MILANO- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Transportit të Bashkimit Europian në Milano. Kjo shënon dhe pjesëmarrjen për herë të parë të Shqipërisë në këtë këshill.
 
Mbledhja e Këshillit të Ministrave të Transportit është parashikuar të mbahet në periudhën 16-17 Shtator. Gjatë mbledhjes së sotme ka marrë fjalën dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së vendit tonë, Haxhinasto duke vënë theksin në domosdoshmërinë politike, ekonomike dhe sociale të përfshirjes të koridorit VIII  në radarin e investimeve të BE.
 
Këtë të fundit, Haxhinasto e konsideroi dhe si “një kontributor thelbësor për integrimin e rajonit, për paqen dhe prosperitetin e tij”. Gjithashtu Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, gjatë takimit me homologët e tij të Gjermanisë dhe Malit të Zi, diskutoi për mbështetjen e Koridorit Blu që lidh vendet e Ballkanit Perëndimor.  
 
Koridori blu gjithashtu ishte dhe një nga projektet e rendësishme të diskutuar, pak javë më parë, gjatë takimit të Berlinit.
 
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)