Me ndryshimin e temperaturave, është rritur numri i pacientëve që u drejtohen qendrave shëndetësore dhe urgjencës së Spitalit të Krumës në Has. Sipas mjekut specialist pneumolog ,Shkëlzen Ibra, virozat tipike të kësaj periudhe prekin kryesisht rrugët e sipërme të frymëmarrjes, ndërsa te fëmijët shoqërohen shpesh edhe me temperaturë të lartë. Megjithatë, rastet nuk mungojnë as te grupmoshat e tjera.
Krahas virozave sezonale, është vënë re edhe një shtim i pacientëve me sëmundje kronike, si dhe i atyre me probleme shëndetësore pas kalimit të COVID-19. Sipas pneumologut Ibra, numri i vizitave ditore ka arritur në 25 deri në 30, duke reflektuar rritjen e fluksit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Këto ditë ka pas raste të shtuar të virozave nga të gjitha moshat, përfshirë laringiti, pneumoni. Rastet janë trajtuar nga pediatri dhe pneumologu. Kemi pasur 25-30 raste në ditë”, tha mjeku teksa shtoi se për pacientët që kanë paraqitur simptoma më të rënda janë dërguar për mjekim në Kukës.
Përballë kësaj situate, Spitali i Krumës ka përforcuar masat për të siguruar trajtim sa më të shpejtë dhe për t’iu përgjigjur në kohë nevojave të pacientëve të prekur nga virozat sezonale.












Komente
Komento