TIRANË - Ndonëse bilanci i aksidenteve rrugore ka qenë shqetësues, siguria në rrugë për vitin 2014 ka njohur përmirësime, duke bërë që këto aksidente të ulen me 20% në krahasim me një vit më parë. Kështu deklaroi ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto gjatë prezantimit të analizës vjetore të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

“Identifikimi i sigurisë rrugore si një problem madhor i sistemit tonë të rrugëve ka qenë një zgjidhje e duhur e cila është reflektuar me uljen e ndjeshme të numrit të aksidenteve me 20% që besoj është një arritje serioze”.- tha Haxhinasto.

Ministri Haxhinasto i kushtoi rëndësi të veçantë projektit për Rrugën e Kombit, sipas të cilit këto 2-3 javë do të jepet me koncesion mirëmbajtja e kësaj rruge.
“Kontrata për Rrugën e Kombit është një model suksesi. Ky model do të aplikohet edhe në rrugë të tjera të vendit. Për 2-3 javë jepet me koncesion mirëmbajtja e kësaj rruge”. – u shpreh Haxhinasto.

Gjatë fjalës së tij, Haxhinasto u ndal edhe tek përmirësimi i cilësisë dhe standardet e infrastrukturës dhe mirëmbajtjes duke thënë se do të ketë penalizime për këdo që abuzon me rrugët: qoftë edhe ata që vendosin një reklamë.

 “Shërbimi që ofrohet të jetë i cilësisë më të lartë, me qëllim që qëndrueshmëria e rrugëve të jetë sipas standardeve europiane dhe të mos na shkatërrohen rrugët në vitin e parë të përfundimit të kontratës. Të realizojmë sa më shpejt projektin që kemi për riformatimin e sistemit të mirëmbajtjes dhe të fillojmë të zbatojmë projektin e Bankës Botërore që parashikon investimin e rreth 25-30 milion dollarëve në vit për të gjithë rrugët tona kombëtare.”- shtoi më tej Haxhinasto.

Gjatë këtij viti do të investohet në ndërtimin e sinjalistikës në akset Rrogozhinë-Kapshticë e Fushë Krujë-Hani i Hotit.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)