Haxhinasto: Kosova prioritet i
Shqipërisë në Kryesimin e KiE-së

Në një Intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto deklaroi se Kosova do të jetë prioritet i saj në kryesimin e Këshillit të Europës. Shqipëria merr kryesimin e KiE më 23 maj për 6 muaj. Vendi ynë është prej 17 vitesh anëtare e Këshillit të Europës, ku janë anëtare dhe Serbia e Rusia dhe kjo është hera e parë që Shqipëria merr kryesimin.

"Shumë e rëndësishme është që shoqëria e Kosovës, institucionet e Kosovës të vazhdojnë projektet e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës, sepse vetëm kështu ato marrin cilësi të reja, marrin zhvillim të ri dhe konsolidohen më tej pikërisht në vlerat që promovon Këshilli i Evropës, vlerat demokratike, vlerat e tolerancës dhe vlerat e gjithëpërfshirjes. Është e natyrshme që do të shikohen dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësitë që Kosova të vijë sa më pranë Këshillit të Evropës dhe të intensifikojë bashkëpunimin me të si dhe besojmë që të ndërmarrë edhe hapa institucionalë konkretë në drejtim të avancimit të axhendës së saj integruese”.- deklaroi Haxhinasto.

INTERVISTA E PLOTE NE RTK
Radio Kosova: Zoti ministër, Shqipëria merr udhëheqjen e Këshillit të Evropës, hap shumë i rëndësishëm për vendin dhe diplomacinë në veçanti. A mund të na thoni se cilat janë përparësitë që do të ketë qeveria e Shqipërisë, ministria e Jashtme gjatë udhëheqjes së presidencës së Këshillit të Evropës gjatë 6 muajve dhe në veçanti për veprimtaritë që do të zhvillohen?

Edmond Haxhinasto: “Shqipëria do të ketë dy lloj prioritetesh. Së pari: do të jenë vazhdimi i prioriteteve të presidencës britanike kryesisht ato që kanë të bëjnë me reformën e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Një prioritet i vazhdueshëm do të jetë ai i decentralizimit, që përbën në fakt një prioritet të rëndësishëm për Këshillin e Evropës. Në bllokun e dytë do të rendisja ato që presidenca jonë do t’i ketë në theks të veçantë. Unë do të nënvizoja çështjet e tolerancës, diversitetit dhe motoja jonë është “Të bashkuar në diversitet”, për të cilën do të zhvillohen aktivitete të rëndësishme si në Këshillin e Evropës ashtu edhe në Tiranë. Po ashtu presidenca jonë do të vazhdojë të promovojë vlera të tilla të Këshillit të Evropës siç janë dialogu ndëretnik, dialogu ndërfetar dhe dialogu ndërkulturor. Do të promovojë më tej marrëdhëniet në rajon midis fqinjëve, me qëllim që të induktojë sa më shumë vlerat e bashkëpunimit, të tolerancës dhe të integrimit që Shqipëria i ka promovuar vazhdimisht dhe i jepet mundësia për t’i promovuar në një pozicion të tillë siç është ai i presidencës së Këshillit të Evropës”.

Radio Kosova: A është ky një rast shumë i mirë për të bashkërenduar përpjekjet me partnerët dhe me qeverinë në Prishtinë, me qëllim që Kosova të aplikojë dhe të ketë mundësinë në mos për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, t’i afrohet këtij synimi?

Edmond Haxhinasto: “Bashkëpunimi i Këshillit të Evropës me Kosovën është një proces që vazhdon aktualisht. Por, sigurisht që në presidencën shqiptare do të marrë një vëmendje shumë të veçantë. Shumë e rëndësishme është që shoqëria e Kosovës, institucionet e Kosovës të vazhdojnë projektet e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës, sepse vetëm kështu ato marrin cilësi të reja, marrin zhvillim të ri dhe konsolidohen më tej pikërisht në vlerat që promovon Këshilli i Evropës, vlerat demokratike, vlerat e tolerancës dhe vlerat e gjithëpërfshirjes. Është e natyrshme që do të shikohen dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësitë që Kosova të vijë sa më pranë Këshillit të Evropës dhe të intensifikojë bashkëpunimin me të si dhe besojmë që të ndërmarrë edhe hapa institucionalë konkretë në drejtim të avancimit të axhendës së saj integruese”.

Radio Kosova: Meqenëse Këshilli i Evropës një pjesë të madhe të përfaqësuesve i ka nga vende që vijnë nga ish-Bashkimi Sovjetik, pra përgjithësisht mbështetës të linjës së Serbisë dhe Rusisë kundër Kosovës, çfarë rruge do të zgjedhë Shqipëria që t’i bindë ata, një pjesë të këtyre përfaqësuesve, që të mos jenë kaq refraktarë kundrejt Kosovës? A ka mundësi për këtë?

Edmond Haxhinasto: “Mendoj se argumenti më i rëndësishëm për këtë objektiv është që të kuptohet që proceset integruese të Kosovës janë të pakthyeshme. Kosova është imbarkuar tashmë në rrugën e saj drejt Evropës, drejt institucioneve të saj, drejt organizatave politike, drejt organizatave të sigurisë dhe është çështje kohe kur ajo do të jetë brenda tyre. Ndaj, sa më shpejt që të ketë një reflektim të secilit nga vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, aq më mirë, aq më sens të fortë, të mirë realizimi dhe realiteti ato do të tregojnë përsa i takon Kosovës. Ata duhet gjithashtu të kenë parasysh faktin që shoqëria kosovare, pavarësisht se në çfarë statusi, se si trajtohet statusi i Kosovës nga këto vende, është një shoqëri që ka nevojë të ketë marrëdhënie sa më shumë pozitive me organizata të tilla të rëndësishme si Këshilli i Evropës, me qëllim që ta përsëris, të konsolidojë institucionet e saj, të jetë pjesë e të gjithë instrumentave dhe organizatave të rëndësishme si Këshilli i Evropës. E gjitha kjo, me qëllim që standardet demokratike, shoqëria, kosovare, të gjithë etnitë e saj atje, të funksionojnë duke përqafuar vlerat, rregullat që qëndrojnë në bazë të një formacioni të tillë mjaft të rëndësishëm siç është Këshilli i Evropës, që në fakt janë edhe me vlera themelore dhe të Bashkimit Europian”.

Radio Kosova: Zoti Haxhinasto, pretendimet apo akuzat e ish-prokurorit zviceran Dik Marti morën udhë si të themi në Këshillin e Evropës. Shqipëria ishte aktive në gatishmërinë e saj për t’u përballur ligjërisht cilido person që mund të ishte përgjegjës për këto akuza, nëse do të vërtetoheshin. Këtu përfshihet edhe miratimi i ligjit nga Kuvendi për të hetuar dhe bashkëpunuar me EULEX-in pretendimet e zotit Marti për krime, trafik apo transplant organesh të serbëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria që në Këshillin e Evropës ndikimi i akuzave të zotit Marti të bjerë ose ndoshta të kemi një ballafaqim të ri me vetë zotin Marti? A është e mundur kjo?

Edmond Haxhinasto: “Mënyra më e mirë për të mbyllur njëherë e përgjithmonë akuzat e zotit Marti është që të realizohet i plotë hetimi nga Task Forca e EULEX-it, nga Task Forca evropiane. Tashmë legjislacioni në Shqipëri është miratuar që të realizohen ato hetime, për të cilat kjo Task Forcë ka bërë planin e saj. Dhe, kështu mendoj që i japim një përgjigje të merituar pretendimeve të Dik Martit apo dhe të, do të thoja, të pretenduesve të tjerë, që, në fakt, janë pretendime të cilat nuk kanë asnjë lloj baze realiteti. Por, është e qartë se janë qëndrime mirëfilltas politike dhe synojnë të ngrenë një re mosbesimi mbi faktorin e rëndësishëm shqiptar në rajon, faktor i cili është gjithmonë e më shumë konstruktiv, gjithmonë e më shumë kontribues për rajonin për të ardhmen europiane të tij”.

Radio Kosova: Ju thatë zotëri, që motoja udhëheqëse e Shqipërisë në Këshillin e Europës është “Të bashkuar në diversitete”. Si mund të pritet kjo nga vendet fqinje, kur kujtojmë rastin e shtetit maqedonas, që vështirë të themi, se e pranon këtë (moto)? Ju keni qenë disa herë aktiv në thirrjet tuaja drejtuar shtetit maqedonas që të mos i trajtojë të gjitha incidentet medoemos me prapavijë etnike apo fetare, gjë që nuk ndodh. A keni mundësi Ju që të bashkëbisedoni me partnerët që këtë lloj tensionesh të mos e kenë këtë trajtim?

Edmond Haxhinasto: “Mendoj se diversiteti, uniteti i diversitetit është në themel të shoqërisë maqedonase. Pra, është në themel të ekzistencës së kësaj shoqërie dhe mënyra më e mirë për të avancuar në konsolidimin, integrimin e kësaj shoqërie, është pikërisht pra respektimi i këtyre vlerave, vlerave të tolerancës, të bashkëjetesës, të respektit reciprok, respektit për etninë tjetër, respektin për fenë e tjetrit, për të gjithë arsenalin kulturor dhe trashëgimor të secilës enti. Mendoj se ky është një kuptim i qartë edhe në Shkup dhe kudo tjetër. Besoj se ekziston një kuptim i tillë i qartë edhe për rëndësinë e këtyre vlerave, rëndësinë e kësaj përqasjeje edhe përsa i takon objektivave të tjera që ka shoqëria e Maqedonisë në drejtim të integrimit të saj në NATO dhe në Bashkimin Europian”.

Radio Kosova: Zoti ministër, mbërritëm te pyetja që lidhet me shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës. A besoni se ndoshta edhe Serbia duhet të ndjekë politika më të paqme, të heqë dorë nga arrestimi, apo etiketimi i shqiptarëve gjithmonë fajtorë për çfarë ndodh atje? Pas këtyre veprimeve të Serbisë, kemi pasur një sulm ndaj një pike kontrolli policor serb në Dobrosin që u morr përsipër nga një organizëm që quhet “Lëvizja për liri”, gjë e cila nuk më duket se shkon me rrjedhat e zhvillimit rajonal. A mendoni se duhet të ketë më shumë aktivitete nga ana e Shqipërisë, me qëllim që të përmbajë palët në atë zonë, natyrisht përfshi Serbinë, pra që Serbia të heqë dorë nga sjellja e saj e keqe?

Edmond Haxhinasto: “Qëndrimi i Shqipërisë është i qartë: Kemi mbështetur dhe kemi promovuar çdo hap drejt integrimit të mëtejshëm të shqiptarëve në jug të Serbisë. Kemi promovuar dhe kemi mbështetur çdo hap, kemi përshëndetur çdo hap që bëhet për respektimin e të drejtave të tyre. Ne vlerësojmë shumë rolin e këtij komuniteti atje si kontributor shumë të rëndësishëm në proceset integruese të Serbisë në Bashkimin Evropian. Pra, mënyrën se si ata votojnë në mbështetje të forcave progresiste në Serbisë, që Serbia të ecë dhe të shkojë sa më pranë Bashkimit Evropian. Sigurisht, që ne kemi dhe i ndjekim me një sy shumë të vëmendshëm të gjitha zvillimet atje. Ashtu siç bëjmë në nivel dypalësh bëjmë edhe në nivel shumëpalësh, nëpërmjet organizatave të ndryshme, të cilat janë përgjegjëse për sigurinë në rajon, sigurinë në rajonin tonë dhe përtej tij. E kam fjalën për OSBE-në edhe për organizata të tjera siç janë tashmë i kanë ndjeshmëritë përkatëse për atë çfarë po ndodh në Serbi dhe sigurisht që në forumet dhe me mjetet dhe mekanizmat e caktuara realizohen edhe me reagime përkatëse ndaj këtyre fenomeneve që ju sapo shprehët”

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha