Thaçi: Nëse nuk kalon marrëveshja me Serbinë jap dorëheqjen, gati të shkoj në Hagë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘’5 Pyetjet nga Babaramo" në Report Tv për marrëveshjen e pritur me Serbinë, rishikimin e kufirit dhe situatën politike në Kosovë dhe në Shqipëri. Kreu i shtetit të Kosovës deklaroi se nëse marrëveshja me Serbinë nuk do të kalojë në Kuvendin e Kosovës do të japë dorëheqjen për ta dërguar në referendum.

"Edhe kritikët të mos mendojnë që do të shkel Kushtetutën.Kushtetutën nuk e shkel kurrë, por për ta ndryshuar po. Mund të arrijmë marrëveshjen, pastaj i propozohet Kuvendit të Kosovës, i cili e aprovon ose jo. Nëse Presheva, Medvegja dhe Bujanovci i bashkëngjiten Kosovës me marrëveshje, dhe Kuvendi i Kosovës nuk e aprovon, unë jap dorëheqjen ose shpall referendum.

E di që në referendum fitoj 80% sepse 99% e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc e përkrahin bashkëngjitjen me Kosovën dhe rreth 75-80% e qytetarëve të Kosovës aktualisht e mbështesin këtë bashkëngjitje. Kështu që unë po përçoj vetëm vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe të Preshevës
" tha ai.

Ai mohoi që marrëveshja përfshin lëshim të territoreve nga Kosova. Presidenti i Kosovës deklaroi se është gati që të shkojë në gjykatën e Hagës nëse e thërrasin për të dëshmuar. Thaçi i bëri thirrje Haradinajt nga Tirana që të heqë taksën për mallrat nga Serbia, pasi ato po futen kontrabandë dhe miqësia me SHBA-në po dëmtohet. Duke u ndalur te situata politike në Shqipëri pas djegies së mandateve nga opozita, Thaçi ka kërkuar dialog mes palëve, e ndërkohë që ka komentuar edhe darkën me kryeministrit Rama në banesën e tij të re.

Thaçi tha se reformat që ka ndërmarrë Rama i kanë munguar Shqipërisë në një shekull, ndërsa vlerësoi se qëndrimi i kryeministrit shqiptar në Beograd për njohjen e pavarësisë së Kosovës ishte prej burri shteti. Ndërkohë që referuar deklaratave nga politikanë në të dyja anët e kufirit për cështje kombëtare ai tha se 'Është mirë që të mos pretendohet për të krijuar një monopol kombëtar, gjë që nuk i takon askujt".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:13
Debati për taksën, Thaçi paralajmëron Haradinajn: Nuk është fundi i botës nëse rrëzohet qeveria

SHBA-ja ka kërkuar që Kosova të heqë taksën për mallrat serbe, por Haradinaj i ka qëndruar vendimit të tij deri tani. Presidenti Hashim Thaçi e ka paralajmëruar kryeministrin se rrezikun e marrëdhënieve me SHBA-të me asnjë çmim dhe me asnjë ego të askujt nuk do ta lejojmë. Ai tha se askush nuk mund ta lëkundë drejtimin e vendit në frymën euro-atlantike apo të bashkëpunimit me SHBA-të.

Dhe po e mbyllim ty ku e nisëm. Sa zgjat qeveria e kryeministrit, i cili këmbëngul që në asnjë rrethanë nuk e tërheq taksën?
Unë kam qenë vetë kryeministër tri herë dhe e di shumë mirë si funksionon qeveria, e di sa mund të jesh funksional në zyrën e kryeministrit, e di sa mund të jesh funksional në realizimin e prioriteteve që ke, por një qeveri përderisa ka mazhorancën në Kuvendin e Kosovës, mund të vazhdojë. Prandaj unë e kam nominuar z. Haradinaj kur kanë siguruar partnerët e koalicionit 61 vota. Një gjë është e sigurt, se pavarësisht se çfarë mund të ndodhë, Kosova nuk shkon në zgjedhje. Kush i bën 61 vota, vazhdon me qeverisje, por zgjedhje të parakokshme nuk do të ketë, vetëm nëse nuk arrin pajtueshmëri skena politike. Por mendoj që kjo qeverisje do të vazhdojë, natyrisht duke ruajtur partneritetin me SHBA-të, sepse në Kosovë nuk mund të vazhdojë askush të qeverisë duke qenë i konfrontuar me SHBA-të, kushdo që të jetë. Dhe rrezikun e marrëdhënieve me SHBA-të me asnjë çmim dhe me asnjë ego të askujt nuk do ta lejojmë. Nga ana tjetër dua të theksoj se unë, si president i vendit, e kam obligim kushtetues edhe ligjor, por edhe obligim kombëtar të shikoj drejtimin e vendit. Nuk do të mund ta cenojë askush drejtimin.

Do të mandatonit dikë tjetër për të zgjedhur qeverinë?
Askush nuk mund ta lëkundë drejtimin e vendit në frymën euro-atlantike apo të bashkëpunimit me SHBA-të.

Në një rrethanë të tillë, në qoftë se rrëzohet kjo qeveri, partitë përbërëse e rrëzojnë.
E para, unë nuk besoj që kjo qeveri rrëzohet. Nuk kam pasur ndonjë indikacion. E dyta, nëse kjo qeveri rrëzohet nuk është fundi i botës. Mund të bëhen parti të tjera dhe i bëjnë 61 deputetë. Nëse unë bindem që kryeministri meriton, ka vlera dhe respekton vlerat dhe parimet e kriteret e nevojshme për qeverisje të mirë dhe për orientim euro-atlantik, atëherë do t’ia jap mandatin. Nëse jo, do të kërkoj zëvendësimin e kandidatit. Por zgjedhje të parakohshme mund të ketë vetëm nëse duan partitë. Por unë kam shpresa që kjo qeverisje do të vazhdojë.

Ora 22:11
Hashim Thaçi: Jam gati të shkoj në Hagë nëse më thërrasin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh sonte se është gati që të shkojë në Hagë nëse e thërrasin për të dëshmuar. Ai tha se nuk ka cmim dhe gjykatë që mund të cënojë luftën e UÇK-së.

Pra ju nuk keni frikë nga Gjykata Speciale?
Në asnjë rrethanë, as frikë dhe as që mendoj se ajo ndikon tek unë. Ftoj edhe bashkëluftëtarë e tjerë që t’i përgjigjen të gjitha ftesave që u bën nga Gjykata Speciale. Nëse nesër më thërrasin për të më pyetur qoftë në Prishtinë, qoftë në Hagë, nuk e kam fare problem. Do t’i përgjigjem pozitivisht.

Ju kanë thirrur ndërkohë?

Jo. Kam dhënë katër intervista për Gjykatën e Hagës.

Kur ka qenë hera e fundit?
Nëse më kujtohet mirë, tek EULEX-i ka qenë në vitin 2012.

Këta 3 muajt e fundit nuk ju kanë thirrur?
Jo, jo. Në asnjë rrethanë. Ka pasur shpifje prej medieve të Beogradit, të përkthyera shpejt e shpejt në Prishtinë dhe në Tiranë. E theksoj edhe një gjerë, që të gjitha ftesave do t’u përgjigjem menjëherë, si qytetar dhe si luftëtar i Republikës së Kosovës, i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ju thoni që nuk keni frikë.
Jam jashtëzakonisht krenar me luftën që kam zhvilluar dhe të bashkëluftëtarëve të mi. Ky është çmimi i lirisë.

Të gjithë shqiptarët janë krenarë për UÇK-në. Ju thatë që nuk keni frikë, por pas 21 viteve...
Ndihem krenar për krenarinë e të gjithë shqiptarëve. Përse të kem frikë? As unë dhe asnjë luftëtar nuk ka frikë. Ka shkuar edhe z. Limaj në Hagë dhe ka dalë i pafajshëm sepse kishte vetëm shpifje për të. Ka qenë z. Haradinaj, dy herë madje, ka dalë i pafajshëm sepse është ballafaquar me shpifje. Mos harro diçka. Beogradi gjithkujt mund t’ia falë, gjithçka, por kurrë lidershipit të UÇK-së nuk ia fal atë angazhim që ka pasur në luftë me Serbinë, për largimin e Serbisë nga Kosova, sepse pa UÇK-në, pa atë lidership, pa ata komandantë, pa ata luftëtarë, kurrë nuk do të ndodhte.

Si shpjegohet që janë thirrur të gjithë dhe vetëm juve nuk ju kanë thirrur?
Jo, nuk janë thirrur të gjithë.

Unë hyj te njohësit e mirë të Kosovës.
Lufta jonë ka qenë një përpjekje madhore, e domosdoshme, ekzistenciale dhe kemi fituar mbështetjen ndërkombëtare, kështu që nuk ka çmim, nuk ka gjykatë që mund cenojë atë luftë. Por Kosova, në dallim nga vendet e tjera, ka qenë më korrektja, më bashkëpunuesja, më konstruktivja me drejtësinë ndërkombëtare, edhe më tepër se Kroacia, se Serbia edhe se Bosnja, Edhe pse ka qenë viktima më e madhe, sot për fat të keq, edhe pse ka kryer Serbia gjenocid në Kosovë, shqiptarë e Kosovës për herë të katërt ballafaqohen me drejtësinë ndërkombëtare: në vitet 1999-2008, pastaj me misionin e EULEX-it, pastaj me Gjykatën e Hagës dhe tani përsëri me Gjykatën Speciale. Për hir të lirisë, pavarësisë dhe ruajtjes së partneritetit me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n, edhe këtë sfidë do ta tejkalojmë me pasoja sa më të vogla, por aspirata madhore e shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO dhe në BE, nuk ka të ndalur. Shtrohet pyetja: po sikur të mos e krijonim Gjykatën Speciale, ku do të ishte Kosova, e izoluar, e bojkotuar prej SHBA-ve, pa asnjë perspektivë për në NATO dhe pa asnjë lëvizje drejt BE-së, prandaj unë si kryetar i vendit nuk kam guxuar dhe nuk kam dashur ...

Ora 21:50
Përplasja me Berishën, Thaçi: Kur unë e kam luftuar Milosheviçin, ai e ka ndihmuar

Sali Berisha ka deklaruar se projekti për shkëmbimin e territoreve mes Prishtinës dhe Beogradit është një projekt i Serbisë. Ish-Kryeministri sulmoi Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, të cilin e quajti “argat” që mbron këtë projekt. Thaçi e ftoi në debat televiziv, por Berisha refuzoi dhe tha se më përpara do të dilte në debat me presidentin e Serbisë, Vuçiç. Sonte nga emisioni '5 Pyetjet nga Babaramo", kreu i shtetit të Kosovës tha se kur ai e luftonte Miloshevicin, Berisha e ka ndihmuar.

"Nëse dikush ngre hipoteza dashakeqe dhe djallëzore, nuk do të pijnë ujë as tek unë, as te qytetarë e Kosovës dhe në veçanti, ata që e kanë ndihmuar Slobodan Milosheviçin, kur unë e kam luftuar atë, nuk do t’u funksionojnë idetë pseudonacionaliste apo të deficiteve të tyre patriotike. Shefi im është populli i Kosovës, vullneti i popullit të Kosovës, gjaku i derdhur për liri. Jam i gatshëm të diskutoj me secilin, të ballafaqohem. Kam bashkëpunuar shumë mirë si kryeministër, duke vrapuar bashkë me Berishën nëpër fshatrat më të thella të Dukagjinit, duke folur për bashkim kombëtar. Kemi pasur një bashkëpunim produktiv, për interesin e shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. Madje kam marrë pjesë edhe në fushatën elektorale të Berishës, në atë kohë kur ishte me Ramën, duke marrë pjesë në hapjen e tunelit në Kalimash. Edhe në takime të tjera.

Nuk kam parë ndonjë zemërim në atë kohë nga z. Rama, për arsye se edhe unë isha kryeministër edhe ai ishte kryeministër. Edhe kryeministri Berisha në atë kohë ka qenë në ceremoninë e hapjes së segmentit të autostradës së Kosovës. Kështu që idetë që dalin, për mua janë shumë të mirë se ardhura. Me secilin jam i gatshëm të ulem e të diskutoj, të ballafaqojmë idetë. Unë nuk jam nga bota shpellare apo e njerëzve që thërrasin për mejdan kanunor, por për ballafaqim idesh jam i gatshëm me secilin, në secilën studio, le të zgjedhin secilin gazetar dhe të diskutojmë për të gjitha çështjet që janë për t’u diskutuar, por natyrisht në fund të jetë një debat i civilizuar, jo i sulmeve, jo i etiketimeve. Unë nuk sulmoj dhe nuk etiketoj. Nuk dua të komentoj dhe nuk dua që të merrem me deklarimet individuale të askujt. Unë bashkëpunoj me secilin lider institucional. Kam pasur bahkëpunim shumë të mirë edhe me z. Berisha, edhe me z. Basha, edhe me të tjerë.

Në interesin tonë është që të kemi mirëkuptim, të kemi angazhime të përbashkëta. E theksoj që me secilin jam i gatshëm të kem ballafaqim idesh, debat. Lehtë është të etiketosh, por do të ishte në interes edhe të kulturës qytetare, politike dhe të debatit, të diskutojmë. Me secilin që ka ide kundër, unë jam i gatshëm të ulem në çdo studio televizive, qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë. Le t’i zgjedhin ata studiot dhe gazetarët dhe të ballafaqohemi pastaj hapur dhe në mënyrë të kulturuar. Qytetarët e meritojnë një debat të tillë. Mund të kenë me bollëk etiketime apo që atributet e veta t’ia bartin dikujt, gjë që nuk do të ndodhë kurrë, por i ftoj për debat të gjithë, kushdo që dëshiron të diskutojë. Por të mos presë kush prej meje që do ta etiketoj. Në veçanti dëshiroj të kem debat me njerëzit që, kur unë e kam luftuar Milosheviçin, ata e kanë ndihmuar Milosheviçin" tha ai.

Ora 21:43
Qëndrimi në Beograd për Pavarësinë/ Thaçi: Rama burrë shteti

Presidenti i Kosovës vlerësoi vizitën e Kryeministrit Rama pak vite më parë në Serbi ku i tha troç Beogradit që Kosova është e pavarur. "Nëse Prishtina ka raporte të mira me Beogradin, edhe Tirana do t’i ketë të mira. Kurrë, pa ndodhur dialogu Kosovë-Serbi nuk do të ndodhte as vizita e kryeministrit Rama në Beograd. Prandaj, cili do të ishte interesi që të mbahen ato raporte të ngrira të komunikimit mes Tiranës dhe Beogradit? Çfarë ka humbur Shqipëria prej atij takimi, me përjashtim që botërisht, para të gjitha medieve ndërkombëtare, dhe para të gjithë opinionit botëror, Kryeministri Rama ka deklaruar shumë qartë pozicionin për pavarësinë e Kosovës, natyrisht që këtë e ka pasur edhe obligim, por me një veprim shumë civilizues dhe me një qëndrim prej një burri shteti, të munguar më parë. Nuk di kush nga Shqipëria ka folur kaq hapur në Beograd" tha ai.

Ora 21:35
Pakti me Serbinë, Thaçi: Trump është zotuar, por kemi tre vija të kuqe

Hashim Thaçi u shpreh se do të pranojë një marrëveshje që ka bekimin e SHBA-së, por vendosi tre vija të kuqe. "Por në të njëjtën kohë dua të theksoj që në momentin që sigurohet njohja e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe që kjo marrëveshje është në përputhshmëri me bindjen e qytetarëve të Kosovës dhe bekohet në Shtëpinë e Bardhë, siç është zotuar Presidenti Tramp, unë pa asnjë hezitim do ta jap aprovimin tim. Pa asnjë hezitim. Ata janë një shtet jo funksional, janë të bllokuar me njëri-tjetrin. Kosova nuk mund ta lejojë diçka të tillë dhe në veçanti janë tri gjërat për të cilat duhet të kemi vija të kuqe: e para, në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk duhet të lejojmë as në tavolinë, dhe unë unë nuk do ta lejoj, hapjen e çështjes së asosiacionit të komunave me shumicë serbe sepse kjo nënkupton elemente ekzekutive serbe në Kosovë. Nuk do ta lejoj diçka të tillë, ashtu sikurse e kam këshilluar edhe Kryeministrin Haradinaj në konferencë ndërkombëtare për Kosovën sepse kjo inkorporon Rusinë në tavolinë dhe kjo do të ishte keq për Kosovën dhe mirë për Serbinë. Gjithashtu e kam këshilluar edhe z. Kurti që të mos flasë për aleanca ballkanike. Aleanca e Kosovës është një: NATO, BE, partneritet special me SHBA-të. Ne nuk mund të lidhemi në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, në aleanca ballkanike.

Ora 21:34
Pakti me Serbinë, Thaçi: Kush prek Trepçën dhe Ujmanin prek kombin shqiptar

Presidenti Thaci garantoi se asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të prekë asnjë centimetër të Kosovës. "Nuk do të ketë kufij me baza etnike. Kosova do tëjetë multietnike, Serbia do të jetë multietnike. Nuk do të ketë cenim të pasurive shtetërore të Kosovës. Trepça ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë pronë e Kosovës. Edhe bashkimi i qytetit të Mitrovicës do të ndodhë. Edhe Ujmani ka qenë dhe do të mbetet pronë e Kosovës. Unë e kam vizituar dhe njerëzit mendojnë se kam shkuar për të shëtitur. Jo. Ka qenë mesazh i qartë që ai që e prek Ujmanin, prek kombin shqiptar. Dhe nuk ndahet mirë" tha ai.

Ora 21:17
Thaçi: Nëse ikën NATO futemi në luftë me Serbinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se nëse NATO ikën nga Kosova, vendi për cështje orësh futet në konflikt të armatosur me Serbinë. 'Është e rrezikshme në të gjitha rrafshet, qoftë të sigurisë, qoftë diplomatik, qoftë ekonomik apo edhe në rrafshe të tjera. Jetojmë me një konflikt të ngrirë, që potencialisht mund të shpërthejë çdo ditë. Në Kosovë SHBA e ka bazën më të madhe amerikane në rajon, por në të njëjtën kohë, nëse nuk dëgjon këshillat e tyre, ku i dimë ne hapat e tjera? Kije parasysh dhe imagjinoni që një ditë Kosova të jetë pa NATO-n. Menjëherë, as disa orë nuk kalojnë pa u futur në konflikt të armatosur me Serbinë. Njerëzit tanë nuk duan tragjedi të reja. Nuk duan luftë. Lehtë është që të mendosh dhe të llogarisësh me muskujt dhe me fuqinë e të tjerëve. Por duhet të mendosh me energjinë tënde.

Eshtë e vërtetë ne kemi luftuar, kemi bërë projektin më madhor të kombit, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që bashkoi popullin e Kosovës, që bashkoi kombin dhe kur u bashkua kombi rreth përpjekjeve të luftës së popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bashkua edhe bashkësia ndërkombëtare, bota demokratike për të na ndihmuar sepse na kuptoi në të drejtën tonë, natyrisht dhe me gabimet e mëdha që bëri Beogradi në raport me ne. Prandaj përsëri e theksoj se kjo statuskuo dhe ky konflikt i ngrirë duhet të tejkalohen me një marrëveshje paqësore, që i hap perspektivë të dy vendeve dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Vetëm atëherë mund të themi, kur të arrihet marrëveshja paqësore Kosovë-Serbi, që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Le ta vulosim paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor' deklaroi Hashim Thaçi.

Ora 21:13
Thaçi: Pa presionin e BE-së, SHBA-ve dhe Rusisë, Serbia nuk na njeh

Hashim Thaçi u shpreh sonte në Report Tv se Serbia nuk do ta njohë Kosovën pa presionin e SHBA-së, BE-së dhe Rusisë. "Çështje identiteti. Ndërsa natyrisht që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë shumë më e vështirë, shumë më e rëndë sepse na ndan një lumë i madh me gjak me Serbinë. Serbia ka qëndruar dhunshëm përtej një shekulli në Kosovë dhe këto gjëra ne i dimë. Unë kam luftuar kundër Serbisë dhe e njoh se çfarë është Serbia. Por, për hir të gjeneratave të ardhshme, ne nuk guxojmë të mbesim viktimë e krenarisë së të kaluarës. Por duhet të lëvizim përpara, nëse mund të arrijmë marrëveshje. Unë shpresoj që të mund të arrijmë marrëveshje.

Do të hapet një perspektivë e një rajoni pa kufij, nën ombrellën euro-atlantike. Sepse, tek e fundit, këta kufij që kemi sot dhe gjërat që i diskutojmë sot, mendoj se për gjeneratat e ardhshme do të jenë qesharake, kur t’i lexojnë këto debate që aktualisht zhvillohen. Që të jemi pjesë e BE-së edhe Kosova e Serbia duhet t’i kenë të përcaktuara qartë popullatën, natyrisht edhe territorin. Nëse dikush mendon se Serbia do të na njohë vullnetshëm, pa një presion të BE-së dhe të SHBA-ve, dhe natyrisht ndoshta edhe një pëlqim të Rusisë, mashtrohet keq. Sot jetojmë në një statuskuo që, për mua, pas 11 vitesh pavarësie, paraqet regres për Kosovën. Është e rrezikshme në të gjitha rrafshet, qoftë të sigurisë, qoftë diplomatik, qoftë ekonomik apo edhe në rrafshe të tjera. Jetojmë me një konflikt të ngrirë, që potencialisht mund të shpërthejë çdo ditë". 

Ora 21:08
Haradinaj kundër rishikimit të kufirit me Serbinë/ Thaçi i përgjigjet dhe rrëfen si lindi ideja e paktit

Presidenti i Kosovës e konsideron të domosdoshme marrëveshjen me Serbinë, por Haradinaj e konsideron si tradhti cdo pakt që rishikon kufijtë. Thaçi tregoi sonte edhe se si lindi ideja e marrëveshjes.

"Duhet pasur parasysh se në Kosovë ekziston, tek e fundit, një tolerancë e komunikimit dhe e dallimeve për arritjen e objektivit të përbashkët. Edhe në Rambuje, kur e kam nënshkruar marrëveshjen, ka pasur plot komandantë që kanë qenë kundër. Edhe nga bashkëluftëtarët e mi. Dhe sot jemi miq. Edhe për Dokumentin e Presidentit Ahtisari. Madje ka pasur edhe nga miqtë e mi që kanë protestuar, por unë kam lëvizur përpara sepse i kam besuar atij vizioni se vetëm me BE-në dhe me SHBA-të mund të lëvizim përpara dhe jo me emocionet tona të së kaluarës, jo me mllefet politike ditore, apo me targetet e politikave ditore, të cilat nuk çojnë larg, nuk kanë rrugë të sigurt. Apo që janë të frymës populiste më tepër sesa të realizimit të objektivave afatgjata të shtetit të Kosovës. Populizmi është si valët e detit, të nxjerr në rërë ose të përplas diku në shkëmb.

Shpejt ikin. Kështu që ne nuk guxojmë të biem nën ndikimin e frymave të disa vendeve që për hir të disa votave, unë kam qenë që prej 20 viteve lideri më i votuar edhe në zgjedhjet lokale edhe në ato të përgjithshme, por gjithmonë e kam ruajtur vijën e bashkëpunimit të ngushtë, drejtimin e drejtë të vendit. Nuk kam lejuar edhe në opozitë të organizoj kurrë demonstrata për të ardhur në pushtet, as të provokoj dhunë, kurrë. Kam qenë në opozitë, e kam ndihmuar pushtetin, qeverinë për realizimin e objektivave tona madhore. Kështu që dua të rritet përgjegjësia. Edhe ne kemi pasur përplasje në Kosovë për sa i përket demarkacionit me Malin e Zi. Shumë njerëz kanë qenë kundër atij vendimi. Unë e kam nënshkruar. Por pas tre vitesh që humbëm edhe të drejtën për liberalizimin e vizave, përsëri kundërshtarët më të mëdhenj, me lot në sy prej entuziazmit se arritën t’i grumbullojnë 2/3, kanë votuar.

Si ka lindur?
Ka lindur nga domosdoshmëria që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje përfundimtare. E ka hedhur Bashkimi Evropian, edhe SHBA-të e kanë mbështetur, ashtu sikurse e hedh edhe vetë realiteti, nevoja, që edhe Kosova edhe Serbia të lëvizin sa më shpejt drejt të ardhmes evropiane, Kosova edhe drejt NATO-s.

Nga BE-ja, kush e ka hedhur idenë?
Autoritetet udhëheqëse të tyre, edhe Presidenti Junker, edhe z. Han, edhe znj. Mogerini. Procesin e udhëheq znj. Mogerini, me mandatin dhe në autoritetin ligjor që ka.

Ora 21:03
Pakti me Beogradin, Thaçi zbulon objektivin: Ja çfarë synojmë të marrim nga Serbia

Presidenti Thaçi ngulmon për një marrëveshje me Serbinë, por me çfarë çmimi? Ai mohon idenë e shkëmbimit të territoreve, që i cilëson pazare, ndërsa tregon se kush është objektivi i tij.
'Askush nuk ka folur për dhënie territori. Qëndrimi im është shumë i qartë. Unë synoj që edhe përtej kornizave kushtetuese të Kosovës, të realizoj aspiratën e të drejtës së qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe të Bujanovcit për bashkangjitje me territorin e Kosovës. Është një e drejtë legjitime e tyre. E kanë treguar vullnetin e tyre përmes referendumit të vitit 1992. Kanë zhvilluar luftë që diçka e tillë të ndodhë. Kanë sakrifikuar, prandaj edhe unë i përkrah shumë fuqishëm, i përkrah si president i vendit, i përkrah në realizimin e të drejtës së tyre legjitime dhe historike.

Në çfarë pike janë negociatat?
Mendoj që negociatat kanë shënuar progres. Ka vullnet të dyanshëm për të diskutuar për të gjitha çështjet e hapura, që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkuptohet çështja e të zhvendosurve, e refugjatëve, edukim, shëndetësi, trashëgimia kulturore serbe, zhvillimi ekonomik, artifaktet arkeologjike dhe shumë e shumë çështje të tjera, të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme për t’u diskutuar. Gjithashtu edhe bashkëpunimi në segmentet e sigurisë, për t’u përmbyllur pastaj me preambulën që nënkupton ndryshimin e Rezolutës 1244 dhe pika e parë e marrëveshjes duhet të jetë që Kosova dhe Serbia të njohin njëra-tjetrën si vende sovrane dhe me integritete territoriale të përcaktuara me marrëveshje. Prandaj nuk di se kush e pengon arritjen e marrëveshjes përfundimtare që nënkupton njohja reciproke Kosovë-Serbi, si dy vende të pavarura, dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. Është një moment historik, të cilin ne guximshëm duhet ta shfrytëzojmë, të përballemi në mënyrë sa më unike dhe sa më të bashkuar që do të jemi, aq më të sigurt dhe më të suksesshëm, jami bindur që do të dalim në fund.

Për territorin është diskutuar në marrëveshje?
Unë e kam ngritur shumë hapur dhe botërisht të drejtën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’u bashkangjitur me territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa për çështje të tjera askush, kurrë nuk ka diskutuar.

Dhe kanë qenë të gatshëm që t’jua japin Preshevën?
Detyra ime është që të punoj, të sensibilizoj, por edhe nuk e shoh të pamundur.

Në këmbim çfarë keni dhënë?
Unë nuk merrem me shkëmbim territoresh sepse është çështje pazari dhe në kauzën time, vendin tim, për të cilin gjithë jetën kam luftuar edhe me pushkë në dorë, edhe diplomatikisht, që prej tri dekadash, nuk e vë në pazar, në asnjë rrethanë.

Keni folur për kompromis të dhimbshëm. Ku konsiston dhembja.
Kompromis i dhimbshëm natyrisht se janë disa çështje, të cilat duhen menduar. E theksova edhe më parë, për disa të drejta afirmative të serbëve në Kosovë, gjë që nuk e rrezikon shtetin e Kosovës, por nuk janë të drejta popullore te qytetarët e vendit. Tek e fundit, kompromisi i dhimbshëm ka qenë edhe dokumenti i Presidentit Ahtisari, mbi të cilin ne kemi shpallur pavarësinë me mbikëqyrje ndërkombëtare sepse të jemi të sigurt, kurrë në jetë nuk do ta pranonim dokumentin e Presidentit Ahtisari sikur të mos e kishim sigurinë, në një kuptim të premtimit të fuqishëm të negociatorëve Ahtisari, Rohan dhe Vizner, ambasadorëve, se duke i bërë këto kompromise në Vjenë, Rusia do ta pranonte atë dokument dhe do të votonte në Këshillin e Sigurimit. Ne e pranuam atë kompromis, nuk pendohem, por e theksoj që sot nuk do ta pranoja, pa e pasur sigurinë e plotë zyrtare të Rusisë sepse me ato të drejta sikur e kemi bllokuar në fakt shtetin e Kosovës, në një formë apo në një tjetër, në veçanti me të drejtën e vetos së serbëve në Parlamentin e Kosovës për disa çështje. Kështu që janë gjëra, kompromise, të cilat çojnë në një platformë të pranuar nga të dyja palët duke i balancuar interesat e të dy shteteve.

Ora 20:58
Thaçi: Ja se duhet ta bëjmë tani paktin me Serbinë dhe cfarë më tha Putini

Presidenti i Kosovës shpjegoi se përse duhet të realizohet tani marrëveshja me Serbinë, ndërsa rrëfeu edhe takimin me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Pse me kaq ngut marrëveshja?
Unë jam presidenti i vendit dhe e kam obligim të kultivoj funksionimin demokratik të institucioneve të vendit, por edhe në rrafshin strategjik të orientimit të vendit. Unë nuk dua që vendi im të jetë në drejtim të gabuar. Mund të ketë politika të gabuara të vendit tonë që përmirësohen, por politika strategjike nëse devijojmë, atëherë devijon vendi, shteti, shoqëria dhe natyrisht paguajmë çmim të lartë. Mos mendojmë ne se jemi epiqendra e botës? Ku do të ishim ne pa SHBA-të? Një vend i harruar, i përbuzur, i izoluar, i vrarë dhe në kuptimin e plotë të fjalës, në rrafshin ndërkombëtar nga askush të interesuar.

Po pse duhet ta realizojmë tani marrëveshjen me Serbinë? Pse ky ngut, brenda gjashtëmujorit të parë?
Realisht do të duhej ta bënim sa më shpejt. Ne kemi jetuar një armiqësi të përhershme, mbi njëshekullore, Kosovë-Serbi. Është ushtruar një dhunë e paparë, deri në përmasat e gjenocidit, spastrim etnik, 13.500 civilë janë vrarë, 850.000 njerëz janë dëbuar dhunshëm, rreth 20.000 gra janë dhunuar, 400 masakra serbe janë kryer në Kosovë dhe për fat të keq nuk është dënuar ende askush nga Serbia. Ata njerëz që i kanë organizuar këto vrasje, dhunime e dëbime janë në pushtet në Serbi, në instanca të ndryshme. Por, sot vendi është i lirë, i pavarur, me synime për anëtarësim në NATO dhe në BE. Ne duhet ta kujtojmë dhe ta respektojmë shumë të kaluarën tonë, duhet të kërkojmë drejtësi gjithmonë, por duhet të shikojmë edhe nga e ardhmja, të ndërtojmë një paqe të qëndrueshme. Ne jemi një vend që kemi fituar 116 njohje, por vendet potencialisht që kanë pasur mundësi për të na njohur, na kanë njohur. Tani kanë mbetur vende që ose janë kundër pavarësisë së Kosovës, ose kanë rezerva. Kemi edhe një lobim të fuqishëm edhe prej Serbisë, por edhe prej aleatëve të Serbisë në botë.

Pse tani? Sepse për herë të parë, nuk ka ndodhur as në Rambuje, në vitin 1999, nuk ka ndodhur as në bisedat e Vjenës në vitet 2006-2008, që Serbi të ulet dhe të tregojë gatishmëri për të diskutuar për çështjen e njohjes reciproke. Dhe nga ana tjetër, kemi interesimin e madh të bashkësisë ndërkombëtare, edhe me udhëheqjen e BE-së, por edhe fokusin e drejtpërdrejtë të SHBA-ve, konkretisht të Shtëpisë së Bardhë, të vetë presidentit Tramp. Një fokus i tillë nuk i vjen shpesh dhe nuk i ndodh shpesh një vendi kaq të vogël si Kosova, apo rajonit tonë dhe në veçanti nga vetë personalisht Presidenti Tramp. Dhe nga ana tjetër kemi edhe një rrethanë favorizuese, unë nuk jam entuziast nëse do ta mbajnë fjalën apo jo, edhe një deklarim, të paktën verbal, por edhe nga takimi që unë kam pasur me Presidentin e Rusisë Putin, për herë të parë në Paris, ata deklarojnë se janë të gatshëm të njohin një marrëveshje, të mirëkuptojnë një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo nënkupton largimin e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit.

Ky takim u ndërmjetësua nga Beogradi?
Ky takim nuk është ndërmjetësuar nga askush, ka ndodhur aty për aty, në një bashkëbisedim të këshilltarëve të mi me ata të Presidentit Putin. Në sallën ku është zhvilluar ky takim i shkurtër 5-7 minuta kanë qenë shumë pranë edhe Presidenti Tramp, edhe Presidenti Makron, edhe Kancelarja Merkel, kështu që ka qenë një vullnet i përbashkët i imi si President i shtetit të Kosovës për të diskutuar shumë hapur me Presidentin e Rusisë. Mendoj se takimi që ka ndodhur është mirë për Kosovën sepse për herë të parë, një President i Rusisë ka pranuar të diskutojë hapur, në mënyrë transparente dhe botërisht të njohur me presidentin e një shteti që ende ata nuk e njohin dhe që janë bllokada jonë kryesore në Këshillin e Sigurimit dhe për njohjen globale për Kosovën. Unë thashë që nuk jam entuziast, por biseda ka qenë korrekte. Pyetjet që i kam parashtruar Presidentit Putin kanë qenë shumë të qarta, por dhe përgjigjet kanë qenë të qarta. E kam pyetur shumë hapur që nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje përfundimtare midis tyre me njohje reciproke, si do të veprojë Rusia dhe ai tha që do ta pranojmë. Po pastaj, - e pyeta, - në çështjen në Këshillin e Sigurimit, si do të veprojë Rusia? Ne nuk mund ta zgjidhim as pse nuk është Serbia, - u përgjigj ai. Mendoj që janë gjëra të cilat, më herët na kanë munguar që t’i dëgjojmë nga Rusia zyrtare. Nëse do ta mbajnë fjalën apo jo, është çështje krejt tjetër.

Ora 20:56
Këshilla për heqjen e taksës, Thaçi: Ta dëgjojmë, pa SHBA-në, BE-ja, NATO dhe njohjet mbesin ëndërr

Presidenti i Kosovës kërkoi që këshilla e SHBA-së për heqjen taksës me Serbinë të dëgjohet, pasi pa mbështetjen e Amerikës, integrimi në NATO, BE apo edhe njohjet mbesin ëndërr."Kosova është shtet në ndërtim e sipër, në një proces konsolidues të brendshëm dhe ndërkombëtar. Nuk e ka luksin dhe nuk guxon t’i thotë “jo” këshillës së SHBA-ve. Ne, për fat të mirë, si komb jemi që prej tri dekadave të orientuar nga vlerat e civilizimit botëror. Na kanë pranuar realisht edhe Kosovën edhe Shqipërinë. Është fat që Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe kurrë, edhe sot, Shqipëria nuk do të ishte pjesë e NATO-s pa vendimmarrjen e SHBA-ve dhe konkretisht të Presidentit Bush. Gjithashtu edhe Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur pa SHBA-të. Janë naivë ata që mendojnë se do ta fitonim luftën vetë.

Do të përfundonim të izoluar, të rraskapitur, të ndjekur, të deportuar, spastrim etnik, gjenocid dhe pa mbështetje ndërkombëtare. Prandaj duhet shikuar se ku kemi qenë dhe ku jemi sot dhe në çfarë drejtimi do të shkojmë. Realisht SHBA-të nuk kanë pakënaqësi me proamerikanizmin e popullit të Kosovës. Kanë pakënaqësi me çështje të politikave të qeverisë në Kosovë, prandaj duhet bërë dallimi në mes të partneritetit të SHBA-ve me shtetin dhe me popullin e Kosovës dhe politikën e gabuar në segmente të caktuara të qeverisë së Kosovës. Kosova nuk guxon dhe nuk e ka luksin të marrë një pozicion të tillë që i kënaq, dhe këtë mund ta them lirisht, kundërshtarët e pavarësisë apo kush ka mundur të imagjinojë në këtë botë që 20 vite pas luftës, Serbia të jetë më luajale në kuptimin e qeverisë në raport me SHBA-të dhe Kosova më pak e dëgjueshme, në kuptimin e respektimit të këshillave. Por duhet kuptuar gjithashtu se ka pasur edhe vende të tjera që nuk i kanë dëgjuar këshillat e SHBA-ve, por nuk kanë përfunduar mirë. 

Ka pasur zhvillime anekënd botës. Ka edhe sot zhvillime të tilla, kështu që gjithmonë duhet të kemi parasysh interesin strategjik të vendit tonë, shtetit të Kosovës sepse synimi është që të jemi pjesë e NATO-s, e BE-së dhe e OKB-së. Mendon dikush se Kosova do të fitojë njohje të reja, anëtarësime në organizatat ndërkombëtare dhe do të lëvizë shpejt drejt NATO-s dhe BE-së, por në veçanti drejt NATO-s pa mbështetjen e SHBA-ve? Është një ëndërr, është një filozofi shumë e rrezikshme, e cila është në kundërshtim të plotë me vullnetin dominues të qytetarëve të Kosovës, me vlerat që ne përfaqësojmë dhe me bazamentin e luftës që ne kemi zhvilluar. Kështu që unë e theksoj, që dashuria në raport me SHBA-të e Kosovës është shumë më e madhe sesa respekti për taksën" tha ai.

Ora 20:43
Taksa për Serbinë, Thaçi: Mallrat po futen kontrabandë, s'duhet të dalim kundër SHBA-së, të hiqet

Presidenti i Kosovës u shpreh se taksa për mallrat serbe duhet të rishikohet për t'u hequr për dy arsye, e para sepse mallrat serbe pavarësisht masës së vendosur po futen kontrabandë dhe e dyta se Kosova nuk mund të dalë kundër këshillës së Amerikës.

Kryeministri Haradinaj është shprehur se nuk e heq taksën 100% kundrejt produkteve serbe dhe boshnjake. Në qoftë se nuk e heq, ikën qeveria?
Pushtetet janë të ndara. Presidenti ka punën e vet, Kuvendi ka të vetën, ashtu si edhe qeveria ka punën e vet. Puna e taksës është një çështje që e ka vendosur qeveria me propozimin e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës me 10% dhe pastaj është avancuar në 100% nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili e ka propozuar, nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe që është institucionalizuar nga qeveria e Kosovës. Tani u takon që ta zhvillojnë debatin vetë, brenda në qeveri, por një gjë mund të them se Serbia e ka merituar një vendim të tillë, në veçanti pas veprimeve agresive që ka bërë në raport me diplomacinë e Kosovës dhe të drejtën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol dhe në UNESKO, por edhe në përpjekje për mosnjohjen e Kosovës nga vende të caktuara në botë.

Por duhet pasur parasysh se tani kaluam një kohë dhe unë besoj gjithashtu se do të ketë një debat të brendshëm mes partnerëve të koalicionit dhe, me të gjithë ata që kam diskutuar, shohim se ajo taksë ka pasur efektin e vet. Me të gjithë partnerët që kam diskutuar shoh një vullnet për të lëvizur përpara, t’i hapet një mundësi dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Nuk pajtohem në asnjë rrethanë që Serbia të kushtëzojë dialogun. Gjithashtu edhe Kosova nuk duhet ta vështirësojë këtë proces, sepse, pavarësisht se taksa tani është në fuqi, mallrat serbe janë duke hyrë në Kosovë qoftë përmes kontrabandës në veri, që tani është fuqizuar, dhe për këtë duhet të jemi realistë dhe kemi diskutuar me intitucionet e Kosovës, por mallrat serbe po futen edhe përmes Malit të Zi, përmes Shqipërisë dhe në veçanti përmes Maqedonisë. Prandaj mallrat serbe janë prezente në Kosovë. Është e vërtetë që po funksionon taksa, por ato po futen përmes shteteve të tjera.

A nuk do të ishte më mirë që të luftohet kontrabanda sesa të hiqet taksa?
Për fat të keq, pas taksës kemi edhe dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në veri dhe tani atje nuk ekziston një kontroll i institucioneve të Republikës së Kosovës, me përjashtim të dy policëve dhe të dy doganierëve kosovarë. Tani duhet të shikohet se cila do të jetë përparësia e Kosovës dhe jo e individit, në mënyrë që të ndalet kontrabanda sepse tani, nuk ka pasur për një kohë të gjatë, por i ka hapur rrugë kontrabandës, sikurse i ka hapur rrugë ardhjes apo sjelljes së produkteve serbe në mënyrë të njëjtë, por nga vendet e ndryshme, në veçanti nga Maqedonia, e theksoj, por edhe nga Mali i zi e nga Shqipëria. Kështu që dyqanet kosovare janë të mbushura me mallra serbe, të ardhura nga drejtime të ndryshme. Por çështja e taksës nuk është e ndërlidhur drejtpërdrejt me Serbinë. Tani kemi këshillat dhe rekomandimet e SHBA-ve që të ketë një pezullim të përkohshëm dhe mendoj se ngurtësia e treguar në këtë çështje, mund të ketë pasoja jo të mira për vendin tonë, për shoqërinë tonë dhe në veçanti për institucionet e Kosovës.

Askush nuk e ka menduar se Kosova do të mund të kontestonte këshillën e SHBA-ve, duke u nisur nga Presidenti Tramp, nga Sekretari Pompeu dhe nga Departamenti i Mbrojtjes, të cilët i kanë dërguar letër Kosovës që ta respektojë këshillën e tyre, ta pezullojë taksën për një periudhë të shkurtër kohore, t’i hapë rrugë dialogut dhe të arrihet mundësisht marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi. Tani, për fat të keq, kemi veprimet e para të SHBA-ve në kuptimin e masave ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe ndaj Policisë së Kosovës, ndaj Doganave, me ekspertizën e tyre që kanë dhe në këtë drejtim ne duhet të shikojmë se cili është interesi ynë. Nuk duhet që për shkak të armiqësisë me Serbinë të cenojmë raportet strategjike me SHBA-të. Pra, për asnjë taksë nuk duhet të cenojmë miqësinë e përjetshme me SHBA-të, në një formë apo një formë tjetë. Ne të gjithë duhet ta kuptojmë se SHBA-të janë hisedarë në lirinë dhe në pavarësinë e Kosovës. Ato kanë luftuar për lirinë e Kosovës, për çlirimin e Kosovës. Janë sot prezent në Kosovë. Kanë investuar dhe shpenzuar me miliarda e miliarda, kanë qendrën ushtarake në Kosovë, më të fuqishmen në rajon. Kështu që këto këshilla, mendoj që duhet të merren seriozisht. E theksova se as partnerë e miqtë tanë, as armiqtë tanë nuk e kanë menduar që do të vinte një ditë kur Kosova do t’i thoshte “jo” këshillës së SHBA-ve.

Ora 20:40
Darka në Prishtinë/ Thaçi zbulon cfarë u diskutua me Ramën dhe tensionet me Haradinajn

Presidenti Thaçi zbuloi detaje nga biseda me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe liderët e Kosovës pak javë më parë në Prishtinë në shtëpinë e tij.

I kërkuat ju Ramës që të vinte?
Jo, jo. Pasi ishim dakordësuar edhe me kryeministrin e Kosovës, me kryeparlamentarin Veseli dhe me z. Limaj dhe z. Pacolli, kemi biseduar edhe me z. Rama dhe jemi dakordësuar që të takohemi në një ambient privat, kështu që unë kam qenë si mikpritës i nderuar. Ka qenë një ndenje e dinjitetshme, mirëkuptuese dhe në një frymë shumë tolerante, në diskutimin e të gjitha çështjeve që kanë qenë të arsyeshme në rrafshin edhe privat, edhe personal, por edhe politik e institucional. Kështu që është diskutuar vetëm në rrafshin pozitiv për të gjitha çështjet dhe në asnjë rrethanë as ballafaques dhe as negativ për askënd.

Tensionet e shpallura publikisht mes Haradinajt si me ju, ashtu edhe me kryeministrin Rama u tejkaluan në këtë ndenje?
Unë nuk kam parë ndonjë tension apo ndonjë ballafaqim mes kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë, madje mund të them se ka pasur një kimi që u ka funksionuar shkëlqyeshëm në atë takim, në atë bisedë sepse unë kam qenë si nikoqir shumë i heshtur dhe mendoj se hapat që janë ndërmarrë prej të dyja qeverive në takimet e fundit, janë hapa konkrete të një bashkëpunimi që po jep frytet e veta konkrete. Mendoj që tani ai komunikim është i zakonshëm, i rregullt në nivel kryeministror, por edhe me bartësit e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës. Kryeminisri Rama ishte edhe në ceremoninë e 11-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Është pritur me respektin më të lartë institucional edhe në pjesëmarrjen e tij në Kuvendin e Kosovës, edhe në ceremoninë e parakalimit të Ushtrisë së Kosovës. Prandaj ishte një mesazh i mirë, ashtu sikurse do të ishim të mirëpritur të gjithë njerëzit që do të vinin, bartësit e institucioneve apo edhe liderët politikë të opozitës, siç kanë qenë edhe vitin e kaluar. Të gjithë janë kontribuues për lirinë e Kosovës, të gjithë janë gëzuar për Pavarësinë e Kosovës dhe të gjithë njerëzit në Shqipëri, me siguri, e duan Kosovën.

Vetëm Ramën kishit ftuar nga autoritetet e Tiranës, apo kishit ftuar edhe të tjerë?
Ka qenë një komision ndërshtetëror për organizimin e 11-vjetorit të Pavarësisë. Të them të drejtën, nuk kam qenë i informuar në detaje për të gjitha çështjet, sepse kam qenë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, por Rama ka qenë në ceremoni.

Ora 20:38
Shtëpia e re në Prishtinë, Thaçi: Modeste, me të ardhurat e familjes

Pak javë më parë Rama zhvilloi një takim me liderët e Kosovës në shtëpinë e Thaçit në Çagllavicë, e cila ka qenë objekt diskutimesh dhe akuzash në Kosovë. Por sa ka kushtuar shtëpia e Presidentit të Kosovës?

"Realisht, pas 20 viteve të angazhimeve të pasluftës, duhej që ta kisha një adresë, kështu që gjithçka është e raportuar në Agjencinë e Antikorrupsionit, kështu që është gjithçka transparente dhe mund të verifikohet. Është një angazhim modest për familjen nga burimet e mia familjare" tha ai.

Ora 20:36
Dorëheqja e opozitës/ Thaçi: Rama bëri atë që i mungonte Shqipërisë prej një shekulli, dialogoni

Tema kryesore e bisedës është ajo se çfarë po ndodh me negociatat mes Serbisë dhe Kosovës. Por, cfarë komenti ka Thaçi për situatën politike në Shqipëri, ku opozita ka djegur mandatet pas protestës së dhunshme në 16 shkurt, ndërsa kërkon largimin e Ramës dhe zgjedhje të parakohshme. Thaçi vlerëson punën e qeverisë Rama, ndërsa kërkon që dy palët të dialogojnë për të mirën e vendit. "Realisht i kam përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në Tiranë, ashtu siç i përcjell edhe politika e Tiranës të gjitha zhvillimet në Prishtinë apo gjetiu ku jetojnë shqiptarë, por edhe më gjerë. Nuk është në ndërgjegjen e moralin, as në etikën time që të jap opinione interferuese në skenën politike të Shqipërisë, ashtu sikurse as nga Shqipëria besoj se nuk do të ishte me interes që dikush të pretendonte për interferim, në kuptimin negativ, në skenën e politikës, sepse skena politike edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë është e pjekur plotësisht për ndërmarrjen e hapave të drejtë, të mençur dhe të urtë në shërbim të dy shteteve, si të Shqipërisë edhe të Kosovës. Por ajo që është jashtëzakonisht me rëndësi është se duhet të respektojmë legjitimitetin dhe autoritetin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira, institucione këto që burojnë prej vullnetit të njerëzve, si në Prishtinë, si në Tiranë. Pastaj debatet, ballafaqimet pozitë-opozitë janë gjëra që duhet të respektohen dhe të shikohen në kuadër të kornizës së angazhimeve që kemi, edhe ligjore, por në të njëjtën kohë edhe kushtetuese, edhe të funksionimit të demokracisë.

Gjithashtu, debatet dhe ballafaqimet janë ato që duhet të na çojnë përpara. Ato janë vlerë e proceseve tona euro-atlantike, por në asnjë rrethanë nuk duhet të na kthejnë prapa apo të bllokojnë të ardhmen e qytetarëve tanë, prandaj, mendoj që është jashtëzakonisht me rëndësi dialogu pozitë-opozitë që të punohet për reforma. Unë mendoj që Shqipëria ka pasur një vlerësim maksimal prej Bashkimit Evropian dhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti, në procesin e reformave demokratike. Mendoj se në këtë drejtim kryeministri Rama, me reformat që ka bërë, ka bërë një punë që i ka munguar Shqipërisë prej një shekulli të tërë. Por, natyrisht që ky angazhim duhet të ketë një koordinim të afërt edhe me opozitën, në mënyrë që të jenë të gjithë bashkëpjesëmarrës dhe bashkëmeritues, sepse tek e fundit, reformën në drejtësi e kanë votuar të gjithë, me aq sa di unë, me 2/3 e votave.

E theksoj përsëri, që unë jam Presidenti i Kosovës dhe nuk dëshiroj që të jap mendime në favor apo kundër askujt, por çdo herë, me tërë angazhimin tim politik që prej dy dekadash, kam respektuar institucionet e Shqipërisë, bartësit e institucioneve, gjithmonë në raport korrekt me të gjithë aktorët politikë apo edhe të shoqërisë civile. Dhe përsëri unë mendoj që duhet të respektohet parimi i dialogut dhe i mirëkuptimit, dhe i respektimit të legjitimitetit qytetar dhe në asnjë rrethanë të sfidohen proceset e rregullta demokratike prej kujtdo qoftë dhe prej ngado që vijnë. Toleranca, mirëkuptimi dhe dialogu janë vlera që politika shqiptare, mendoj unë, që duhet t’u avancojë. Në këtë drejtim ajo që i njoh aktorët politikë në Shqipëri, qofshin të pozitës, qofshin të opozitës, sepse ka pasur edhe përvoja të tilla siç ka qenë ajo para dy vitesh në mes të z. Rama dhe z. Basha, mendoj duhet të vazhdohet me atë frymë të gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për të ecur përpara, sepse askush askënd nuk mund ta sfidojë.

Apo siç ka pasur përvoja edhe më të hershme në Tiranë, siç ka pasur edhe në Prishtinë, të ballafaqimeve, të konfrontimeve, por përsëri jemi ulur dhe mendoj se tryeza duhet të vazhdojë gjithsesi dhe duhet të funksionojë, pavarësisht dallimeve, tryeza e partive politike për reforma, për angazhime aktuale që janë, por edhe për të ardhmen. Pra, dialogu, mirëkuptimi dhe shqyrtimi i mundësive për të gjetur zgjidhje të interesit të përbashkët qytetar dhe politik, natyrisht gjithmonë duke respektuar apektin kushtetues dhe ligjor. Por, duhet pasur parasysh se edhe ne si Kosovë si shtet, edhe Shqipëria, nuk kemi të bëjmë vetëm me ambiciet politike tonat, por kemi të bëjmë edhe me kornizat e angazhimeve euro-atlantike, që duhet t’i rrspektojmë ato vlera dhe ato parime, të cilat janë jetike për të ardhmen edhe të Kosovës, por edhe të Shqipërisë" tha ai.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • CaBone: 26/02/2019 10:54

    E kam ndjekur intervisten te plote mbreme dhe hallall ta boft zoti Z. Thaci. Nuk te ka ren as nje fjal ne tok. Fjalim i plote dhe i sakte nga dikush qe e don dhe ka dhen gjakun per vendin e vet. Thjesht mendimi im personal.

    Përgjigju
  • Beni: 25/02/2019 23:19

    Edhe ty te kishim mangut, te na tregoje madherine e tij Edi Rama, shqiptarin me te madh te 100 vite=ve te fundit. Ik or trap, shko ne kosove se aty ta tregojne vendin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot