryeministri Isa Mustafa tha se të gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim për të liruar sa më shpejt Ramush Haradinajn.

Mustafa: Po angazhohemi që Haradinaj të lirohet sa më shpejt
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se Qeveria e Republikës së Kosovës ka konsideruar dhe konsideron se flet arrestet serbe për qytetarët e Republikës së Kosovës janë plotësisht të paligjshme, janë të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike, konflikte dhe për të dëmtuar proceset në rajon dhe proceset më gjerë.

“Përfaqësuesit e Kosovës kanë raportuar tek zyrtarët francezë se politikat serbe ndaj Kosovës janë të paligjshme. Nga viti 1999 çdo gjë ka pushuar me Serbinë. Nuk ka asnjë arsye që Haradinaj të mbahet në Francë, i akuzuar mbi politikat serbe”, tha Mustafa.

Gjithashtu, Mustafa tha se të gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim për të liruar sa më shpejt Ramush Haradinajn.

“Po ashtu dëshiroj t’iu njoftoj se me të kuptuar lajmin për ndalimin e zotit Haradinaj gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim dhe janë angazhuar me përkushtim të plotë për të kontribuar në çdo formë në lirim sa më të shpejtë të z. Haradinaj në mënyrë që ai sa më shpejt të kthehet në Kosovë”, tha Mustafa. 

Ministri Hyseni: Absurditeti i ndalimit të Haradinajt nuk mund të përshkruhet me fjalë
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni ka thënë se beson që drejtësia ndërkombëtare, në të cilën është edhe drejtësia franceze, sa i përket rastit të ndalimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Absurditeti i ndalimit të Haradinajt nuk mund të përshkruhet me fjalë, sepse është Haradinaj ai që ka dëshmuar pafajësinë në dy raste”, ka thënë Hyseni.

“E kam vizituar Haradinajn në vitin 2010 në Hagë. Jam entuziazmuar me besimin që Haradinaj kishte në drejtësinë ndërkombëtare. Dhe është ai besim që Haradinajn e ka kthyer faqebardhë. E përmenda këtë për një qëllim të vetëm. Që ta theksoj nevojën e besimit në drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë ndër tjerash ministri Hyseni.

Hoxhaj: Serbia me këto veprime po rrezikon dialogun
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj duke folur në seancën e jashtëzakonshme për arrestimin e Ramush Haradinajt ka treguar të gjitha angazhimet e MPJ-së për lirimin e liderit të AAK-së.

Ai tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë franceze për të mundësuar që Haradinaj të lirohet sa më shpejt.

Sipas Hoxhaj, Serbia ka rikthyer logjikën e politikës së Millosheviqit. Ministri i Punëve të Jashtme tha se Serbia me këto veprime po rrezikon dialogun me Kosovën.

Ministri i Jashtëm tha se kanë marrë veprime reciproke në raport me Serbinë, duke përmendur  vendimin për ndalimin e presidentit serb Tomisllav Nikoliq që të hyjë në Kosovë.

“Burim i ndalimit të Haradinajt është Serbia”, tha Hoxhaj në seancë.

Hoxhaj tha se ka bërë kërkesë zyrtare për vizitë urgjente në Francë e ku temë kryesore do të jetë lirimi i Haradinajt.

Limaj: Haradinaj do të kthehet në Kosovë, por jo me meritën e kësaj qeverie
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se arsyet e ndalimit të Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze janë krejtësisht politike. Sipas tij, çështja e liderit të AAK-së nuk duhet të trajtohet si personale, por si një atak ndaj integritetit të vendit.

“Çështja e Haradinajt nuk duhet të trajtohet si çështje personale, por si atak ndaj integritetit të një vendi".

Limaj tha se duke u nisur nga kjo vihen në pikëpyetje tri çështje: integriteti i Shtetit të Kosovës, mbrojtja dhe trajtimi i qytetareve të Kosovës dhe raporti ynë me shtetin tonë.

Ai ka kritikuar ashpër institucionet e vendit që nuk kanë marrë hapa konkret në këtë drejtim.
Limaj shprehu bindjen se Haradinaj do të kthehet në Kosovë, po siç tha ai jo me meritën e kësaj qeverie.

Demaku: Qeveria, përgjegjëse për arrestimin e Haradinajt
Deputetja e Vetëvendosjes Puhie Demaku ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për të gjitha këto që kanë ndodhur me Kosovën, përfshirë edhe arrestimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinajt.

Demaku tha se Qeveria e ka sjellë murin në Mitrovicë, arrestimin e Ramush Haradinajt e po ashtu edhe të drejtorit të Policisë për Mitrovicë, Nehat Thaçi.

“Përgjegjësinë e bartni ju në Qeveri. E ka ardhur koha të shkoni në shtëpi, por edhe në burg”, tha Demaku.

Deputetja e VV-së rekomandoi për Qeverinë që të ndalojnë importet e mallrave serbe si dhe ndërprerje e menjëhershme e dialogut me Serbinë.

Seanca mbahet vetëm pak ditë përpara se një Gjykatë franceze, të shqyrtojë kërkesën e palës mbrojtëse të Haradinaj për lirimin e tij.

Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Bazelit të mërkurën e kaluar dhe autoritetet e drejtësisë franceze  përcaktuan  masën e paraburgimit deri në paraqitjen e kërkesës zyrtare për ekstradim nga autoritetet e Serbisë”.

Ministria e Jashtme Franceze tha se procedurat që po zhvillohen ndaj Ramush Haradinajt janë çështje ligjore, të nisura mbi bazën e kërkesës së Interpolit dhe përjashtoi mundësinë që veprimi ligjor ndaj Ramush Haradinajt të ketë ka dimensione politike.

Autoritetet e drejtësisë në Serbi u shprehën se do të paraqesin prova kundër Haradinajt dhe kërkojnë me këmbëngulësi ekstradimin e tij në Serbi.

Në kundërpërgjigje ndaj arrestimit të Haradinajt, qeveria në Prishtinë i ndaloi hyrjen presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq  në ditën e Krishtlindjeve Ortodokse. 

Albin Kurti: Mustafa s'po e mbron Haradinajn si qytetar të Kosovës
Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, deputet i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme për Ramush Haradinaj, ka komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ndaj Haradinajt, ku tha se Mustafa nuk mund ta mbrojë Haradinajn duke e lidhur me funksionet politike por si qytetarë të Kosovës.

Kryeministri deri sa fliste për Haradinaj tha se ai është një ish-kryeministër, si kryetar por nuk e përmedi si qytetarë të Kosovës, por kur nuk arrin me e mbrojte si qytetarë të republikës nuk mund ta mbrosh në funksionet politike”, tha Kurti.

Ai ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar për Haradinajt.

Ne bëjmë thirrje të menjëhershëm dhe pakusht të Ramush Haradinaj, por këto thirrje nuk mund të gjejnë zgjidhje tek kjo Qeveri”, shtoi Kurti.

Redaksia Online
d.b/e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Vendosi rekord të ri botëror dhe ‘tërboi’ fansat, festimi epik i Armand Duplantis me shokun e skuadrës

Paris 2024/ Vendosi rekord të ri botëror dhe ‘tërboi’ fansat, festimi epik i Armand Duplantis me shokun e skuadrës