PRISHTINË, 21 Nëntor/ATSH/.- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot në qytetin e Gjakovës, ku ka takuar qytetarët dhe strukturat e AAK-së, dega Gjakovë.
Sipas KosovaPress, Haradinaj në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se "për 6 muaj me radhë kemi negociuar në të mirë të vendit por, si edhe e dini, Isa Mustafa ka menduar se marrëveshja e madhe nuk paska vlera prandaj edhe ka vepruar ashtu. Tani ne kemi dy parti të koalicionit të natës".
"Kosova sot gjendet para sfidave të mëdha, jo vetëm nga gjendja që e la qeveria e kaluar por edhe që u bashkuan e liga dhe e keqja, jo për të ndryshuar gjendjen por për të thelluar të keqen dhe zhgënjimin e qytetarëve. Me shumë se koalicioni paszgjedhor u tradhtua shpresa e qytetarëve të Kosovës për një shtet ligjor, për një shtet pa korrupsion, pa krim të organizuar dhe për një zhvillim ekonomik", ka thënë Haradinaj në Gjakovë.
Sipas tij, "të dëshpëruar mbeten edhe ata që votuan për një qeverisje tjetër nga i gjithë spektri politik në Kosovë, por ne si parti dhe si qytetar nuk duhet të pajtohemi me të keqen, por të mobilizohemi për shtetin tonë që ta mundim këtë të keqe dhe t'i japim shpresë Kosovës si shtet të pavarur.
Të gjithë bashkë të punojmë që institucionet e varura në shtetin e pavarur të mos mbesin të tilla dhe të mos janë pengesa e zhvillimit dhe e mirëqenies sonë të përbashkët të rendit dhe ligjit, si dhe integrimit euro-atlantike.
Kryetari i AAK-së, Haradinaj në fund të takimit të tij me gjakovarët tha," unë kam ardhur për të nderuar gjakovarët dhe me ju thanë se ne kemi pak fytyrë dhe AAK do të vazhdojë të punojnë për të mirën e vendit, në mënyrë që marrja e përgjegjësive për ndërtimin e mirëfilltë të demokracisë dhe ardhmërisë së këtij vendi të mos jetë e largët"./m.m/









