MIRDITE - Pas rreth një muaji protesta, punëtorët e Hidrocentralit të Qafë-Mollës kanë arritur marrëveshjen me firmën turke, duke i dhënë kështu fund “revoltës” së tyre e cila mori spunto nga vdekja e 3 punëtorëve në galeri.

Nga dita e nesërme 149 punëtorët e HEC-it do të rifikkojnë punën, ndërsa brenda 30 Gushtit do të lidhin kontratë kolektive.

Firma turke “EfatoGlu”nuk do të heqë nga puna asnjë nga personat që u përfshinë në protesta.

I pyetur për A1 Report, Kol Nikolla kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, tha se tashmë është arritur marrëveshja për respektimin e Kodit të Punës, duke i dhënë fund kështu protestave të punëtorëve të HEC-it.
Po ashtu, siç thekson Nikolla është vendosur që të shtohen masat e sigurisë dhe të kushteve të punës për punëtorët .
 
“Marrëveshja angazhohen të dy palët. Që nesër mbaron greva dhe ne orën 8 fillon puna. Pjesa tjetër e angazhimit i përket punëdhënësit i cili u angazhua që duke filluar që nesër dhe të gjitha ditët në vazhdim do të zbatohet me korrektesë dhe me rreptësi kodi i punës. Do të punohet në tetë orë në ditë dhe dyzet orë në javë. Do të vendosi këto ditë të grevës të paguhen si leje e zakonshme meqenëse realisht nuk paguhet greva por meqenëse punëtorët mos të humbin nga financat e tyre u vendos që këto do të kompensohen si leje e zakonshme. U vendos që të gjithë punëtorët të pajisen me rroba pune dhe me mjete pune me mjete mbrojtëse, u vendos që ne këshilli i sigurisë i ndërmarrjes së sigurisë i shëndetit në punë u vendos që së bashku me sindikatën të hartohet një libër për të parandaluar gjitha rreziqet e punës të ribëhet dhe të rishpërndahen të gjitha rregulloret e sigurisë në për vendet e punës. Të funksionojë mjeku i ndërmarrjes, te funksionojnë kutitë e ndihmës së shpejtë, të funksionojë urgjenca.” u shpreh Nikolla

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)