Presidenti i Kosovës e konsideron të domosdoshme marrëveshjen me Serbinë, por Haradinaj e konsideron si tradhti cdo pakt që rishikon kufijtë. Thaçi tregoi sonte edhe se si lindi ideja e marrëveshjes.
"Duhet pasur parasysh se në Kosovë ekziston, tek e fundit, një tolerancë e komunikimit dhe e dallimeve për arritjen e objektivit të përbashkët. Edhe në Rambuje, kur e kam nënshkruar marrëveshjen, ka pasur plot komandantë që kanë qenë kundër. Edhe nga bashkëluftëtarët e mi. Dhe sot jemi miq. Edhe për Dokumentin e Presidentit Ahtisari. Madje ka pasur edhe nga miqtë e mi që kanë protestuar, por unë kam lëvizur përpara sepse i kam besuar atij vizioni se vetëm me BE-në dhe me SHBA-të mund të lëvizim përpara dhe jo me emocionet tona të së kaluarës, jo me mllefet politike ditore, apo me targetet e politikave ditore, të cilat nuk çojnë larg, nuk kanë rrugë të sigurt. Apo që janë të frymës populiste më tepër sesa të realizimit të objektivave afatgjata të shtetit të Kosovës. Populizmi është si valët e detit, të nxjerr në rërë ose të përplas diku në shkëmb.
Shpejt ikin. Kështu që ne nuk guxojmë të biem nën ndikimin e frymave të disa vendeve që për hir të disa votave, unë kam qenë që prej 20 viteve lideri më i votuar edhe në zgjedhjet lokale edhe në ato të përgjithshme, por gjithmonë e kam ruajtur vijën e bashkëpunimit të ngushtë, drejtimin e drejtë të vendit. Nuk kam lejuar edhe në opozitë të organizoj kurrë demonstrata për të ardhur në pushtet, as të provokoj dhunë, kurrë. Kam qenë në opozitë, e kam ndihmuar pushtetin, qeverinë për realizimin e objektivave tona madhore. Kështu që dua të rritet përgjegjësia. Edhe ne kemi pasur përplasje në Kosovë për sa i përket demarkacionit me Malin e Zi. Shumë njerëz kanë qenë kundër atij vendimi. Unë e kam nënshkruar. Por pas tre vitesh që humbëm edhe të drejtën për liberalizimin e vizave, përsëri kundërshtarët më të mëdhenj, me lot në sy prej entuziazmit se arritën t’i grumbullojnë 2/3, kanë votuar.
Si ka lindur?
Ka lindur nga domosdoshmëria që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje përfundimtare. E ka hedhur Bashkimi Evropian, edhe SHBA-të e kanë mbështetur, ashtu sikurse e hedh edhe vetë realiteti, nevoja, që edhe Kosova edhe Serbia të lëvizin sa më shpejt drejt të ardhmes evropiane, Kosova edhe drejt NATO-s.
Nga BE-ja, kush e ka hedhur idenë?
Autoritetet udhëheqëse të tyre, edhe Presidenti Junker, edhe z. Han, edhe znj. Mogerini. Procesin e udhëheq znj. Mogerini, me mandatin dhe në autoritetin ligjor që ka.
Lajmi kryesor: