Haradinaj letër homologëve në botë, u shpjegon natyrën e dialogut Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se u ka dërguar letër kryeministrave të të gjithë botës për t'iu shpjeguar natyrën e dialogut Kosovë-Serbi.

Në një postim në Facebook, Haradinaj tha se dialogu Kosovë-Serbi është dialog mes dy shteteve sovrane dhe "për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës, por normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, me njohje reciproke". " Me anë të këtij sqarimi dhe qëndrimi, synojmë t’i japim fund propagandës serbe se statusi dhe territori i Kosovës është ende në tavolinë. Kosova e ka përmbyllur shtetësinë e saj më 17 shkurt, 2008", tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës tha se nuk janë plotësuar kushtet apo kriteret që ai i ka kërkuar në letrën dërguar qeverive të vendeve më të fuqishme botërore për pezullimin apo shfuqizimin e taksës. Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, gjatë një konference për media, Haradinaj tha se vendosja e tarifës doganore në 100 për qind për mallrat që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, është bërë në kuadër të Kushtetutës se Republikës se Kosovës dhe ligjeve në fuqi.

Ai nuk është ndalur shumë as te propozimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli që taksa të pezullohet për 120 ditë, në mënyrë që t’i jepet shans vazhdimit të dialogut me Serbinë, në kuadër të procesit që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian. I pyetur nga gazetarët nëse qëndrimi i tij dhe i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli do të çojnë në rënien e qeverisë dhe do të dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme, Haradinaj tha se edhe në atë rast, taksa do të mbetej në fuqi.

Institucionet e Kosovës po përballen ditëve të fundit me kërkesat e shtuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të pezullojnë tarifën doganore, në mënyrë që procesi i dialogut me Serbinë të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të raporteve reciproke. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011. Palët janë nën presion për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë