Është shuar në moshën 76-vjeçare lahutari shqiptar Jonuz Delaj, një mjeshtër i vërtetë i lahutës.

Duke shprehur ngushëllimet familjes, miqve e kolegëve, ministri Blendi Gonxhja shprehet se me ikjen e tij, kultura shqiptare humbi jo vetëm një lahutar, por një epokë të gjallë të kujtesës sonë historike.

Ministri theksoi se i ardhur nga Malësia e Madhe, Jonuz Delaj u njoh si “magjistari i lahutës” dhe shpesh u cilësua si një nga bartësit e fundit autentikë të Eposit të Kreshnikëve.

Për të, lahuta nuk ishte instrument, por dëshmi e identitetit dhe e historisë shqiptare.

Sot, kjo trashëgimi kujton ministri Gonxhja, merr një domethënie edhe më të madhe, në kohën kur lahuta shqiptare gëzon statusin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s , një vlerësim që nderon edhe figura si Jonuz Delaj, të cilët e ruajtën atë në formën më të pastër.