Në përkujtimin e 19-vjetorit të masakrës së Studimes, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se një pakt i paqes me Serbinë, është e gjitha çka Kosova mund të japë sot.
Sipas tij, Kosova ka dhënë më të çmueshmen, më të vështirën që mund të jepet për paqen, jetët e njerëzve të pafajshëm, ndërsa 116 martirët e Studimes të Vushtrrisë janë dëshmi e kësaj.
Duke komentuar marrëveshjen e shumëpërfolur Kosovë-Serbi, Haradinaj theksoi se Kosova tashmë ka deklaruar statutin e vet, dhe kjo është e gjitha çka mundet të bëjë sot, është të jetë pjesë e një marrëveshjeje paqësore, e cila do t'i hapte rrugë integrimit të Kosovës në NATO, OKB dhe BE.
Ai shtoi se institucionet qendrore do ta ruajnë gjithmonë nderimin për të rënët e lirisë, dhe se familjarët e martirëve të Studimes, do të kenë përjetësisht njerëzit e tyre në themelet e shtetit të Kosovës.
Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se si çdo përvjetor, sot Studimja ndien dhimbje dhe krenari për të përkujtuar dëshmorët dhe martirët.
Ndërsa në emër të familjarëve foli, Latif Gërxhaliu, i cili më këtë rast, u bëri apel institucioneve që ta tregojnë veten për të vënë drejtësi për masakrën e Studimes.
Komente









