TIRANË- Pesëmbëdhjetë vite nga 21 janari, xhaxhai i Aleks Nikës, protestuesit të vrarë nga plumbat e shtetit të Sali Berishës, takoi kryeprokurorin e SPAK Klodian Braho, sipas të cilit shpejt hetimet do të nxjerrin përgjegjësit.

Në një deklaratë për mediat pas takimit me drejtuesin e SPAK, Mark Nika tha se çështja është zvarritur prej 15 vitesh dhe se nuk janë thërritur për tu pyetur të gjithë personat që kanë dijeni.

“Hetimet nuk i kanë shkuar deri në fund. Ai më tha se kemi mobilizim dhe së shpejti do ta konkludojmë për fajësinë e personave që kanë ekzekutuar protestuesit. Ne na duket zvarritje. Asnjë person nën akuzë, nuk e di pse veprohet kështu. SPAK thotë po punojmë, kështu është edhe deklarata e kryeprokurorit. Po presim, ato a kanë dorë se si do shkoj hetimi i kësaj çështje.

Ne kemi pretendimet tona, se është zvarritur në atë formë që janë 15 vjet që kjo çështje është në sytarët e drejtësisë. Vërtetja jonë është se hetimi duhet të jetë më i shpejtë. Të Thirren gjithë personat që kanë dijeni, nuk janë thirr, duke filluar qoftë edhe punonjësit e shtetit që kanë qenë në atë kohë të kryeministrisë, gardës e të tjerë. Ne do e ndjekim në vazhdimësi derisa të zbulohet e vërteta”, tha Mark Nika.

Vrasjet janë urdhëruar nga shteti tha Mark Nika, dhe megjithatë, shprehu besimin se shpejt do të dalin autorët e vërtetë.

Përgjegjës Vrasësit, shteti. Ato janë pushkatuar kur ka mbaruar demonstrata. Besoj se prokurori i çështjes po merret me seriozisht me atë çështje me shumë kompetencë profesionale dhe besoj se ka për ta përfunduar, autorët do zbulohen, kush i ka vrarë kush i ka urdhëruar, janë në kasetë të regjistruara. Do ekspozohen, është zëri i tyre kush ka urdhëruar. Ne e dimë por duhet me ekspertim shkencor”, vijoi Nika.

Procedimi penal për 21 janarin u regjistrua më 15 korrik 2024, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë dhe në zbatim të vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila më 14 nëntor 2023 konstatoi shkelje të rënda nga shteti shqiptar dhe kërkoi të hetojë, identifikojë e ndëshkojë zinxhirin komandues që urdhëruan vrasjen e Aleks Nikës dhe tre protestuesve të tjerë, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Që nga nisja e hetimeve, SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes. Para prokurorëve janë paraqitur ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese, ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij.

Një nga provat e reja kyçe në hetim është një audio-regjistrim rreth 34 minuta, dorëzuar nga familja e Aleks Nikës, ku dëgjohen komunikime radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë momenteve kritike të protestës. Në regjistrim, sipas burimeve, dëgjohet ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, duke dhënë urdhër për përdorimin e plumbave të vërtetë, dhe jo municion manovër, ndaj protestuesve.