TIRANE - Shefi i personelit në policinë e Tiranës është marrë nën hetim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pasi dyshohet se ka abuzuar me detyrën, me lëvizjet e shumta që ka kryer për punonjësit e policisë gjatë muajve të fundit. Megjithatë, i dyshuari Kujtim Malaj është liruar nga detyra dhe nuk ka një njoftim zyrtar sesi kanë shkuar hetimet ndaj tij.

Burimet policore bënë të ditur se brenda një muaji, ai ka lëvizur 150 efektivë policie nga një funksion në tjetrin. Lëvizjet më të shumta janë bërë për efektivët e linjave në policinë rrugore dhe pas disa javësh, ata janë rikthyer sërish në të njëjtin funksion. Këto lëvizje kanë ngritur dyshime për SHKB-në se ai mund t’i ketë kryer kundrejt ryshfetit.

Megjithatë, kjo nuk është vërtetuar ende nga hetimet, ndërkohë që largimi i Malajt nga detyra është justifikuar me arritjen e moshës së pensionit për të. Aktualisht, në vend të tij është emëruar Bilbil Dervishi, i cili mbante një tjetër funksion në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)