Henry Moore, skulptori rebel
britanik vjen në Tiranë

Henry Moore, skulptori rebel<br />britanik vjen në Tiranë
Henry Moore ishte bashkëkohës i skulptorëve të mëdhenj neoklasik si Canova dhe Thorëaldsen, por ndryshe nga ata ishte shënjuar me gjenialitetin e një rebeli që shënoi kthesë radikale në skulpturën e shekullit të 20-të. U shqua mes të tjerëve për aftësinë e gdhendjes së drejtpërdrejtë të skulpturave të tij (pa modelim). Sot skulpturat e tij të bëra me dorë shiten me vlerat më të larta në ankandet e veprave të shquara të artit. Publiku shqiptar do të prezantohet me artin e Henry Moore, nesër, më 13 shtator ora 18.00 nëpërmjet ekspozitës me vepra në grafikë dhe skulpturë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Kjo ekspozitë është mundësuar në bashkëpunim me këshillin britanik në Shqipëri. Henry Moore njihet si njëri nga skulptorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të. Fama e tij lidhet me faktin se ai ishte një nga transformuesit më radikalë të skulpturës moderne gjatë lëvizjes artistike që ndodhi në Angli në 1920-n. Moore ka përfaqësuar në atë kohë artin modern britanik dhe u radhit ndër skulptorët më të mirë. Në vitin 1946 skulptura e tij u prezantua në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork. Dy vjet më vonë ai fitoi një prestigj të madh duke fituar Çmimin e Bienales së Venecias për skulpturën më të mirë.

Pas vitit 1950 nëpërmjet sponsorizimit të Këshillit Britanik, një organizatë për promovimin e vlerave të kulturës britanike,  Moore realizoi disa nga projektet më madhështore në botën perëndimore, ku disa nga pikturat e tij janë vendosur në sheshe publike. Edhe pse kanë kaluar kohë nga vdekja e tij Moore është prezentë duke u përfaqësuar si një simbol i skulpturës moderne botërore.
skulpturat e henry moore
(Foto: Skulpturat e Henry Moor)

Me ekspozitat e tij për 20 vjet në SHBA ai ka kontribuar në artin e shekullit të kaluar. Skulptura e tij qe një revolucion më vete, ku përfshihen tematikat e luftës, tematikat e familjes dhe të jetës sociale, me të cilat ai u shfaq në skulpturë nëpërmjet eksperimenteve të guximshme, duke e zhvilluar fuqishëm vizionin artistik në artin skulptural, duke iu bashkuar zhvillimeve të artit abstrakt dhe surrealist të viteve ‘30. Skulpturat e tij kanë zënë një vend të rëndësishëm në sheshet e hapura publike, ku përfaqësohen me përmasa të jashtëzakonshme artistike edhe pse shfaqen në përmasa të mëdha në sheshet publike. Deri në vdekjen e tij Moore mbeti një mjeshtër në trajtimin tematik të artit skulptural, dhe një eksplorator radikal i artit skulptural.

Jeta e skulptorit mes sulmit mediatik dhe famës
 
Henry Moore u lind në korrik të vitit 1898 në Castleford, Yorkshire. Moore pasti një fëmijëri të lumtur. Ishte fëmija i shtatë i dy prindërve me karakter të fortë, të cilët u bënë edhe mbështetësit e artit të tij. Zanafillën e artit skulptural e mori në Londër, ku i ofroheshin shumë mundësi duke vizituar muzeumet. Moore nisi të kishte një interes të madh për artet primitive, sidomos për artin para-kolumbian të skulpturës. 

Vitin e parë të studimit e bëri në Kolegjin Mbretëror të Artit në Paris me bashkëmoshatarin e tij Raymond. Pastaj në vitin 1925 ai pati shansin që të udhëtonte në Itali më një bursë studimi, vend që i dha një shtysë të re artit të tij. Kur u kthye në Britani Moore pati shumë fat, sepse u caktua të jepte mësim në Departamentin e Skulpturës në Kolegjin Mbretëror të Artit.
skulpturat e henry moore

Në vitin 1926 ai hapi ekspozitën e tij të parë përmes së cilës tërhoqi disa blerës të shquar, duke përfshirë John Augustus Henry-n dhe Jacob Epstein. Ai ishte i autorizuar edhe për të siguruar një skulpturë për selinë e re të Londrës, London Underground – punë që iu caktua Moore-it me rekomandimin e Epstein-it, i cili ishte punësuar atje.

Moore u martua me një ruse të bukur, Irina Radetsky-n, në vitin 1929, dhe në vitin 1931 ata blenë një vilë të vogël në Kent, ku ai gjente mjaft punë gjatë festave të Kolegjit Mbretëror. Përfundimisht ai ishte i fiksuar me idenë e gdhendjeve të drejtpërdrejta, duke i punuar skulpturat e tij drejtpërdrejtë në materialin që do të ekspozoheshin me dorë. Gjë e rrallë kjo, sepse shumica e skulptorëve bëjnë modelim në allçi dhe pastaj e derdhin veprën në materialin e caktuar. Epstein ka shkruar për të se “Henry Moore  është e ardhmja e skulpturës në Angli”, duke e konsideruar artin e tij të rëndësishëm dhe jetëgjatë.

Gjatë kohës që Moore po bëhej një skulptor i famshëm, ai kthehet në një figurë publike shumë të diskutueshme. Nis të sulmohet egërsisht nga një numër i madh i gazetave dhe revistave. Artikujt kundër tij në Morning Post bënë që të mos përsëritej kontrata për rimerimin e tij Kolegjin Mbretëror të Artit duke iu ndalur mësimdhënia për shtatë vjet deri në vitin 1932. Por për fat të mirë Shkolla e Artit Chelsea, i ofroi Moore-it që të jepte mësim atje. Për një kohë të gjatë Moore jetoi në Londër në Hampstead, mes një grupi artistësh ku përfshihen Nicholson Barbara Hepworth, kritiku Herbert, etj. Nicholson ishte i prirur nga kontruktivizmi, por Moore ishte më i interesuar për stilin surrealist, stil me të cilin shpërtheu në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit surrealist të mbajtur në Londër në vitin 1936. Ky ishte edhe viti në të cilin puna e tij ishte vlerësuar edhe në SHBA: ku ai ishte përfshirë në një ekspozitë me shfaqje të artit Kubist dhe abstrakt në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork.
skulpturat e henry moore

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Moore ka pasur një varg peripecish, ku edhe studioja e tij në Hampstead u dëmtua nga bombardimet. Pas mbarimit të luftës në vitet ‘50 reputacioni publik i Moore u rrit gjithandej në botë, ku në vitin 1946 ai pati një ekspozitë retrospektive në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork. Suksesi ishte triumfues. Më vonë Henry Moore udhëtoi me ekspozita në Çikago dhe San Francisko, dhe pastaj për në Australi. Në 1948 Moore u ftua për të marrë pjesë në Bienalen e parë pas luftës në Venecia, dhe mori çmimin kryesor për skulpturë. Megjithëse Moore njihej si një skulptor që bënte gdhendje të drejtpërdrejta në vitin 1952, iu kthye modelimit, duke ndërtuar një shkritore eksperimentale në fund të kopshtit të tij. Kalimi nga një metodë në një tjetër u përshpejtua në vitin 1960. Ai thoshte: "Dallimi në mes modelimit dhe gdhendjes, është se modelimi është një gjë e shpejtë dhe kështu ai bëhet një shans për të hequr qafe idetë e ndonjë tjetri". Moore në Angli është nderuar me tituj nderi dhe çmime, ndërsa sot në botë vepra e tij vazhdon të shitet me çmime shumë të larta në ankande, edhe pse për modernistët e rinj, vepra e tij duket shumë larg nga rrjedhat e zhvillimit të artit skulptural.

Shkrimi u publikua sot(12.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)

(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024