Agjentë të Guardia Civil hynë mëngjesin e kësaj të mërkure, 27 maj, në selinë e Partisë Socialiste Spanjolle (PSOE) në rrugën Ferraz në Madrid, për të kërkuar dokumente dhe informacione. Ndërhyrja e njësisë së specializuar për krime ekonomike (UCO) lidhet me një hetim të koordinuar nga gjyqtari i Audiencia Nacional, Ismael Moreno, mbi një financim të dyshuar të paligjshëm të PSOE-së, partisë së kryeministrit Pedro Sánchez.
Sipas burimeve pranë hetimit, të cituara nga agjencia Efe, operacionet synojnë të mbledhin dokumente dhe materiale që lidhen me pagesa cash të kryera në PSOE mes viteve 2017–2024 për shlyerjen e shpenzimeve të drejtuesve dhe punonjësve të partisë. Pagesa të ngjashme me ato që dyshohet se kanë marrë ish-ministri i Transporteve José Luis Ábalos dhe këshilltari i tij Koldo García, aktualisht në paraburgim në kuadër të “çështjes Koldo”, që lidhet me ryshfete për furnizime sanitare gjatë pandemisë Covid-19 dhe dyshime për pastrim parash.
Kontrollet vijnë pak ditë pas dërgimit për gjykim të ish-kryeministrit José Luis Rodríguez Zapatero në çështjen “Plus Ultra”, edhe pse hetimet mund të mos jenë të lidhura drejtpërdrejt. Pedro Sánchez, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Romë ku do të takohet me Papa Leone XIV, ka mbrojtur publikisht Zapateron.
Skandali që përfshin Zapateron u thellua pas zbulimit në kasafortën e zyrës së tij në Madrid të rreth 100 bizhuterive luksoze me vlerë 2–3 milionë euro: varëse, byzylykë me smeralde e safirë, vathë të punuar me kujdes, ora Omega dhe Longines. Hetuesit dyshojnë se ato mund të jenë pjesë e pasurisë së paligjshme të ish-kryeministrit spanjoll (2004–2011), i akuzuar për organizatë kriminale, falsifikim dokumentesh dhe trafik influence në çështjen “Plus Ultra”, kompania ajrore low-cost e akuzuar për përdorim të paligjshëm të fondeve të marra gjatë pandemisë.
Njësia për krimet ekonomike ka dorëzuar një dosje prej 4 mijë faqesh te gjyqtari José Luis Calama. Zapatero dyshohet se ka drejtuar një rrjet që shtrihej nga Spanja në Venezuelë dhe deri në Kinë, duke përfituar në mënyrë të paligjshme 2.6 milionë euro në pesë vite. Sekretarja e tij ka deklaruar se disa nga bizhuteritë ishin trashëgimi e bashkëshortes ose dhurata udhëtimesh.
Sipas mediave spanjolle, kur emri i tij nisi të përfshihej në hetime, Zapatero kishte blerë një biletë avioni për në Santo Domingo, prej nga do të vazhdonte drejt Karakasit me avion privat.
Hetimi nisi nga një kallëzim i Prokurorisë Antikorrupsion në tetor 2024 ndaj shtatë personave të dyshuar për pastrim parash nga Venezuela. Çështja u lidh më pas me shpëtimin financiar prej 53 milionë eurosh të kompanisë “Plus Ultra” gjatë pandemisë, një financim që konsiderohej joproporcional me madhësinë reale të kompanisë.
Sipas hetimeve, kompania “Analisis Relevante” e biznesmenit Julio Martínez kishte përfituar mbi 300 mijë euro nga fondet e “Plus Ultra” dhe më pas kishte transferuar para te Zapatero dhe te “Whathefav”, kompania e marketingut e vajzave të tij Laura dhe Alba Rodríguez Espinosa. Gjykata dyshon se kompania përdorej për krijimin e faturave fiktive dhe shpërndarjen e fondeve.
Një tjetër kompani, “Inteligencia Prospectiva”, e lidhur sipas hetuesve me Partinë Komuniste Kineze, dyshohet se ka transferuar një milion euro drejt kompanive të lidhura me Zapateron. Sipas policisë financiare spanjolle, qëllimi ishte që ish-kryeministri të ndërmjetësonte marrëveshje për shitjen e naftës venezueliane drejt Pekinit, ndërsa zyrtarisht shfaqej si ndërmjetësues politik mes regjimit të Nicolás Maduro dhe opozitës venezueliane. Gjithashtu, u zbulua se kompania e vajzave të Zapateros kishte dy kontrata me multinacionalen Huawei./Corriere della Sera
Komente


