Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po vijon hetimet lidhur me pasurinë dhe dyshimet për afera korruptive dhe përfshirje në grup kriminal në kuadër të dosjes së AKSHI-t.

Këtë të enjte SPAK ka thirrur për të dhënë deklarime Xhenila Tamizin, vartësja e biznesmenit në arrati Ermal Beqiri.

Nga hetimet e mëparshme ka rezultuar se Ermal Beqiri ka regjistruar në emër të Tamizit një jaht luksoz të markës Predator 50 Skyfall, vlera e të cilit në treg shkon gati 1 mln euro. 

Sipas SPAK, biznesmeni Beqiri e ka vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions", por prokurorët e posaçëm dyshojnë se jahti është blerë nga biznesmeni Beqiri. Në dosjen e SPAK, Tamizi rezulton se është personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit dhe më pas i transferonte tek kompania e biznesmenit Ergys Agasi.

Jahti është bllokuar nga SPAK dhe aktualisht ndodhet i ankoruar në portin e Durrësit, në pritje të përfundimit të verifikimeve dhe procedurave ligjore.