TIRANË - Për kryerjen e punimeve në autostradën Tiranë - Durrës për vendosjen e sinjalistikës dhe elementet e sigurisë rrugore është dhënë një fond prej 160 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Punimet e nisura prej disa ditësh në këtë aks rrugor janë inspektuar nga Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto.

Sipas ministrit gjatë këtyre ditëve po punohet intensivisht në segmentin Kashar-Maminas, për kryerjen e punimeve për rritur sigurinë në rrugë dhe uljen e numrit të aksidenteve.

“Është një projekt që duhet të përfundohet brenda dy muajsh, është një investim prej 165milion lek të reja dhe ka parasysh disa elementë që do ta rrisin ndjeshëm standardin e sinjalistikës dhe sigurisë në këtë rrugë.”- tha Haxhinasto.

Sipas Haxhinastos këtë vit u arrit objektivi për të pasur 20 % aksidente rrugore më pak krahasuar me vitin 2013. Ndërkohë që nga zonat e konsideruara si pika të zeza për shkak të rrezikshmërisë rrugore në shkalle vendi, janë marrë masa dhe janë kryer punime në 50 % të tyre duke i nxjerrë nga lista e zezë.

“Vetëm gjatë vitit 2014 ne i kemi tejkaluar objektivin tonë për uljen e 20% të aksidenteve dhe vdekshmërisë dhe do vazhdojmë me këto ritme edhe për vitin 2015.”- u shpreh ministri.

Ministri shtoi se përgjatë këtij viti do të përmirësohet kuadri ligjor që ka të bëjë me rritjen e sigurisë rrugore.

“Kemi plan edhe segmente të tjera si Rrogozhinë- Kapshticë dhe Fushë Krujë - Han i Hotit. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre pikave të zeza janë rregulluar.”- tha ministri Edmond Haxhinasto.

 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)