Këtë herë nuk jemi kthyer pas në kohë për Benin, por për Vaskën. Për të folur për magjinë e një tjetër filmi për fëmijë, “Tomka dhe shokët e tij”, një produksioni shqiptar të vitit 1977, një kryevepër e mendjes dhe talentit të regjisores Xhanfize Keko. Dhe me Vaskën I hedhim një vështrim fëmijëve të sotëm, fushave të zëna këtë herë nga zhvillimi I shthurur urban, filmat për fëmijë që mungojnë gjatë këtij tranzicioni të gjatë shqiptar. Vijnë edhe kujtime, edhe emocione, edhe shpresa për një riardhje në kohë të Tomkës këtë herë me ngjyra dhe “fizikisht” më të fortë nga sa është aktualisht në Arkivin e Filmit. Kjo falë Albanian Cinema Project që ka objektiv të radhës restaurimin e filmit. Por le të kthehemi tek Vaska, apo më mirë tek Herion Mustafaraj, një aktor i shkëlqyer i asaj kinemaje që akoma e shohim edhe pse të drobitur teknikisht. Si arriti aktori të fitonte rolin megjithe kundërshtimin e regjisores, si duhet të ndryshonte imazhin e fortë të Benit që kishte mësuar të ecte një vit më parë, skenat, dhe një histori e mbetur ne kujtimet e tij nga sheshxhirimet e filmit. Një intervistë e sinqertë, e drejtpërdrejtë dhe kaq e hapur sa të bën të mendosh se artisti e ruan fëmijën gjithnjë në shpirt.


Çfarë problemi ka konkretisht sot Tomka? Po teknikisht cilat skena të filmit janë më të dëmtuara?

Përshëndetje të dashur lexues. E dashur Rovena. E fillove me një pyetje të bukur.

Çfarë problemi ka Tomka?! Problemi i Tomkës sot them unë... po të kishte "Tomkë", se i bie të jetë 85 e kusur , me siguri do të jetë prapë – Marrja e pronave.
Tomka dhe shokët e tij nuk e kanë marrë akoma "Fushën e tyre"....ëe themi, që dje ia kishin marrë nazistët me luftë, e sot ia kanë marrë afaristët e huaj me paqe dhe shpërblim...

Ndërtojnë shumëkatëshe dhe dyqane Altamoda, kur fëmijëve të lagjes u duhet një kënd lojrash a një pishinë.
Ndërsa për filmin në vetvete si vepër për tu restauruar, nuk jam në brendësi të procesit që duhet kryer.

Albanian Cinema Project me Drejtuese Regina Logo PHD në ART, jeton në San Francisco, e njoh personalisht nga një prezantim në Neë York gjatë një shoë për mbledhje fondesh për restaurimin e këtyre thesareve të kinemasë tonë, që me sa kuptoj dhe kam marre informacion është një lëvizje ndërkombëtare e sipërmarre nga mjeshtra si Martin Scorcese, për restaurimin e filmave me vlerë artistike, historike si dhe kulturore të Evropës Lindore gjatë kohës së Bllokut Komunist…(qesh) se pa kulturë sikur nuk shkon të mbyllet fjalia.


Kemi parë një poster të filmit që piktori Shpend Bengu ka risjellë në ngjyra. Si mendoni se do të jetë filmi pas restaurimit?

Di t'ju them se filmi "Nëntori i Dytë" që e pashë të restauruar, më la të mahnitur. Nuk e kisha parë kurrë Sandër Prosin aq bukur , Shqipërinë e asaj kohe aq me delikatesë prezantuar me ngjyrat, pemët, kostumet, loja, artistët, mjeshtëria e kinemasë tonë që ka pasur një potencial prezantimi ndërkombëtar e dija, pavarësisht politikës që luhej, e prapë më la të MAHNITUR. Asnjë film shqiptar nuk është parë kurrë në atë përsosmëri të asaj që ka parë syri i regjisorit në atë moment kur ka xhiruar, e atë pashë unë, planin e dytë, të tretë, që i jep thellësi veprës artistike. Në magjinë e kinemasë unë humb. Mos më llogarisni mua!

Kthehemi pas në kohë në vitin 76-77 kur është prodhuar filmi… Sikur të kishit një makinë kohe çfarë do të kishit ribërë?

Sigurisht, të gjithë këto filma janë të mundshëm për tu parë në internet pa para...pse të lodhemi me Restaurime, 5 dollarë një frame,( uuuuhhhh mami… leku...), kur i fut një program të vjedhur nga interneti dhe ta bën ai "yll fare". Edhe kjo logjikë qëndron për një sy publiku që thjesht do që të qeshë me batutat, apo është rritur me këtë film si unë me “Lulëkuqet”, apo i pëlqen thjesht për kulturë....ndërsa këtu po flasim për një rinovim "Kupole të San Pietros", e jo për një pikturë në leckë, të sjellë nga Kina, kopje e "Kupolës"...a kujtdo kupole të duash ti..., " Made in China" që do ta vesh tek muri i dhomës së gjumit se po bën një vilë të re n'Katun! Këto janë pasuri të Kulturës sonë Kombëtare që po veniten e po humbin çdo vlerë. Ato gjëra që janë bërë atëherë nuk bëhen fatkeqësisht dot as tani...Do kisha ngjallur, Zonjën Xhanfize, të bënte ca filma të tjerë për fëmijët e sotëm shqiptarë se më duken si jetimë. Akoma mbahemi me “Lulëkuqet” dhe “Tomkën”...
Në njëfarë mënyre dhe ne aktorët e filmit, ashtu si fëmijët gjatë luftës, po kërkojmë vlerat e vërteta të punës që e kemi parë me sytë tanë të bëhet, e mezi po pres ta shoh “Tomkën” e restauruar.


Tek Tomka ju vinit në rolin e Vaskës pas famës që ju kishte falur Beni. Ndonëse fëmjë kishit frikë se mund të përsërisnit veten? Çfarë u desh të ndryshonit?

Nuk më linte teta Xhano. Më tha që kurrë mos ta hiqja kapelen gjatë xhirimeve se do të më vriste.(qesh) dhe e bënte ajo!
Kur duhet të xhironim skenën në krevat me Selmën, që na vjen gjermani dhe na hidhte për leckash, unë e kisha mendjen tek kapelja, se si mund të flejë njeriu me kapele, Enea  më thoshte: "Futi durët Selmes!". As atë nuk e kuptoja dhe kur më hodhi gjermani në dublin e parë fluturoi kapelja në ajër mbi kamera. Teta Xhano më tha: "C'është ajo kapele, more budalla, kur fle gjumë?" ..."Epo çfarë të bëj unë o Teta Xhano",- i thashë, "Vetë më thua që po ta heq kapelen do të më vrasësh". Ajo qeshi...Është e vetmja skenë pa kapele dhe nja dy të tjera pas saj ku nuk dukesha më si Beni se ishte xhiruar gjysma e filmit.

Ju mundonte fakti që nuk ishit protagonisti që i jepte titullin filmit?

Mua nuk donte të më merrte Teta Xhano fare në këtë film se e kisha akoma shumë të fortë imazhin e Benit..por më duket se iu luta Zotit shumë, shumë, shumë në dhomën time që të luaja në një film me Enon që e kisha idhull nga “Lulëkuqet”. Dhe Zoti ma plotësoi dëshirën. Mos më pyet se ke Zot, se atëherë, mbyllje sytë dhe faleshe në errësirë me duart e bashkuara. Ashtu bëja unë të paktën, nën jorganin e rëndë që na mbronte nga ajri i ftohtë i dhomës në dimër. Më kishte mësuar gjyshja ime italiane Angelina, mamaja e babait. Shkurt muhabeti, "ishte privilegj për një fëmi artist të luante me një kalibër aktori si Eno Zheku, që si të thuash kishte luajtur në filma jo vetëm për fëmijë, por edhe për të rritur.

Kanë mbetur sekrete pa u thënë nga backstage i atij filmi? Një peng, një merak, një kujtim i bukur apo nje çast i vështirë që të rikthehet herë pas herë në mendje

Mund të kujtoj historinë e larjes në Osum me arixhinjtë. Më kishte zënë gjumi i drekës në hotel të Beratit dhe kur u zgjova ishte pasdite. Zbrita poshtë dhe pyeta se ku kishin ikur ata të grupit të xhirimit. Më thanë që kanë ikur të lahen në lumë. Kisha shkuar dhe njëherë me ta, e mbaja mend pak rrugën, po isha si mafmur. Nuk ishte rrugë, por si një monopat mes ferrash e plehrash derisa dilje tek një pyll i vogël që të çonte tek bregu i lumit. Ishte vapë.

Duke iu afruar pyllit, dëgjohej dhe zhurma e lumit. Isha në drejtimin e duhur. Kur filloj të dëgjoj një si melodi me klarinetë, qyp dhe fizarmonikë. fillova të ndjek tingullin që më afroi mes pemëve buzë lumit. Kur ç'të shoh!!! Anës lumit ishte një familje arixhinjsh që ishin zhveshur të gjithë lakuriq e i kishin nderur rrobat e lara nëpër shkurre. Kur them të gjithë, dua të them, nja 7 kalamaj, mami, babi, kushërinjtë, gomerët, kuajt, ariu që kërcente dhe qeni që më nuhati.

Dy vajza të vogla, mosha ime, komplet lakuriq e me flokë të gjata, të lagura, erdhën mbas qenit duke e qetësuar dhe më folën më shumë buzëqeshje me një gjuhë që s'i mora vesh dhe më ftuan të shkoja mbas tyre për nga po vinte kënga.

Aty filloi të kishte një gëzim e një hare, mes arixhinjve, tamam si nëpër filmat e Kosturicës, vetëm se unë isha brenda në të. Nuk di me saktësi se sa kam kërcyer e kënduar me arrixhinjtë, por di që kur po kthehej grupi i xhirimit nga lumi, më panë duke notuar mes tyre dhe më thirrën të tmerruar. Unë kisha mësuar notin...vetëm se nuk dilja dot nga uji se isha lakuriq ...(qesh)

Jeni lidhur me Enea Zhegun dhe aktore të  tjerë dikur të vegjël, me rastin e restaurimit të filmit?

Ky projekt është akoma në punët e tij fillestare. Ne mund ta suportojmë filmin kur të prezantohet nëpër festivale i restauruar, por tani nuk është se ka tërhequr vëmendje në atë shkallë. Është një projekt, bashkë me shumë projekte të tjera për tu miratuar nga qeveria amerikane, pasi organizata është pa perfitim, e për këtë tani akoma i lutem Zotit të ndodhë, pastaj shohim famën. Lutem edhe për ju që të luteni për ne (qesh) Jam tip humorist, mos ma vini re!

Filmat me luftë të periudhës së socrealizmit nuk i kanë shpëtuar kritikave për ideologjizmin e tyre. Mendoni se mund të jetë prekur edhe ky film nga fryma e kohës?

Po nëse preket filmi nga ideologjia, le të preket. Aty e ka edhe lezetin e tij. Ndonjëherë qeshim me atë mentalitet që kemi pasur duke parë këto filma dhe themi sa seriozisht që e kishim marrë atëherë një film. Çfarë pergjegjesie, që fëmijë dëgjojë që po të bëje ndonjë gabim, tani që ishe nëpër filma, të merrte lumi, ty edhe familjen. Nuk dinte njeriu çfarë të bënte, të tallej me ballistët apo jo. Isha i detyruar.

Aktualisht në Shqipëri thuajse nuk ka më filma me metrazh te gjatë për fëmijë. Cili është shkaku?

Fëmija është e vërteta. Shqipëria duhet t’i rikthehet kinemasë për fëmijë. Personalisht nuk e kuptoj "pse-në", kur shoh filma për të rinj, droga, vrasje, gjak, automatik, pisllëqe, po nuk shoh pak vëmendje tek vëllai i vogël që një ditë do të rritet e s’do të ketë çfarë të mendojë tjetër për fëmijërinë veç pushkë dhe plumba, ose dëshira të shuara. Na duhen histori triumfi. Ne nuk i kemi të pakta këto histori, në shumë fusha të jetës. Mbase duhet të shohim më shumë brenda shpirtit dhe më pak pas lekut.
Duhet të jetë e trishtë për një aktor të mësojë se filmi ku ai interpreton rrezikon të shkatërrohet përgjithmonë….

Cili do të ishte apeli juaj për të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë financiarisht në restaurimin e këtij filmi?

Kjo është së pari punë programesh qeveritare, dhe si të thuash nuk pritet që restaurimi të bëhet nga 1 milionë vetë që do të japin nga 5 dollarë. Por për të shprehur mirënjohje, e për të ndihmuar financiarisht këtë ide e për më tepër i ftoj lexuesit të vizitojnë ëëë.albaniancinemaproject.com

Pas restaurimit, të gjithë fansave të këtij filmi dhe sidomos të kinemasë shqiptare të paraviteve 90, çfarë u premtoni?

Fansave dhe miqve tanë, si edhe miqve të miqve tanë, ju premtoj që do jem aty për premierën e Tomkës së restauruar në Tiranë, do të marr Enon, Tanin, Gencin, Selmën, Flurkën dhe do bëjmë një inskenim të paparë të Tomkës dhe shokëve të tij sot, në kujtim te Teta Xhanos, Z. Faruk Basha, e mjaft artistëve të tjerë pjesmarrës. (qesh) Kush e ka mendjen tek Tomka tani, je në vete! Po erdhën 30 vetë në kinema dhe është fitore. Shoh mjaft njerëz që kanë qenë të humbur e kanë gjetur identitet, unë jam e kundërta. Më pëlqen kështu.