/ATSH/- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ftoi të mërkurën biznesin të bëhet palë me qeverinë në ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj qytetarit shqiptar. Duke marë fjalën në Forumin Kombëtar kundër Korrupsionit, që po zhvillohet në Tiranë, ministri Haxhinasto u shpreh se shërbimi më i mirë për qytetarin mbetet sfida jonë dhe biznesi është partneri kryesor në realizimin e misionit tonë. "Rrugë të përfunduara në gjithë gjatësinë e tyre me parametrat e nevojshëm europianë. Kjo është një nga sfidat më të mëdha që ka sektori i transportit. Projektet kanë qenë pa referencë të qartë sa i takon standardit dhe kjo është sfidë tjetër, përcaktimi i një standardi të mirëfilltë", u shpreh ministri. Ai shtoi se kemi rritur me tre herë edhe fondet për mirëmbajtjen e aseteve infrastrukturore.  Po ashtu, sa i takon liberalizimit të tregut në transportin ajror, Haxhinasto theksoi se hyrja në treg e operatorëve të rinj uli koston për qytetarin.