Helidon Haliti: Një ekspozitë
për vete dhe tim at

Helidon Haliti: Një ekspozitë<br />për vete dhe tim at
Gushti është një muaj i heshtur dhe institucionet nuk kanë asnjë lajm kulture, por ekspozita e piktorit Helidon Haliti, e cila do të çelet më 16 gusht në Galerinë Kombëtare të Arteve e prish këtë “zakon” të përvitshëm. Galeria Kombëtare e Arteve do të prezantojë për herë të parë një profil të plotë artistik të piktorit të talentuar Helidon Haliti, i cili shquhet për stilizimin fantastik të ngjyrave. Duke parë ekspozitat e tij në vite, vëren se shenja dalluese më e spikatur, përveç simboleve, metaforave piktorike mbresëlënëse- siç janë shtëpia, njeriu primat, dhia, gjeli dhe insektet “e gjigantizuara” në tablo të mëdha - ka një mbivendosje specifike të ngjyrave përmbi të zakonshmen. Ngjyrat e Helidon Halitit duken sikur sillen nga një botë ëndrrash. Harmonia, performanca, rivlerësimi i secilës prej tyre në një tablo origjinale e kanë përcaktuar tashmë piktorin Haliti si një talent të rrallë. Pasi ka ekspozuar gjithandej brenda dhe jashtë vendit, në grup ose vetëm, së fundi vetë piktori Haliti e gjen një motiv të veçantë për të profilizuar artin e tij në Galerinë Kombëtare. Mbi 20 punime të reja që ai sjell në GKA kanë një lidhje të vjetër esenciale që ka ndikuar në formimin e tij artistik. Në intervistën për “Shqiptarja.com”, piktori thekson se këtë herë ekspozita është bazuar në jetën e tij. “Kjo ekspozitë ka për bazë shtëpinë, poemën e babait tim, Faslli Haliti, “Dielli dhe rrëketë” dhe një nga tablotë kryesore e kam titulluar si kjo poezi”, thotë Haliti. Siç kuptojmë nga biseda me të babai i tij i dha kurajon për t’u bërë ai që është sot. Ka mjaftuar vetëm një shprehje “Ka dorë për pikturë” dhe Helidoni s’i ndau më penelatat nga jeta e tij. Tashmë në majën e arritjeve, atij i duhet të kthejë kokën pas. Një ekspozitë për vete dhe babanë e thotë qartë gjithçka përmes shumëfishimit të ngjyrave. Me eskpozitën e re, Haliti ka mundur të gjejë edhe atë fijen e pashkëputur mes artit të tij piktorik dhe poezive të babait, i cili në diktaturë sakrifikoi veten dhe familjen për hir të tyre. Në vitin 1972 babai i Helidonit, poeti i njohur Faslli Haliti, kritikohet për poemën “Dielli  dhe rrëkerat”. Ai u dënua nga diktatura me 10 vjet punë të detyruar:  4 vjet në kooperativ¸ bujqësore dhe 6 vjet në Komunale, duke iu hequr njëkohësisht edhe e drejta e botimit. Poema ”Dielli  dhe rrëkerat” sot mund të konsiderohet një poezi disidente, sepse ajo shprehte një pakënaqësi për varfërinë e kohës, të artikuluar poetikisht në formën e një proteste. Helidoni hedh një vështrim të ri mbi telajo për pasojat që pati ai dhe familja deri në rënien e diktaturës komuniste. Kësaj historie ai i ka dedikuar një pikturë. “Këtë pikturë unë kam tre vjet që e mendoj se nuk e di si do të diskutohet”. Duke ia lënë në dorë artdashësit gjykimin mbi veprat, nuk harrojmë ta pyesim. Çfarë do të bëhs pas kësaj ekspozite. Helidon Haliti na rrëfen se po e presin dhjetëra surpriza të reja...


Çfarë kuptimi merr për ty ekspozita e parë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve?
-Kjo ekspozitë është një përpjekje që të prezantohesha në një mënyrë sa më dinjitoze në këtë tempull të artit. Pra, së pari do të lutesha së bashku më pelegrinët e tjerë për një prurje të veçantë, dhe së dyti po vij me një lloj dedikimi personal ndaj babait, për një gërshetim të një poeti me një piktor. Këtë herë unë pikturoj një pjesë të krijimtarisë si një lloj aprovimi për atë idealizmin që ka pasur ai në artin e tij dhe unë e pasoj këtë lloj idealizmi.

Sa ka ndikuar babai juaj poet, Faslli Haliti, në krijimtarinë piktorike?
-Është i pranishëm në shumë mënyra komunikimi, të cilat janë bërë simbolike në artin tim. Në këtë ekspozitë unë si vizatim të parë sjell “Ngadalshmërinë e evoluimit” që është breshka, pastaj shtëpinë me një pemë dhe e mbyll fabulën e kësaj ekspozite, pastaj me një brumbull, që mund të shpëtoj lehtë nga bomba atomike, por ama mund të shtypet nga këmba e një fëmije. Nga një temë në tjetrën unë bëj lidhjen mes zanafillës së njerëzimit, jetës në tokë, zhvillimit të njeriut dhe kërkimit të një bote tjetër

Veç teje cilët janë protagonistët e kësaj ekspozite?
-Ekspozita është ideuar si koncept kuratorial nga skulptori i njohur Bilbil Mazreku, sigurisht në bashkëpunim me GKA. Por duke ditur se një ekspozitë e këtyre përmasave ka një kosto shumë të madhe, unë nuk mund të lë pa përmendur edhe menaxherin e saj Ervin Gegprifti.

Dedikimi i ekspozitës është i qartë. Po motivet cilat janë?
-Motivi zhvillohet sipas një ekspozite që para tre vjetësh në muzeun “Mezuraj”, ku i dedikova një ekspozitë shtëpisë. Është një fillesë e imja me një vizatim të ‘76-s. Ky ka qenë vizatimi im i parë në akuarel. Im atë e ka veçuar duke i thënë nënës se “ka dorë”, Unë isha tetë vjeç në atë kohë. Nga ai vizatim fillohej e gjithë ekspozita, ku unë shprehesha për atë lloj filozofie, duke kujtuar se fëmijët e pikturojnë njëlloj shtëpinë për të gjithë botën, pavarësisht se dikush ka, dikush nuk ka shtëpi, dikush nuk do të ketë fare, etj. Pothuajse të gjithë fëmijët me këmbëngulje shtëpinë edhe sot e kësja dite vazhdojnë ta vizatojnë shumë të ngjashme dhe sigurisht shtëpia brenda ka heronjtë e përhershëm që janë prindërit. Ndonjë vëlla, ndonjë motër. Jashtë saj ka oxhakun dhe çuditërisht oxhaku gjithmonë nxjerr tym, gjithmonë ka re dhe ka ndonjë copë diell aty që kurrë nuk mungon. Ky motiv do të zërë vend edhe për pak kohë në ekspozitën time, por piktura kryesore, e cila zë vend në ekspozitë është ajo që quhet “Diell e rrëke” bazuar në poemën e babait tim.

A di përmendësh vargje nga poema “Dielli dhe rrëketë”?
-Unë mbaj mend vetëm një diçka absolute:
“Në qiellin e kaltër
të socializmit
shtëpia ime pikon”.
Pra, vargjet e tjera janë “shtëpia ime vajton”, etj, etj. Duke bërë një pikturë për to, publiku duhet të bëjë një lidhje dhe një shkëputje ndërmjet këtyre dy gjërave. Puna është se lidhja ndërmjet poemës është në raport me pikturën dhe mbi të gjitha duhet të shkëpus artistin fizik nga Helidoni artist. Kjo, për arsye se unë jam i bindur që në gjithë atë sakrificë të babait tim, që bëri në atë kohë, në gjithë atë idealizëm, ai sërish nuk do të ndryshonte dot gjë. Pra lind pyetja a ka ndryshuar gjë?! Dhe në qoftë se nuk ka ndryshuar gjë, rrezikshmëria fillon nga e para. Kjo është ajo që unë dua të transmetojë. Por padyshim që im atë brenda thotë që “atje ku shtëpia ime pikon, marr librat e Enver Hoxhës dhe i vendos”. Si me thënë me zgjat dorën i kërkon për ndihmë një lloj pushtetit të asaj kohe, por edhe sot ndodhin ngjarje të asaj kohe. E rëndësishme është sesa ka ndryshuar. Pra, burokracia është e njëjta apo ka ndryshuar, apo njerëzit kanë ndryshuar nga mënyra sesi na shikojnë ne. Nëse ata njerëzit që e dënuan asaj kohe e shikojnë tim at me të njëjtin sy, apo thonë e dënuam se e njëjta gjë mund të na ndodhte ne, apo do të shohim nëse do të ketë ndonjë mllef. Unë nuk kam personalisht ndonjë mllef, sepse shpesh në poemën e tim ati ka gjëra që quhen kontrapunkte; sepse në një moment të poemës ai thotë që t’i “shkulim dhëmballët e burokratëve dhe të vendosim themelet në shtëpinë e re”. Ose: u bënë thirrje të gjithë heronjve të asaj kohe, të cilët nuk priteshin nga sekretarët e partisë, të ndihen të revoltuar “pse nuk i pret ata se ata janë punëtorë, ata janë etj, etj. Unë nuk e di sa ka ndryshuar kjo gjë në Shqipëri dhe sa aktuale është poema dhe sa aktuale do të jetë një ditë piktura ime, por e rëndësishme është që brenda personazheve që kam zgjedhur unë të them shumë gjëra, për babanë, për nënën time, për të gjithë.

Autoportreti juaj në tri pamje, a tregon se dhe ti je një idealist i pandreqshëm?
-Jo nuk dua të them tamam këtë, sepse njeriu mbetet idealist deri në atë fazë sa mund t’u rezistojë nevojave personale. Unë nuk e di këtë, sepse nuk jam dakord me babanë tim që e la veten në dorën e atyre që e bënë të vuante, pra që ne të vuanim. Unë mendoj se përpara familjes sakrificat e tjera duhet të jenë dytësore.

Nëse flasim për komunikimin poetik të babait dhe komunikimin tuaj në pikturë, kush ndihet më i lirë?
-Absolutisht unë, sepse në atë kohë kur i dolën problemet babait trim nuk kishte sesi të ndjehej i lirë. Ai vërtetë kishte në vetvete idealizëm, por cilën “Athina” kërkonte për aleancë. Ai kërkonte në atë kohë Athinanë që ishte në pushtet, kërkonte vetë Enver Hoxhën, ose kërkonte Partinë, sepse ajo e drejtonte këtë vend dhe çdo njeri në atë kohë kështu mund të bënte... Nuk mendohej dot në atë kohë që artistët të shprehen me atë që kërkojnë brenda vetes. Sidomos me letërsinë dhe poezinë ka qenë e vështirë. Ndërsa me ngjyrat ka më shumë liri.

Cila është ekspozita juaj më e fundit. U bën muaj që ju nuk reshtni së ekspozuari?
Kjo është e vërtetë. Nga t’ia nis? Isha në Prishtinë, kur u bë një ekspozitë nga vendet ballkanike dhe evropiane. Por para saj në fillim të qershorit kam pasur një ekspozitë në Vlorë. Vlonjatët e duan shumë artin dhe kjo vjen ndoshta se ata jetojnë në vendin më të bukur të botës. Po të vësh re koleksionistët më të mëdhenj janë nga Vlora. Ata kanë dashuri për pikturën. Kanë autorë, por edhe galeri që nga në Tirana në Vlorë. Pas Vlorës isha Tetovë me shqiptarët atje dhe me dy piktor italianë Sonjën dhe Kostandinin. Mbas Tetovës ishim në Mal të Zi, në Ulqin ishim pesë ditë me miqtë e mi artist Bilbil Mazrekun dhe Artan Markun nga Shqipëria. Ka qenë edhe një ekspozitë e rëndësishme në Pogradec në fillimet e shkurtit me piktorët më të mirë shqiptarë.

Do të pushoni pak pas kësaj ekspozite?
-Duke mbyllur ekspozitën e GKA-së, do të jem në Madrid për 100-Vjetorin e Pavarësisë, të cilën e bëj unë me komunitetin shqiptar në një sallë të Komitetit Evropian atje. Ekspozita titullohet “Shije nga Shqipëria” me peizazhet me akuarelet, etj. Dhe në fund në fund fare në fund të muajit shtator na është konfirmuar që tre autorë nga Shqipëria do të shkojmë në Alpet e Austrisë për të përfaqësuar artin shqiptar nga gjithë bota, ku një pikturë do të udhëtojë pas kësaj në gjithë botën. Do të jem unë dhe dy skulptorët, Artan Marku dhe Bilbil Mazreku, të cilët do të bëjnë dy skulptura monumentale në dru. E fundit nuk dua të harroj një ekspozitë të madhe më 21 nëntor deri në 8 dhjetor në Monte Karlo ku me sa dinë unë është aktivitet privat i imi dhe i Mazrekut që kuron ekspozitën. Do të bëhet lidhja mbas 100 vjetësh mes kulturës shqiptare dhe Monakos, sepse nuk kemi marrëdhënie kulturore me këtë vend.

Dhe së fundi, dy fjalë për familjen e re Haliti?
-Kam dy djem, njëri është Aleksandri 11 vjeç dhe Riku 13 vjeç. Aleksandri është meditativ, Riku është ende i vogël, por shoh se e do pikturën. E ndjen, sepse kur i heq ndonjë pikturë nga dhoma ai dëshpërohet më shumë se për lodrat.

Cili pikturon?
Ah, Aleksandri rrallë, ndërsa Riku pikturon muret...

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat