Propozimi i PS për refromën e re territoriale ka ngritur në protesta banorët e 15 bashkive që socialistët propozojnë të shkrihen. Sot radhën e kishte Belshi për të cilin parashikohet të bashkohet me Bashkinë Elbasan dhe Selenicën që sipas projektit socialist pritet të jetë një bashki me Vlorën.

Belsh, banorët kundërshtuan shkrirjen me pankarta në duar duke përcjellë këto mesazhe “Më shumë shërbime, jo më pak bashki”,  “Bashkia jonë nuk është thjeshtë një numër”, “Jo reformës që zbraz komunitetet”, “të shkrihet PS, jo bashkitë”.

Banorët e Selenicës, të cilët u mblodhën në diskutime në qendër të qytetit thonë se bashkimi me Vlorën sjell vështirësi pasi nuk do të marrin dot shërbime dhe pretendojnë se zona do të harrohet e nuk do të ketë më as investime.

“Kryesorja është diskutime me komunitetin. A e bënë këta këtë reformë para kaq vitesh, nuk dëgjuan asnjë vërejtje dhe sot thonë duhet bërë ndryshe. Unë nuk e marr një usta që ma ka bërë shtëpinë keq, për ta bërë më mirë duhet të thirrjen të gjithë, të diskutojmë dhe të vendosim çfarë do shumica. Kryesorja është diskutim me të gjithë komunitetin”, tha një banor.

"Kërkojnë zhbërjen, zhdukjen e identitetit të një krahine të madhe me integritet, me identitetet territoriale, kulturor, ekonomik, historik. Papritur vjen rrufeja në qiell të hapur për ta asgjësuar. Përse bëhet kjo? Nuk arrij ta kuptoj. Gjasat janë që do kalojë kjo punë sepse ata që e kalojnë kanë shumicën. Të më thotë kush që janë bërë 5 metra rrugë në krahinë në kohën që na drejtonte Bashkia e Vlorës? Kush u kujtua që ekzistonte kjo zonë?", tha një banor.

“Ne si qytetar të Selenicës dhe si përfaqësues të këshillit do ta ngremë zërin se ne votat këtu i kemi marrë”, tha Aleksandra Zhiaj, anëtare e Këshillit bashkiak të PS.

“Kërkesa juaj që bashkia e Selenicës të mbetet një bashki, është e drejtë, e qenësishme, sipas të gjithë mënyrës së si analizohet puna e një bashkie, ju jeni në të drejtën tuaj legjitime dhe unë si drejtues polik i PD për Vlorën jam këtu për t’iu mbështetur kërkesën tuaj që bashkia e Selenicës të mos bashkohet me Vlorën”, tha Aurel Bylykbashi, drejtuesi politik i PD për qarkun e Vlorës.

Pothuajse në të 15-ta bashkitë që parashikohen të mos jenë më njësi kryesore qeverisëse vendore ka pasur reagime kundërshtuese.  Dy ditët e fundit ka pasur protesta dhe deklarata kundër në Poliçan dhe Dimal që bashkohen me Beratin, Klos që pritet të jetë një bashki me Matin, Përrenjas që sipas socialistëve duhet të jetë një bashki me Librazhdin, Divjakë që i bashkohet Lushnjës, Patos që pritet të jetë në bashkinë e Fierit, Memaliaj që e merr Tepelena, Libohovë që bashkohet me Gjirokastrën etj.

Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon shkrirjen e 15 bashkive. 33 bashki mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera pësojnë ndryshime, ndërsa qarqet nuk preken. Krijohet një nivel i ri i qeverisjes vendore që njeh qytetet me status të veçantë ligjor dhe do të kenë një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.

Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas tij, shtimi i bashkive do të sjellë më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe menaxhim më të mirë të territorit. 39 njësi vendore të reja shtohen kryesisht në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë.