Disa fëmijë që duken në pamjet filmike në momentet e para të përhapjes së flakëve të zjarrit tek pallati i kompleksit Arlis janë pyetur nga Prokuroria e Tiranës mbi rrethanat e ngjarjes. Prokurori Gëzim Veizi ka urdhëruar pyetjen e fëmijëve në prani të psikologëve dhe të prindërve, pasi pamjet në kamerat e sigurisë ditën e zjarrit te Arlis janë të paqarta. Ata shihen në kamera që afrohen me një karton me ngjyrë të kuqe në duar, të njëjtin që mendohet se hedhin te karroca me plehra të marketit poshtë pallatit.
Për të qartësuar çfarë është hedhur e çfarë ka ndodhur, fëmijët u morën në pyetje, të cilët pranuan se kanë qenë duke luajtur, por nuk thonë të kenë bërë diçka të gabuar, edhe nëse zjarri mund të jetë shkaktuar prej tyre, thonë se asgjë nuk ka qenë e qëllimshme.
Mendohet që fëmijët të kenë pasur një shkrepëse ose çakmak me të cilin mund të kenë ndezur kartonin që mbanin në duar përpara se ta hidhnin në karrocën me plehra të marketit, por as kjo nuk është e qartë nga pamjet dhe fëmijët nuk e pranojnë.
Vijon të mbetet pistë, edhe hedhja e ndonjë cigareje nga lart. Në pyetje janë marrë edhe disa persona të tjerë që kanë konstatuar të parët ngjarjen si persona që kanë dijeni ku kanë dhënë shpjegimet e tyre.
Flakët në plehrat e marketit, mendohet të ketë qenë vatra e zjarrit që përhapi flakët në fasadën e objektit 12-katësh. Edhe shërbimi zjarrfikës ka përfunduar ekspertizën për zjarrin dhe dyshon se flakët nisën nga pakujdesia e fëmijëve të cilët kanë qenë duke luajtur dhe dyshohet se i kanë vënë flakën plehrave.
Katër të arrestuarit për zjarrin në pallatin 12-katësh u lanë me masën “detyrim paraqitje”, nga gjykata e Tiranës, konkretisht: inxhinieri i kompanisë Enver Ademi, kontraktori që ka bërë fasadën Altin Furtuna, menaxherja e marketit, Razie Sula, si dhe administratori i pallatit Agron Cara.
Sipas pamjeve rreth orës 16:30 të së martës, së 14 prillit një fëmijë shihet duke luajtur në pjesën e pasme të marketit, në katin e parë të pallatit. Pranë fasadës ndodheshin kartonë të grumbulluar, e teksa nuk dallohet qartë momenti i ndezjes së zjarrit, një nga të miturit qëndron për disa sekonda pranë tyre. Rreth gjashtë minuta pasi ai largohet, në zonë nis të dalë tym.
Flakët u përhapën me shpejtësi, duke u aktivizuar fillimisht në ambientet e marketit dhe më pas duke përfshirë të gjithë fasadën e pallatit, çka solli dëme të mëdha materiale dhe panik tek banorët. Organi hetues është duke kryer edhe veprime të tjera sa i takon zbatimit të projektit për ndërtimin e pallatit dhe materialeve të përdorura si dhe për masat e sigurisë.
Nga zjarri u shkrumbuan 30 apartamente, ndërsa për të prekurit Bashkia e Tiranës miratoi bonus qiraje 40 mijë lekë derisa ndërtuesit të përfundojë së rindërtuari pallatin.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente










Pallat prej qiriu
Përgjigjuprokuroria pyet kush i vuri flaken ndekohe qe pyetja eshte kush e beri kapotin me material te djegshem
Përgjigju