Ish-deputeti socialist i cili tashmë jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Andis Harasani është përgjigjur ndaj akuzave të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e të verifikimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë, sipas të cilave ai ka fshehur pasurinë, duke mos e deklaruar në këtë institucion.

“Nuk bëhet fjalë për fshehje të pasurisë, pasi gjithnjë e kam deklaruar pasurinë për sa kohë kam qënë aktiv në politikën shqiptare si deputet. Unë nuk kam dorëzuar deklaratën e pasurisë, pasi nuk e dija se ligji e paska të përcaktuar se në momentin kur mbyllet mandati i deputetit duhet të bëja dhe një deklaratë përmbyllëse të pasurisë. Unë jo vetëm që nuk e dija por asnjeri s’më tha për një gjë të tillë. Pra nuk bëhet fjalë për fshehje të pasurisë, por për mosdorëzim të deklaratës së pasurisë”, thotë Harasani për gazetën “Shqiptarja.com”.