Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, bëri të ditur se janë në fazën përfundimtare disa projekte të reja për ndërtimin e rrugëve si Qukës-Qafë Plloç dhe by-passi i Vlorës, që janë në fazë tenderimi, si dhe Rruga e Arbrit që është në fazën konkluzive të negocimit.

Gjatë një interviste televizive, Haxhinasto shprehu besimin që Rruga e Arbrit, të jetë modeli i parë i një partneriteti publik-privat në realizimin e një vepre të tillë në këto përmasa. Por është dhe përgatitja e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit në fazën përfundimtare”.


“Është e vërtetë që ne trashëgojmë një numër të jashtëzakonshëm kontratash të hapura, që janë planifikuar në një shtrirje të jashtëzakonshme gjithashtu për tu realizuar, disa prej tyra kalojnë dukshëm në 7-8 edhe 10 vite me vlerat të cilat ishin alokuar për këto kontrata dhe kemi detyrim për t’i mbyllur, por dhe garantuar lidhjen e tyre normale, organike me rrjetin e rrugëve të vendit dhe përfundimin sipas të gjithë standardeve të nevojshme, kam parasysh standardet e sigurisë dhe sinjalistikës”, nënvizoi Haxhinasto.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të ketë rrugë të tjera që do të mirëmbahen përveç Rrugës së Kombit, ministri Haxhinasto tha se po realizohet një studim që përcakton segmentet rrugore, që mund të mirëmbahen me këtë lloj partneriteti, mund të kontraktohen, me qëllim që barra e madhe që ka shteti për të mirëmbajtur këto rrugë, e cila nuk është vetëm barrë financiare, por dhe një barrë që vjen nga mungesa e efikasitetit të sistemit aktual që kemi për mirëmbajtjen e rrugëve me Drejtoritë rajonale, apo me Drejtoritë që janë pranë qarqeve”.

Kjo barrë, vijoi ai, mund të lehtësojë buxhetin e shtetit që mund të riorientohet në vepra të tjera publike.

“Jemi në fazën e miratimit të standardeve të rrugëve, ujësjellës-kanalizimeve dhe padyshim kompanitë që do performojnë në realizimin e kontratave në të ardhmen do jenë të detyruara të zbatojnë me rigorizitet këto standarde. I gjithë zinxhiri i subjekteve të angazhuara do të jetë në një monitorim shumë më rigoroz që nga faza e projektimit.

Po kështu sa i takon shërbimeve të supervizionit dhe shërbimeve të zbatimit konkret të veprave do kemi monitorim dhe nuk e teproj aspak po të them që do kemi masa dhe penalitete shumë të rrepta për kompanitë, që nuk performojnë sipas kontratave që ato fitojnë”, u shpreh Haxhinasto.

Lidhur me sigurinë rrugore, Haxhinasto theksoi se “më vjen mirë që siguria rrugore ka filluar të trajtohet në mënyrë prioritare edhe në diskutimeve televizive dhe meritë për këtë ka vetëndërgjegjësimi që është nga ana e Ministrisë dhe veçanërisht nga plani kombëtar për sigurinë rrugore i miratuar para pak muajsh nga qeveria”.

Marrë nga//ATSH