Harta gjyqësore, avokatët bojkot edhe sot në 6 rrethe! Në Korçë bojkotohen edhe masat e sigurisë

TIRANË- Bojkoti i avokatëve pas propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore ka shkaktuar kaos në shumë gjykata të vendit. Edhe sot avokatët kanë vendosur të bojkotojnë gjykatat e rretheve Korçë, Krujë, Lushnjë, Vlorë Gjirokastër dhe Shkodër, ndërsa bojkoti do të vijojë edhe në datat 27, 28 dhe 29 qershor.

Ndryshe nga rrethet e tjera, ku avokatët kanë vendosur të bojkotojnë vetëm seancat gjyqësore, në Korçë avokatët do të bojkotojnë sot dhe nesër masat e sigurisë. Por, çuditërisht ketë të premte nuk është parashikuar asnjë masë sigurie. Avokatët në Vlorë kanë paralajmëruar bojkot të masave të sigurisë për 3 ditë në javën e ardhshme, 28, 28 dhe 29.

Por çfarë do të thotë bojkoti i seancave për masat e sigurisë? Një i ndaluar nga policia, nuk mund të qëndrojë në paraburgim më shumë se 72 orë, nëse nuk del para një trupe gjykuese për të mësuar nëse do të hetohet në gjendje të lirë, në arrest me burg, pa ose me afat, apo në arrest shtëpiak. Masat e sigurisë janë të detyrueshme për të ndarë nëse arrestimi është apo jo i ligjshëm, dhe në të kundër pas 72 orëve, askush nuk mund të qëndrojë në qeli.

Por, bojkoti i deritanishëm në disa nga gjykatat e vendit, nuk ka krijuar asnjë pasojë pasi personat që kanë dalë në gjykatë për masë sigurie janë përfaqësuar me mbrojtës ligjor të mbërritur nga Tirana, të cilët në bllok kanë vendosur që masat e sigurimit personal të mos i bojkotojnë.

Mospjesëmarrja e avokatëve në një seancë gjobitet nga 5 deri ne 50 mijë lekë. Gjobat i vendos gjykata kur avokati është i zgjedhur dhe i ekzekuton Dhoma Kombëtare e Avokatisë, e cila në këtë rast është organizatore e bojkotit. Situata duket e rëndë, ndërkohë që qeveria vetëm sa e ka dënuar këtë bojkot. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në një prononcim për Report Tv, është shprehur se protesta që po zhvillojnë avokatët kundër hartës së re gjyqësore është e papranueshme, pasi po u mohojnë qytetarëve aksesin në drejtësi. Manja ‘këshilloi’ avokatët që të shohin rrugën e përballjes ligjore, pas miratimit të hartës së re gjyqësore, ndërsa shtoi se janë marrë në konsideratë sugjerimet e tyre. Manja tha se Dhoma e Avokatisë nuk mund t’i heqë askujt licencën e avokatit nëse shkon në seancë, pasi nuk ka asnjë bazë ligjore.

13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është se është shtuar një gjykatë e shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr. KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë. 

Report Tv ka siguruar relacionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor i cili shpjegon se për të arritur në draftin me 13 gjykata të shkallës së parë nga 22 dhe në një apel nga 6 që kishte më parë ata kanë marrë modelet, Daneze, Portugeze, Suedeze, Holandeze dhe modelin e Moldavisë.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Forcat ruse largohen nga vendlindja e Assadit

Forcat ruse largohen nga vendlindja e Assadit