Reforma e re territoriale nuk pritet të ndryshojë vetëm hartën administrative të vendit. Ajo prek drejtpërdrejt jetën e mbi 225 mijë qytetarëve, fatin e mijëra punonjësve të administratës lokale dhe mënyrën se si menaxhohen miliarda lekë nga 15 bashki që socialistët synojnë t'i shkrijnë.
Bazuar në raportet zyrtare të Ministrisë së Financave rezulton se në këto bashki të vendit janë të punësuar 4,549 punonjës, dhe në vend të parë renditet Maliqi, me 606 punëtor të cilët u shërbejnë 31 mijë banorëve.

Kurse bashkia me numrin më të madh të punonjësve në raport me popullsinë e ka Fushë-Arrëzi. Kjo bashki ka 4878 banorë dhe 303 punëtor, pra 1 punonjës për 16 banorë. Bashkia më e vogël e cilat sipas socialistëve duhet t'i bashkohet Gjirokastrës, është ajo e Libohovës me 2.765 banorë në total.
Bazuar në censin e 2023-shit 6 nga bashkitë që PS propozon të bashkohen me njësitë e tjera të pushtetit vendor, kanë më pak se 10 mijë banorë (Libohovë Poliçan, Memaliaj, Këlcyre, Fushë Arrëz, Selenice).
.jpeg)
Shifrat tregojnë se edhe pse bashki të vogla kanë administratë të konsiderueshme në raport me popullsinë, duke ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin e organizimit dhe kostot e administrimit vendor.
Përsa i përket aspektit financiar, Maliqi kryeson përsëri për buxhetin më të madh. Gjatë vitit 2025 kjo bashki ka shpenzuar në total 1.47 miliardë lekë ose 47.4 mijë lekë për banorë. Pas saj renditen Divjaka me 1.17 miliardë lekë, Cërriku me 1.12 miliardë lekë dhe Patosi me 1.09 miliardë lekë. Në total këto 15 bashki kanë shpenzuar gjatë vitit të kaluar, për paga, sigurime, mallra, shërbime apo investime afro 14 miliardë lekë.
.jpeg)
Përtej shpenzimeve bashkitë që shkrihen kanë edhe detyrime të papaguara. Rreth 3,1 miliardë lekë është totali i detyrimeve të pushtetit vendor, nga të cilat 608 mln lekë borxhe i kanë këto të 15-ta, ose e thënë ndryshe kanë rreth 19.3% të totalit të detyrimeve të bashkive.
Peshën më të madhe e kanë Dimali ku borxhi është sa rreth 17.5% të shpenzimeve vjetore ose 150.2 milionë lekë dhe Rrogozhina sa 16% e shpenzimeve vjetore, ose 140.6 milionë lekë. Kurse në disa bashki, si Patosi, Përrenjasi dhe Fushë-Arrëzi, nuk raportohen detyrime në raportin e fundit të Ministrisë së Financave.
.jpeg)
Socialistët ende nuk kanë një shpjegim se çdo të ndodh me këto detyrime.
Reforma territoriale e 2014-ës që shkriu dhjetëra komuna, i ngarkoi bashkitë me detyrime të prapambetura, të cilat janë shlyer pjesërisht edhe nga buxheti i shtetit. Në dhjetor të 2025-ës përmes një akti normativ, qeveria dha 12 milionë euro për bashkitë për të larë një pjesë të borxheve të mbetura që nga ish-komunat.
Praktikisht me shkrirjen e bashkive, detyrimet, pasurit e gjithçka tjetër kalon në menaxhim të ‘pronarit’ të ri, që në këtë rast është bashkia së cilës i bashkohen.
Kështu përshembull, Kavaja që ka vlerën më të madhe të borxheve në gjithë pushtetin vendor me 816.4 milionë lekë, do duhet të marrë përsipër edhe 140.6 milionë lekë detyrime të Rrogozhinës.
Sipas strukturës së detyrimeve të prapambetura, 15 bashkitë që do të bëhen njësh me bashkitë ekzistuese, paraqesin probleme në likuidimin e investimeve, të faturave të shërbimeve apo edhe të mallrave që blejnë.
Sa i takon të ardhurave të pushtetit vendor, ato mblidhen kryesisht nga taksat lokale, që lidhet me tatimet dhe tarifat për bizneset e qytetarët, e më pas taksa e ndikimit në infrastrukturë si rezultat i shtimit të ndërtimeve të reja.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti të gjitha bashkitë kanë mbledhur 34,8 miliardë lekë, nga të cilat 28.8 miliardë lekë janë nga taksat lokale dhe 5.9 miliardë nga taksa e pronës.










Komente
Komento