Hetimi i Imamit, Lutaj: Kërkesa
e PS në Gjykatë Kushtetuese

Hetimi i Imamit, Lutaj: Kërkesa <br />e PS në Gjykatë Kushtetuese
Në një intervistë për gazetën Shqiptarja.com, deputeti socialist dhe njëherësh anëtari i Komisionit të Sigurisë bën të ditur se mazhoranca mori në mbrojtje nga hetimi parlamentar ministrin Arben Imami nga skandalet dhe aferat e rënda korruptive të bëra në Ministrinë e Mbrojtjes.

Zoti Lutaj, si e komentoni qëndrimin e PD-së për të rrëzuar komisionin hetimor për Ministrinë e Mbrojtjes?

Ky është një qëndrim absurd i njëllojtë me atë që ka mbajtur mazhoranca në Komisionin e Sigurisë ndaj një vendimi të marrë gati një vit më parë dhe një dokumenti të dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes për ushtrimin e kompetencave për ushtrimin e mbikëqyrjes parlamentare. Vendimi i sotëm ngjan si dy pika uji me këtë qëndrim dhe kjo nuk është rastësi. Është problemi se vetë mazhoranca e kupton se opozita ka kapur një element shumë të rëndësishëm të korrupsionit dhe të veprimtarisë së jashtëligjshme që ka bërë kjo mazhorancë nëpërmjet strukturave të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu ndodhi që në mënyrë absurde dhe të pakuptimtë sikur gjoja se opozita ka kërkuar një komision hetimor parlamentar jo në zbatim të ligjit dhe Kushtetutës, kur në fakt është e kundërta. Por tashmë gjithë opinioni publik po e kupton se çfarë halli ka Ministria e Mbrojtjes dhe mazhoranca që i ka mbyllur të gjitha dyert e mbikëqyrjes parlamentare dhe të ushtrimit të kontrollit të legjislativit mbi Ekzekutivin dhe në mënyrë të veçantë mbi Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo lidhet në mënyrë të veçantë me gjëmat dhe bëmat që janë evidentuar në këtë ministri, të cilat nuk kanë qenë thjesht "demagogji" apo akuza, por që kanë qenë shqetësime nga media, qytetarë nga opinioni, e për më tepër për rastet e trafikimit të armëve të përgjimit të opozitës, të shitjes së disa aseteve të Ministrisë së Mbrojtjes nga ministri Imami, të shkeljes së Kushtetutës, siç ishte rasti i emërimit të komandantit të Flotiljes.

A kemi të bëjmë me një sjellje jo ligjore të mazhorancës duke bllokuar çdo nismë të opozitës për komisionet hetimore?

Sigurisht, kjo sipas etiketimeve të opozitës, por sipas dispozitave ligjore kemi të bëjmë me një veprim antikushtetues të mazhorancës, e cila nuk pranon kontrollin e legjislativit mbi ekzekutivin, kemi të bëjmë me shkeljen e së drejtës së deputetëve për të ushtruar kompetencat e tyre si ligjvënës. Komisioni i Sigurisë siç e dini ka një juridiksion për të ushtruar kontroll mbi mbikëqyrjen e zbatimit të ligjshmërisë së Ministrisë së Brendshme, Mbrojtjes dhe SHISH gjatë veprimtarisë së këtyre institucioneve. Komisioni ka marrë vendim për të mbikëqyrur Ministrinë e Mbrojtjes, në parim ka vendosur dhe për mbikëqyrjen e Ministrisë së Brendshme, por pas 21 janarit, Kryeministri e kuptoi se mbikëqyrja parlamentare, në mënyrë të veçantë e opozitës ndaj këtyre institucioneve do të konfirmojë atë çfarë gjithë opinioni shqiptar e di se mazhoranca në mënyrë absurde, kriminale ka vrarë qytetarët e vet në mes të Bulevardit të Dëshmorëve.

Cili do jetë hapi i PS-së? A do t'i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese ndaj vendimit të mazhorancës?

Lidhur me vendimin që do të marrë PS-ja, sigurisht është një vendimmarrje shumë e rëndësishme, që ka të bëjë me një element thelbësor në demokraci të kontrollit të legjislativit ndaj ekzekutivit. Sigurisht, nuk mund të them unë sot se cili do të jetë ai, por qëndrimi i PS-së do të jetë ligjor dhe kushtetues. E për më tepër që të jetë i sigurt zoti Imami, nuk do të heqim dorë nga e drejta për të ushtruar kompetencën e kontrollit ligjor të legjislativit mbi ekzekutivin.

shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com, datë 13 nëntor
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament

Ngacmime dhe ironi në ‘Frontline’, Hoxha: Jeni ‘të kapur’ nga Kastrati! Dhuli: Protestën e bëjmë ne të pakapurit! Muça: Vërini 'flakën' Apelit! Nurja: Protestë dhe në Parlament